Jo shumë larg nga Saranda, por rreth 15 km ndodhet një nga komunat më të frekuentuara në vendin tonë në këtë stinë vere të nxehtë. Edhe pse kjo Komunë ka në përbërjen e saj rreth 10.000 banorë, këtë vit në pikun e muajit gusht, llogariten të kenë ardhur rreth 40000 pushues, ka deklaruar kryetari i komunës Ksamil, Besnik Abedini. Të gjitha hoteleritë, por edhe banesat ku jetojnë banorë të kësaj komune, duke nisur nga 1 gushti nuk përballojnë më asnjë pushues dhe janë të tej mbushura. Ky është viti i parë që komuna Ksamil përballet me kaq shumë turistë. Kjo sipas kryekomunuarit ka ardhur falë ngritjes së një shërbimi cilësor, por edhe nga bukuria që natyra i ka falur me bujari kësaj komune. Sipas kryetarit të kësaj komune, duke parë këtë realitet në evolim, kërkohen më shumë investime dhe impenjim nga ana e banorëve, ndërsa apelon se çdo investim jashtë projekteve të kësaj komune, do përballet me ligjin, pasi çdo ndërtim apo rrugë tashmë duhet të ndërtohet vetëm sipas projektit të detajuar nga ana e Komunës dhe miratuar nga ana e këshillit. Për Abedinin periudha e mosdhënies së asnjë fondi nga ana e qeverisë do marrë fund, duke nisur që nga shtatori. Ndërsa uron që kryeministri i ri të mbajë fjalën për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdet dhe investimet në mënyrë të veçantë në sektorin e turizmit.
Z. Abedin, Ksamili në mënyrë të veçantë këtë vit ka njohur një numër të madh pushuesish, si e shpjegoni këtë fakt?
Është e vërtetë që ndryshe nga vitet e kaluara kemi pasur një numër rekord pushuesish, aq sa nuk kemi patur kapacitet për t’i përballuar. Vetëm në këtë periudhë janë mbi 40.000 pushues që banojnë në Ksamil. Pa llogaritur pushues që janë ditën, që vijnë dhe largohen nga kjo komunë. Ne që para sezonit kemi nisur edhe publikimet nëpërmjet internetit dhe agjencive turistike të resurseve që ka komuna. Kjo ka bërë që Ksamilin të mësyjnë jo vetëm pushues nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Maqedonia e nga Polonia e shtete të tjera evropiane. Rritje e numrit të pushuesve erdhi për faktin e furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve si dhe furnizimi me energji elektrike pa ndërprerje. Sigurisht, janë kryer investime edhe për sa i përket infrastrukturës, e cila në pjesën kryesore është cilësore. Po ka ndikuar kështu do të thoja që është një traditë tashmë e dallueshme e mikpritjes së banorëve të kësaj komune, që ka ndikuar jo pak tek pushuesit të cilët kanë krijuar besimin në vite dhe respektin tek këta banorë.
Para pak ditësh, në komunën tuaj është ndërmarrë një operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje, ka përfunduar ky aksion, apo do ketë të tjera ndërhyrje?
Operacioni vetëm sa ka nisur. E them këtë pasi ne kemi një plan urbanistik të punuar me kujdes dhe kushdo që ndërton pa leje do përballet me ligjin. Unë vazhdimisht kam paralajmëruar të gjithë kundravajtësit, konform të gjithë ligjit, nëpërmjet punonjësve të Komunës që të mos investohej jashtë projekteve të urbanistikës. Ne kemi prishur deri tani rreth 25 objekte, ndërsa po kaq pritet të ndërhyhet për t’i prishur në ditët në vazhdim. Operacioni për prishjen e objekteve pa leje nuk është lënë në mes, por ai do vijojë. Por, duke parë fluksin e madh të njerzëve dhe vizitorëve të huaj, së bashku me këshillin e Komunës vendosëm të ndërpresim këtë aksion. Megjithatë, unë gjej rastin të përmend një fakt i cili për mua është abuziv dhe po e ndjek penalisht, pasi gazetarë të cilët nuk e njohin realitetin dhe nuk vijnë në Ksamil, po shkruajnë çdo ditë qëllimisht për të larguar pushuesit, se po prishen lokale luksoze. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi sikurse unë e citova më lart, nuk kemi ndërhyrë për të mos i dhënë pushuesve një panoramë që nuk shkon për shtat Ksamilit. Pas shtatorit, ne do nisim sërish zbatimin e planit rregullues të komunës, ndërsa aktualisht nuk po lejojmë asnjë ndërtim pa leje. Një gjë të tillë e kam patur mjaft të vështirë, për shkak se edhe policia e shtetit, nuk ka qenë në koshiencë me zhvillimin dhe popullimin e shpejtë të kësaj komune, për të na mbështetur. Ndërtimet pa leje u kryen gjatë periudhës së fushatës, ndërsa ne kërkonim ndihmën e policisë së rendit dhe nuk na u afronte. Gjej rastin të apeloj edhe një kërkesa tashmë nëpërmjet mediave, që Ksamili të paktën në periudhë kur është edhe piku i sezonit turistik, ka nevojë për një postë policie e cila të siguroj rendin e qetësinë. Edhe përse kam kërkuar që komuna e jonë të ketë prani të forcave të policisë, deri më tani është për të ardhur keq, pasi nuk është kryer. Imagjinoje që asnjë punonjës rendi nuk ka ardhur për të më takuar për të qenë në kontakt gjatë kësaj periudhe. Për çdo problem që mund të ketë në komunën tonë unë jam i detyruar të hy në kontakt me shefin e komisariatit të Sarandës, të cilët edhe pse kanë qenë të gatshëm për të afruar ndihmë nuk kanë numrin e punonjësve të policisë që mundet të m’i vinin në shërbim të komunitetit. Imagjinoje që komunën tonë e cila është mjaft e hapur përsa i përket gjeografisë së saj, ka një inspektor rendi dhe një inspektor krimesh. Në një kohë që aktualisht vijnë pushues nga të gjitha vendet. Po kështu kam kërkuar dhe do kërkoj që policia rrugore të jetë prezente në komunë.
Po flisni vetëm për anë pozitive, po ku mendoni që Ksamili ka nevojë akoma më shumë për të ndërhyrë?
Qenia ime si drejtues i pushtetit lokal duke përfaqësuar Partinë Socialiste, gjatë drejtimit të qeverisë së deritanishme ka bërë që kjo komunë të mos marrë vëmendjen e duhur dhe të mos ketë investimet të cilat ka mjaft nevojë. Tashmë shpresoi që me ardhjen në pushtet të PS–së nuk do mungojnë edhe investimet të cilat do bëjnë të mundur pse jo brenda dy viteve të dyfishojmë numrin e pushuesve. Për këtë ne tashmë kemi dhe projekte, si shtrimin e dhe asfaltimin e rrugëve dytësore, ndërtimi i një shëtitore bregut të detit. Hapjen hapësirave publike, shtimin e kapacitetit të sipërfaqes së vendpushimeve të pushuesve, si dhe ndërtimi i rrugëve dytësore. Po kështu po punojmë për evidentimin e vlerave kulturore dhe traditave të Ksamilit, për të bërë mundur që brenda vitit të ardhshëm, të kemi ndërtuar edhe një guidë turistike. Prioritet do ketë edhe mbajtja nën kontroll të atyre që abuzojnë me sipërfaqet që kanë në licencë dhe që nuk ofrojnë kushtet dhe komoditetin e nevojshëm për pushuesit. Do insistoj që Ksamili të ketë të paktën një postë policie e cila do kontrolloj më mirë rendin dhe qetësinë nëpër plazhet apo komunën në tërësi./a.bushi

A mund te na thote dikush se tek cili lokal apo kafene ka dale kryetar Besniku ne fotografi?