Kryeministri i Çekisë, Petr Necas ka kërcënuar se largimin e kompanisë CEZ nga Shqipëria do e lidhë me integrimin e Shqipërisë në BE, duke dhënë kështu sinjale se vendi i tij do të bllokojë hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë.
Edhe pse vetë Shqipëria e Sali Berishës nuk po hedh hapa para drejt integrimit, Shqipëria ka krijuar kështu një armik brenda bllokut.
“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek në kontekstin e aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar në BE,” tha Necas.
“Vendimi i autoriteteve shqiptare për të hequr licencën e CEZ, investitorit më të madh çek në rajon, është një sinjal shumë negativ,” shtoi Necas.
“Kjo lëvizje hedh dyshime mbi angazhimin e supozuar të Shqipërisë për zbatimin e ligjit dhe shpresat se një ditë mund të bashkohet me Bashkimin Europian,” vijoi kryeministri çek.
CEZ, 70 përqind e të cilit është në pronësi të shtetit çek, mori përsipër kompaninë e shpërndarjes në Shqipëri në vitin 2009, por prej kohësh është përplasur me autoritetet shqiptare në lidhje me disa çështje.