Shefi i qeverisë ka folur dje për ndryshimet ligjore për koncensionet në ndërtimin e partneritetit publik-privat. Por në relacionin që ka siguruar gazeta “Dita” nuk flitet për këto ndryshime, ndryshime që priteshin të diskutoheshin me sipërmarrësit privatë. As në vendimet e djeshme të Këshillit të Ministrave, nuk paraqiteshin ndryshimet që kryeministri deklaroi se janë bërë. Megjithatë në relacionin që gazeta disponon nuk flitet për këtë partneritet. Por dje kryeministri vlerësoi ligjin e mëparshëm për koncesionet, i cili në fushën e energjetikës sipas tij ka funksionuar në mënyrën më të fuqishme, por vuri në dukje se këtij ligji i mungonte qartësia e partneritetit publik, privat. Kryeministri shpjegoi se ligji i ri bën dallimin e koncesionit nga partneriteti publik privat dhe decentralizon plotësisht procesin e partneritetit. “Pra në të vërtetë njësitë kontraktuese të partneriteteve dhe koncesioneve janë tashmë të pavarura nga Këshilli i Ministrave. Në dallim nga ligji i parë, ato veprojnë në mënyrë autonome dhe nuk është Këshilli i Ministrave që përcakton bonuset dhe probleme të tjera.”, sqaroi kryeministri. Kryeministri shpjegoi se për sa u përket HEC-ve, ligji mban në fuqi nenin e quajtur “sëiss article”, nenin zviceran, i cili është marrë nga Kodi i Organizatës botërore të Tregtisë dhe ky nen do të jetë në fuqi deri në fund të mandatit të ardhshëm 2017, ku më pas do të zëvendësohet me nenin respektiv. Kryeministri u shpreh se ky është një ligj jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për vendin sepse i jep një koncept të ri dhe një nxitje të fuqishme partneritetit publik privat, pra pjesëmarrjes së sektorit publik dhe atij privat në ndërtime veprash të rëndësishme, në veprimtari të rëndësishme ekonomike.
Ja çfarë parashikojnë ndryshimet ligjore
Përkufizimi i Institucioneve Financuese dhe i Marrëveshjes së Drejtpërdrejtë. Për hir të qartësisë, rekomandohet të përfshihet një përkufizim për kredidhënësit. Meqenëse termi “institucione financuese” përdoret aktualisht në ligjin për koncesionet, ne rekomandojmë të mbahet ky term dhe të përkufizohet ai. Gjithashtu meqë e drejta për të ndërhyrë shpesh parashikohet në kontratën e koncesionit si dhe në një marrëveshje të veçantë midis institucioneve financuese dhe autoritetit kontraktues, është propozuar të vendoset në ligj dhe një përkufizim për “Marrëveshjen e Drejtpërdrejtë”. Shfuqizimi i paragrafit 1.c) të nenit 22. Sipas nenit aktual 22 paragrafi 1.c), thuhet se nëse një institucion financues kërkon zëvendësimin e koncesionarit në përputhje me një klauzolë për të drejtën për të ndërhyrë, procedura konkurruese nuk do të zbatohet dhe autoriteti kontraktues mund të hyjë në negocime drejpërdrejt me një koncesionar pas marrjes së miratimit prej Këshillit të Ministrave. Kjo mbështetet prej nenit 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 27 datë 19.1.2007. Sugjerohet shfuqizimi i paragrafit 1.c) të nenit 22 dhe shtimin në ndryshim tjetër të tekstit vijues: “Procedurat e përzgjedhjes së koncesionarit sipas neneve 10 deri 23 të këtij ligji nuk zbatohen në rastin e ndërhyrjes nga institucionet financuese. Në çdo rast, koncesionari zëvendësues apo zëvendësuesi që kontrollon koncesionarin, duhet të përmbushë kriteret themelore minimale të zbatuara në fazën e parakualifikimit, nëse ka, siç përcaktohen në procedura e tenderit në lidhje me projektin koncesionar në fjalë, ose çdo kriter tjetër që përcaktohet në kontratës së koncesionit dhe/ose marrëveshjen e drejtpërdrejtë.” Ndryshimi i paragrafit “p” te nenit 27. Aktualisht, neni 27 paragrafi “p” përmend që kontrata koncesionare mund të përfshijë “të drejtën e ndërhyrjes së financuesve”. E drejta për ndërhyrje mund të trajtohet në mënyrë më të hollësishme në marrëveshjen e drejtpërdrejtë, siç përcaktohet në nenin 27/1.”. Megjithatë pritet të zbardhen ndryshimet nga kryeministri, pasi burime pranë ekzekutivit, thonë se propozimet e Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës nuk do të merren në konsideratë, duke pritur variantin që do të propozojë qeveria.
Leave a comment