Me afrimin gjithnjë e me afër të zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Berisha kërkon nga qeveritarët e tij të krijojnë lehtësira të tjera për biznesin. Pas paketës me lehtësi fiskale që pritet të shqyrtohet në Kuvend, kryeministri tha se barra burokratike ndaj bizneseve duhet të lehtësohet edhe më tej. Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë iu rikthye rëndësisë së ndryshimeve në ligjin për urbanistikën, që u jep krerëve të pushtetit vendor kompetencën e miratimit të projekteve zhvillimore, pa kaluar në Këshillin e Rregullimit të Territorit. Këto ndryshime ligjore, sipas kryeministrit, do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar në Kuvend. Kryeministri Sali Berisha u kërkoi anëtarëve të kabinetit të shohin cdo mundësi që lehtëson biznesin nga barra burokratike administrative. Sipas Kryeministrit Berisha sa më i lirë të jetë biznesi, aq më shumë mundësi do të ketë ai për të rritur prodhimin. Gjithashtu ai u shpreh se paketa për lehtësimin fiskal të biznesit, do t’í kushtoje buxhetit rreth 200 milionë euro, por që sipas tij heqja e cdo pengese për biznesin është një masë që ndihmon rritjen ekonomike dhe punësimin. “Ne duhet të bëjmë gjithcka të krijojmë vende pune kudo ku ato mund të krijohen. Janë mundësi shumë të medha, por nga mundësitë më të mëdha ekzistojnë në bujqesi. Cili mund të imagjinojë se vetëm nga gjethet e ferrave një djale i ri në Delvine arrin të fitojë në vit 100 mijë euro? Pra vërtet duhet të perpiqemi në të gjitha menyrat”, tha Berisha.