Investime më të shumta në sektorin e bujqësisë për të nxitur zhvillimin e zonave rurale si edhe rritjen e punësimit. Kjo ishte ideja e kryeministrit Berisha gjatë bisedës me akademikë të këtij sektori. “Në katër vitet e ardhshme do të synohet ndërtimi i infrastrukturës së vaditjes për tokat bujqësore”, u shpreh shefi i qeverisë. Sipas tij, investimet në bujqësi kanë një marzh të lartë fitimi, rritje të punësimit dhe mirëqënies në zonat rurale dhe kosto të ulët. 17% e të ardhurave në buxhetin e shtetit vijnë nga sektori bujqësor dhe agro-ushqimor. Ndërsa nevojat e vendit mbulohen në masën 40% me prodhime vendi dhe pjesa tjetër nga importi. Më pas, gjatë hapjes së Panairit të 6-të të Punës, kreu i qeverisë tha se rritja e punësimit në vend do të mundësohet edhe në kushtet e një ekonomie me ritëm më të ulët zhvillimi. Sipas Berishës, hapja e vendeve të punës me kosto të ulët, si dhe heqja e tatimit 10 % për pagat deri në 30 mijë lek, do ndikojë ndjeshën në uljen e papunësisë. Një tjetër nismë e prezantuar gjatë Panairit të Punës, është edhe heqja e burokracive dhe barrierave për të huajt e punësuar në Shqipëri. Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, tashmë shtetasve të BE-së nuk do t’u duhet të pajisen me leje pune për t’u punësuar në vendin tonë. Gjatë tre ditëve të Panairit të 6-të Punës, mbi 100 kompani do të ofrojnë mundësi punësimi për 1200 persona, si dhe mundësi trajnimi dhe aftësimi profesional.