“Në raportin e tremujorit të parë për vitin 2013, botim i Komisionit Evropian për vendet kandidate dhe parakandidate, thuhet se Shqipëria ka një rritje ekonomike prej 1.7 % dhe të punësimit prej 0.5%”. Kjo ka qenë deklarata e ardhur dje nga shefi i qeverisë në mbledhjen e kabinetit të tij duke ju referuar sipas tij të dhënave që kanë dalë nga Komisioni Evropian. “Shqipëria, thotë raporti, pati një ulje të llogarisë rrjedhëse nga minus 13.3 që ishte, zbriti në minus 10.5. Inflacioni në Shqipëri, ishte më i ulët në vitin 2012 (se këto janë të dhënë ta vitit 2012) sesa në vitin 2011. Këta që bëjnë fjalë për inflacion kësaj here ka qenë një zhvillim tjetër pozitiv i ekonomisë shqiptare”, u shpreh shefi i qeverisë dje në mbledhje. Madje sipas këtij raporti Shqipëria, pati një zgjerim të industrisë me 7.8 %, në sektorin nxjerrës një rritje prej 29.7 % . “Vendet e punës në Shqipëri, thotë, në sektorin publik nuk ndryshuan. Nuk e kemi sipërmarrje administratën, ne i qëndrojmë serioz vendimit që kemi marrë, nuk ka ndryshuar”, u shpreh ai duke pranuar këtë mënyrë se administrata publike mbetet një strukturë e fryrë, por që nga ana tjetër sic sipas shefit të qeverisë raportohet në botimin e KE-së “në sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rriten me 1,8 % në tremujorin e fundit të 2012 dhe me 6.5 % si rritje vjetore”. Megjithëse raporti thekson se rritja e të ardhurave në dy muajt e parë të vitit 2013 është me 0.8 %, sipas shefit të qeverisë e vërteta është që tre muajt e parë të ardhurat janë rritur me mbi 3.5 %. “Pra në qoftë se trendi i 2012 ishte ulja, trendi i 2013 është rritja e qartë. Borxhi publik arriti në 61, 5%, borxh të cilin qeveria për këtë vit e ka parashikuar tek 62,6% dhe pas këtij viti fillon kthesa. Borxhi publik në mënyrë graduale do të zbritet. Ky është zotimi ynë solemn, sepse ato qëllime që ne kishim me borxhin po shkojnë drejt realizmit dhe projekti ynë përballohet edhe duke ulur borxhin tani”, u shpreh Berisha në fjalën e tij në një kohë kur borxhi publik edhe pse nuk jepen të dhënat zyrtare e ka kaluar deri tani 63.8 për qindëshin. Vec deklaratave të djeshme për rritje ekonomike që me shumë gjasë dhe nga treguesit realë të ekonomisë, rezultojnë të dyshimta, në qeveri u miratua vendimi për të shtyrë edhe njëherë afatt e përdorimit për dy vjet të letrave me vlerë dhe dyfishim në përqindje të përdorimit të tyre në të gjitha destinacionet e miratuara deri tani.