Kryengritja popullore e Matit ka hyrë në historinë e LANÇ-it si një nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm të kësaj krahine. Populli i Matit iu përgjigj flakë për flakë thirrjes të Shtabit të Përgjithshëm për kryengritje të përgjithshme, duke dhënë shembullin për gjithë vendin. Për të sheshuar e unifikuar mendimet e për të marrë vendimin përfundimtar ranë të gjithë të një mendimi për mbajtjen e një kuvendi, me pjesëmarrjen përfaqësuesve të partizanëve dhe parisë së krahinës.
Përgatitja
Nga fundi i muajit prill e deri nё fund tё korrikut u muarёm me pёrgatitjen e Kryengritjes Popullore tё Matit. Tё gjithё shokёt e çetёs partizane, sipas ndarjes sё zonave, vazhduan punёn nёpёr fshatrat, u takuan e biseduan me popullin, e njohёn atё me programin e Frontit, duke pasur si objektiv kryengritjen e pёrgjithshme. Nё Mat lёvizja kishte marrё pёrpjestime tё kёnaqёshme. Nga frika e forcave partizane, nёnprefektura dhe komanda e xhandarmёrisё sё rrethit, qё nё fund tё vitit 1942, tёrhoqi xhandarёt dhe mbylli postkomandёn nё Ketё e nё Gurrё. Nё muajt maj-qershor 1943, tёrhoqi xhandarёt dhe mbylli komunat e postkomandat edhe nё Klos, Derjan, Macukull, Lis, Qafё Murrё e Selitё. Tani tё gjitha fshatrat e rrethit tё Matit thuajse ishin tё lira. Forcat e armatosura tё armikut u grumbulluan nё Burrel e nё Komёsi, nё garnizione tё pёrbёra nga ushtarё italianё dhe karabineri italiane dhe shqiptare. Nё Bulqizё, kufi me Matin, ishte dislokuar njё garnizon me ushtarё italianё pёr ruajtjen e minierёs sё Kromit, qё varej nga Dibra.
Por situatёn nё Mat, si gjithmonё, vazhdonte ta ngatёrronte qёndrimi i pabesё, sabotator e tinzar qё mbante Abaz Kupi. Ai tani luftonte pothuajse haptazi politikёn e Frontit Nacionalçlirimtar. Politika e pritjes qё bёnte ai nuk kishte asgjё tё pёrbashkёt me Frontin Nacionalçlirimtar, ku ai bёnte pjesё vetёm formalisht. Abaz Kupi e kishte shpallur veten si pёrfaqёsues absolut i ish mbretit Zog dhe bёnte çdo pёrpjekje qё popullin e Matit ta mbante tё lidhur pas vetes. Por matjanёt nuk e kanё dashur asnjёherё Abaz Kupin. Mati e njihte atё prej kohёsh si njeri tё pabesё e intrigant, mjeshtёr dallaveresh e prapaskenash, tё cilat i kishte filluar qё kur bashkёpunonte me Esat Pashё Toptanin pёr copёtimin e Shqipёrisё dhe pёr t’ia dorёzuar Matin shovinistёve serbё. Shpesh dёgjoje tё flitej pёr kёtё kaçak qё tё vret pas gardhit. Duhet t’i ruheshe jo mё pak miqёsisё se sa armiqёsisё sё tij. Ishte i heshtur. Veçanёrisht kur kishte shumё njerёz fliste pak dhe jo pёr gjёra serioze. Bisedat e rёndёsishme i bёnte vesh mё vesh me krerёt. Ishte njeri i errёsirёs. Punёn e tij e mbulonte me njё mister, qё e dinte vetёm ai.
Si vend më i përshtatshën dhe nga ana e sigurisë, u caktua fshati Bruç. Me datë 26 Korrik sipas vendimit të marrë, u mblodh në Bruç kuvendi, që ka hyrë në histori si “Kuvendi i Bruçit”. Në kuvënd morën pjesë: Nga ana e çetave partizane vullnetare Mustafa Kaçaçi, Sali Llani (dhe si përfaqësues i parisë) dhe unë (Beqir Minxhozi); nga pala tjetër morën pjesë Sul Kurti, Bilal Kola, Ndrec Lufi, Isuf Çela, Haziz Kasemi, Frok Gjeta, Xhemal Lleshi, Din Ahmeti, Rustem Pozhuku, Ismail Lala, Ram Tusha, Mahmut Lezi. Fusha e Ndredysë buçiste nga këngët partizane e patriotike nga vallet dhe bisedat.
Vendimet e Kuvendit
Kryengritja të fillojë në mbrëmjen e 31 Korrikut, me marrjen e qytetit të Burrelit dhe pastaj me sulmin kundër garnizonit të ushtrisë italiane në gazermat e qytetit dhe atij që ruante kampin e përqëndrimit. 3 orë para fillimit të sulmit t’i jepej ultimatum komandës së garnizonit të Burrelit për t’u dorëzuar pa rezistencë, në të kundërt. Të sulmoheshin një herësh të tri garnizonet e ushtrisë italiane të dislokuara në Burrel, Kombësi dhe Bulqizë. Në kryengritje të marrin pjesë të gjithë burrat, që janë në gjëndje të përdorin armët. Të gjitha forcat që do të marrin pjesë në kryengritje të përqëndrohen në vënde të caktuara dhe të jenë në gadishmëri të plotë për sulmin në orën 22.00 të datës 31 Korrik.
Vendimet e kuvëndit ju bënë të njohura popullit që priste në fushë. Shpallja e tyre u prit me duartrokitje e me aprovim. Ne shokët partizanë te dy çetave u mblodhëm veças ku përcaktuam detyrat dhe zonat ku do shkonim për të ndihmuar në zbatimin e vendimeve të kuvendit.
Zhvillimi i kryengritjes
Në mbrëmjen e 31 Korrikut rreth 3000 partizanë e vullnetarë filluan sulmin në të gjitha objektet e caktuara. Në fillim u çlirua qyteti i Burrelit pa asnjë rezistencë nga forcat e xhandarmërisë e milicisë, u hap burgu i Burrelit, u liruan dhe u dërguan në vendbanimet e tyre të gjithë të burgosurit, rreth 200 vetë. Milicët dhe xhandarët, një pjesë u bashkuan me kryengritësit, pjesa tjetër shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Nëpunësit qeveritarë, duke filluar nga N/prefekti, kryetari i bashkisë e të tjerë ishin larguar nga qyteti më parë. Pas çlirimit të qytetit të Burrelit sulmi filloi mbi garnizonet. U luftua gjithë natën e 31 Korrikut dhe në mëngjesin e 1 Gushtit. Forcave fashiste organizuan zjarr të fuqishëm nga fortifikimet betonarme. Në ndihmë u erdhi dhe aviacioni luftarak nga Tirana, i cili filloi të mitralonte dhe të bombardonte pozicionet e forcave kryengritëse si dhe kolona fshatarësh që vinin në Burrel për t’u sjellë ushqime forcave kryengritëse. Në këto kushte, forcat kryengritëse u detyruan të tërhiqeshin në pozicione më në thellësi e më të maskuara. Aviacioni armik filloi të furnizonte me ushqime të hedhura me parashutë nga ajri, forcat e garnizonit të rrethuar. Kjo gjendje vazhdoi deri më 4 Gusht, ku në ndihmë të tyre erdhën forcat e dy regjimenteve të Divizionit “Brenero” nga rrugët automobilistike Rrëshen-Burrel dhe Krujë-Burrel. Këto forca shumë herë më të mëdha në numër, armatime e mjete të tjera mundën, pas luftimesh të ashpra me forcat kryengritëse që kishin zënë prita përgjatë rrugëve, t’i kalonin pritat dhe të arrinin në Burrel, duke djegur gjatë rrugës shtëpi fshatarësh e duke vrarë këdo që gjenin nëpër shtëpi (pleq e plaka). Një qëndresë të fortë bënë forcat partizane vullnetare të vendosura në Qafë-Shtamë. Ata më datën 3 Gusht, zbrapsën përpjekjen e parë të kolonës armike me humbje të rënda për ta. Por ata pas riorganizimit e rifilluan marshimin për në Burrel përsëri në datën 4 Gusht. Natën e datës 3-4 Gusht, erdhën në ndihme të forcave partizane vullnetare, forca partizane vullnetare të batalioneve “Dajti”, “Krujë-Ishëm” dhe çeta e Abaz Kupit.
Të nesërmen në 4 Gusht, pararoja e forcave italiane, ranë në pritë dhe pësuan shumë humbje, të vrarë e të plagosur, shumë dëmtime e shkatërrime në armatim, automjete e materiale të tjera. Mbeti i vrarë dhe vetë komandanti i kolonës, kolonel Skarpa.
Pas kësaj, ekspeditat ndëshkuese të ushtrisë italiane, duke ndeshur në rezistence të organizuar ne fshatra, si: Gurrë të Vogël, Dom, Shulbatër, Batër etj i ndërprenë ekspeditat ndëshkimore dhe mbetën të grumbulluar (në të vërtetë përsëri të rrethuar) në gazermat e Burrelit.
Mesazhet e kryengritjes
Kryengritja tregoi atdhedashurinë e flaktë, shpirtn liridashës dhe frymën e lartë luftarake të matjanëve që shpërtheu në mënyrë masive e në formë të re gjatë gjithë kryengritjes. Kryengritja mbarë popullore e 31 Korrikut 1943 shënoi kulmin e kësaj lufte në Mat. Ajo u përgatit e u zhvillua sipas platformës të Konferencës historike të Pezës: “Bashkim pa dallim ideje, krahine e feje”.
Pra, ishte kryengritje mbarë popullore. Kryengritja pati jehonë e ndikim të madh në të gjithë vendin e sidomos në rrethet fqinjë me Matin dhe deri në rrethet e Shqipërisë së mesme e të veriut. Komanda e lartë fashiste u trondit shumë nga shpërthimi i kryengritjes në Mat. Si masë urgjente ajo nisi me ngut dy Regjimente të Divizionit “Brenero”, nga Kruja e Rësheni për në Mat. Gjithashtu, anuloi operacionin “Zara”. 3000 partizanë e vullnetarë, të armatosur vetëm me nga një pushkë të modeleve të vjetra dhe me shumë pak municion, luftonin kundër forcave të dy divizioneve, të armatosura më së miri me të gjitha llojet e armëve e të mbështetura dhe nga aviacioni luftarak. Tërheqja e parisë nga kryengritja që në ditën e dytë të saj, e dobësoi shumë kryengritjen e cila mbeti në fakt pa shtab drejtues. Këtë detyrë pastaj e kreu më së miri komanda e çetës partizane. Kryengritja i tregoi popullit të Matit se cilat forca ishin me të vërtetë për luftë kundër okupatorit dhe cilët forca ishin vetëm në dukje të tilla. Forcat partizane të çetës së Matit, forcat vullnetare të fshatrave dhe forcat partizane e vullnetare të rretheve fqinjë, nuk u shkëputën për asnjë çast nga luftimet. Kurse paria me forcat e saj, u tërhoq nga lufta që në ditët e para. Kjo është dhe një përgjigje për ata që thonë se” Paria ishte iniciatorja e kryengritjes dhe e udhëheqjes se saj”.
Kryengritja e ndërgjegjësoi dhe më shumë dhe e lidhi akoma më ngushtë popullin e Matit me lëvizjen dhe LANÇ-in. Nga forcat kryengritëse dhanë jetën në luftimet e bëra, për të mos vdekur kurrë, duke u rreshtuar në altarin e 28 mijë Dëshmorëve të Atdheut: Abdi Kryekurti, Bardhok Ndoi, Fadil Canameti, Haxhi Lata, Ismail Heta, Ismail Tusha, Osman Gjashta, Qazim Bala dhe Shahin Kola. Mbeti i plagosur dhe Zv/komisari i çetës partizane Seldin Avdia.
Kryengitja e Matit e 31 Korrikut 1943, ruan dhe sot dhe përcjell mesazhin e bashkimit, mirëkuptimit, tolerancës e bashkëpunimit midis gjithë forcave politike e shtresave shoqërore per problemet madhore te popullit e të kombit.
(Marrё nga libri me kujtime “Lufta Nacional-Çlirimtare nё Mat”)
i indinjuar
ndihem shume e indinjuar ashtu sic populli shqiptar i priti forcat fashist me indinjate te madhe
Ceshte mor ky pleher qe vazhdon me mashtrime dhe shtremberime te histories se Matit e te gjithe Shqiperise.
Turp per kedo qe e beson kte Sllavo komunist.Po te vazhdojme ne kete rruge do te ngelemi populli me i ndyre dhe me i parrespektuari ne bote.