Kryengritja që tronditi qeverinë (PJ. II)

Ornela

Ndoc Logu

(Vijon nga dje)

Duke paraqitur edhe variantin e ndërhyrjes jugosllave, do të ndihmonte për acarimin e këtyre marrëdhënieve duke i justifikuar këtë acarim, sepse dihet që Juka ishte proitalian. Kryengritja e Dukagjinit e nëntorit 1926 koincidonte edhe me një moment tepër kritik për qeverinë e A. Zogut. Sapo ishte firmosur midis dy shtetesh, Italisë dhe Shqipërisë traktati dy palësh – ose siç u quajt – Traktati i Parë i Tiranës, i cili i garantonte Zogut sundimin mbi Shqipërinë, ndryshe “Pozitën politike”. Kështu përmbysja tamam në çastin kur Zogu sapo kishte siguruar aleatët edhe pse me shumë dëme e poshtërime ndaj vendit, nuk do t’ja falte vetes. Në këto kushte erdhën në ndihmë pikërisht spiunët nga Malësia e Madhe, miqtë e M. Jukës, që spiunuan Kryengritjen e Dukagjinit. Se po to ishte ndryshe sa themi ne, Zogu as ata nuk do t’i kursente. Përkundrazi. Nga Malësia e Madhe nuk kemi asnjë to arrestuar, as të dënuar, e jo më të dënuar me vdekje. E kundërta të gjithë të dënuarit, rreth  600 vetë, siç do të shohim më poshtë, ishin kryesisht nga Dukagjini, nga të nëntë bajrakët e tij.

  1. Milo në interpretimin e shpjegimin e shkaqeve dhe karakterit të kësaj lëvizjeje eci në rrugën e M. Belegut, i cili më 1971 në një material prej 24 faqesh vërtitet sa andej-këndej, herë mbron influencën jugosllave, herë atë italiane, që të dyja i pranon, që të dyja i kundërshton; megjithëse duket se ka shfrytëzuar mjaft materiale arkivore, por jo trevën e Dukagjinit e dëshmitarët e ngjarjes. Nga një anë citon dokumentet e italianëve, si ato të Aloisit i cili thotë se: “… nuk rezulton asnjë indikacion i dobishëm dhe i saktë përsa i përket pjesëmarrjes jugosllave…”. Nga  ana tjetër, Belegu, e pranon se këta të fundit e organizuan. Pra qoftë Milo, qoftë Belegu, gjithsesi influencat dhe organizimin e kësaj Kryengritjeje e kërkojnë jashtë, tek të huajt, duke mohuar kushtet historike, shoqërore, politike dhe ekonomike të trevës së Dukagjinit. Duke vepruar kështu, që të dy mohuan rolin dhe veprimtarinë e asaj krahine, sakrificat e gjakun e derdhur, luftën e përpjekjet e tyre për liri dhe duke na i paraqitur krerët  e luftëtarët e kësaj krahine sikur ishin vegla në duart e të tjerëve, si “mish për top”, siç i thonë.

Është për të vënë në dukje se si këta dy autorë, tashmë të mirënjohur, edhe të tjerë para tyre, i mohojnë katarciprisht  faktorët e brendshëm, mohojnë rolin e përpjekjet e patriotëve të Dukagjinit duke ua atribuar të gjitha këto disa priftave dhe një grupi të arratisurish. Bile M. Belegu e banalizon tepër këtë lëvizje kur thotë: “…Ajo që në fillim e humbi karakterin kombëtar, demokratik e përparimtar…” dhe i cilëson kryengritësit si “… një grup aventurierësh i cili nuk kishte asnjë program të qarët…”.

Pavarësisht një gjë mund të thuhet hapur e me të madhe: Shqipëria, shqiptarët dhe çështjet e tyre, si para dhe pas lëvizjes së Dukagjinit, edhe sot e kësaj dite, kanë qenë të ndikuar nga faktorët e jashtëm, nga politikat e rrethanat, nga ndërhyrjet e kundërshtimet, dhe në çdo rast, ne na kanë atribuar të këqijat duke u përpjekur të na zhveshin nga meritat historike, duke na ngarkuar përgjegjësitë, edhe pse ato i kishin të tjerët. Nga këto nuk mund të shpëtonte, në ato vite, as kryengritja e Dukagjinit. Por gjithsesi, ajo pati jehonën, rëndësinë dhe meritat e veta, ashtu siç pati edhe mangësitë e veta, siç do t’i shohim më poshtë.

Gjithsesi nuk mund të përjashtohet ndikimi dhe roli i faktorit të jashtëm dhe pjesëmarrja direkte e tij në çdo fazë të përgatitjes, të organizimit dhe zhvillimit të kryengritjes së Dukagjnit, për më tepër në ato vite kur Ahmet Zogu kishte dalë hapur me politikën e animit dhe afrimit me Italinë duke braktisur aleaten që e solli në pushtet më 1924, Jugosllavinë. Ne pranojmë dhe nuk e mohojmë një farë ndikimi dhe roli të faktorit të jashtëm në atë ngjarje, por nuk mund të jemi kurrsesi dakord me pikëpamjen që i atribuon gjithçka faktorit të jashtëm dhe se vetëm ai ishte vendimtari për ideimin, organizimin, shpërthimin e zhvillimin e Kryengritjes së Dukagjinit. Rrjedhimisht ky vështrim i njëanshëm nuk merr parasysh, madje mohon rolin e faktorit të brendshëm të cilit, për mendimin tonë, dhe siç po përpiqemi ta provojmë e argumentojmë me fakte e dokumente, ishte vendimtar në tërë ecurinë e fazave të zhvillimit të asaj ngjarjeje të madhe historiko-politike.

TIPARE TË KRYENGRITJES SË DUKAGJINIT

Kryengritja e Dukagjinit kishte disa tipare të veçanta, që dallojnë nga të gjitha lëvizjet e deriatëhershme. Së pari: ajo ishte një lëvizje e vetëdijshme e vetë popullit të Dukagjinit. Ajo nuk u ndikua nga asnjë shtet i huaj, siç është thënë gabimisht, bile as nga ndonjë krahinë tjetër e vendit tonë. Së dyti: ajo ishte një lëvizje mbarë popullore me burra, gra, fëmijë e të rritur, lëvizje që tronditi të gjitha organet e organizmat e pushtetit të Zogut në të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe tërë aparatin shtetëror të tij. Bile edhe të tëra qarqet diplomatike të vendeve rreth vendit tonë. Janë me dhjetëra raporte, letra, telegrame dhe dokumente të tjera, që komunikonin në atë periudhë me njëri-tjetrin dhe me Shqipërinë, lidhur me Kryengritjen e Dukagjinit. Në  to shprehej shqetësimi i madh se mos vallë lëvizja po rrëzon pushtetin dhe rrezikon interesat italiane në Shqipëri. Apo kjo lëvizje po merr krahun tjetër, atë të Jugosllavisë. Komentet e konkluzionet për këtë lëvizje janë nga më të ndryshmet. Por ato nuk i afrohen aspak të vërtetës në mjaft aspekte. Disa nga ato që u quajtën si të vërteta, kanë pasur qëllimin dhe interesin e një shteti të caktuar, dhe jo pse ishin vërtet të tilla. E vërteta nuk duhet të peshojë as nga i madhi, as nga më i forti, kur analizojmë ngjarje historike.

Aq më pak këtë duhet ta bëjnë vetë shqiptarët kundër një pjese jo të vogël të historisë së tij. Bile këto të pavërteta janë marrë si fakte edhe nga disa historianë tanët që mund të ishin thelluar më mirë në rrethanat që e filluan dhe në përfundimet e kësaj lëvizjeje.

Por le ta shohim këtë ngjarje edhe nga stani zogolljan për ta argumentuar mendimin tonë, dhe për të parë më mirë telashet që i nxori qeverisë ajo lëvizje. Nga kryengritja e fuqishme e Dukagjinit siç thamë diku më lart, u tronditën të gjitha forumet e pushtetit qendror e lokal në mbarë vendin. Në  të nëntë bajrakët e Dukagjinit pushteti ra në dorë të kryengritësve. Të gjithë punonjësit e nënprefekturës së Dukagjinit në Kodër-Shëngjergj, u arratisën drejt Shkodrës dhe pushteti ra në dorë të forcave të lëvizjes. Po kaq e organizuar ishte edhe në zonën e Pukës. Ndërsa qeveria e Shkodrës pa numëronte orët, në Tiranë u mblodhën të gjitha forumet: qeveria, Dhoma e Deputetëve, MPB e tjerë,  …”me dhanë shpjegime mbi shkaqet e Kryengritjes… dhe mbi gjendjen e përgjithshme të shtetit”. Se ku lindi dhe çfarë qëllimi kishte, le t’ua lëmë fjalën përsëri dokumenteve. Në një telegram që mban datën 24 nëntor 1926, 4 ditë mbasi kishte shpërthyer Kryengritja thuhet: “…një Kryengritje rebelësh u bë nga një vend fare të vogël të Malësisë së Shkodrës me qëllim të zhdukin indipedencën e shtetit dhe bashkimin kombëtar…”. Dhe pasi lëvizja u shty, që siç duket autori i tekstit ishte qetësuar disi nga ankthi i fillimit lëvizjes, ai vijonte: “… duke e shpëtuar edhe këtë herë atdheun nga një rrezik…”.

Kuptohet, këto përcaktime e karakterizime që shihen për kryengritjen e Dukagjinit, bëheshin nga shërbëtorët e Zogut, me qëllim që të mashtronin opinionin, lidhur me qëllimin e lëvizjes. Pikëpamja e tyre se me shtypjen e kryengritjes u sigurua shpëtimi i atdheut, synonte t’i fajësonte pjesëmarrësit e saj si shkaktarë. Më mirë do t’i shkonte: shpëtimin e qeverisë antipopullore të Zogut, sepse për të shpëtuar Atdheun, nga ai regjim barbar, ishte ngritur vetë lëvizja. Reagime negative ndaj kësaj lëvizjeje, e njëkohësisht frika e madhe, siç del nga dokumentet, pati edhe në të gjithë përfaqësuesit e qeverisë në krahinat e Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Në tërë trevën Verilindore të Shqipërisë u shpreh kudo simpatia, përveç Matit e Dibrës. Edhe atje ku nuk u bashkuan me lëvizjen në fjalë, nga frika e regjimit gjakatar të Zogut u hesht. Edhe kjo heshtje shprehte qëndrim, ishte një lloj mbështetje në formën e vet, përballë kundërshtarëve.

 

ZHVILLIMI I KRYENGRITJES

Kryengritja filloi më datën 20 nëntor të vitit 1926. Ajo nisi në një kohë në tërë Shoshin, në Shalë, Duzhman dhe në nëntë bajrakët e Dukagjinit. Ndërkohë, po atë ditë, më 20 nëntor 1926, edhe në Pukë u krijua një çetë me 150 vetë. Më datën 23 nëntor, sipas një varianti që jepet nga qeveria, kryengritësit pukjanë rrethuan nënprefekturën e Pukës për të rrëzuar qeverinë e marshuan drejt Shkodrës. Në tërë krahinën e Dukagjinit nuk ju bë asnjë rezistencë kryengritësve.¬ Të gjithë nëpunësit e nënprefekturës së Dukagjinit në Kodër -Shëngjergj, të shoqëruar nga xhandarët, u larguan në drejtim të Shkodrës, para se të vinin kryengritësit. Pushka kërciste nga të katër anët-siç tregojnë dëshmitarët. Fronti i luftës kishte një vijë shtrirje rreth 50 km dhe kishte të gjitha përmasat e një fronti të rregullt, të një ushtrie të mirëorganizuar. Dhe po me këtë furi, kryengritësit kapërcyen Malin e Shoshit, nga ana tjetër e malit të Cukalit dhe ju drejtuan Kirit, Prekalit e më vonë edhe Drishtit. Duke përshkruar ngjarjet, dokumentet e kohës theksojnë: “…Në grykën e Prekalit u ndez e fortë lufta, por rezistenca e forcave qeveritare u thye shpejt, sepse kryengritësit ishin më të shumtë në numër…”. Pas kësaj ndeshjeje, që përfundoi në favor të kryengritësve, ata vijuan rrugën drejt Shkodrës. Në afërsi të Kishës së Drishtit u bë një rezistencë e madhe nga forcat qeveritare … Madje jo thjeshtë, por një betejë e vërtetë, nga më të përgjakshmet… Kështu megjithë fitoren e tre a katër ditëve të para, me gjithë hovin dhe furinë që kishte marrë lëvizja, ishte e pamundur t’ju bëhej ballë forcave qeveritare dhe atyre mercenare që kishte grumbulluar Zogu për të mbrojtur pushtetin e rrëmbyer me dhunën e jugosllavëve. Dhe nuk ishin të paktë. Ata ishin me mijëra e mijëra. Në një telegram me numër 1189, më datën 25 nëntor 1926, i cili ruhet në AQSH, thuhet: “…me urdhër të kryetarit të Republikës arritën në Krue (Krujë) e Tiranë 3000 vullnetarë nga Matja (Burreli) për 10 orë (në këmbë) dhe 4000 nga Dibra për 24 orë e u nisën në drejtim për në vendngjarje”. Kryengritja e Dukagjinit organizohej 6 vjet pas Luftës së Vlorës së 1920 kundër pushtuesve të Italisë. Duke qenë si kohë jo e largët, duke qenë se në këtë lëvizjen e Dukagjinit kishte element të shkolluar, të ditur, ushtarak karriere dhe luftëtar me përvojë jo të vogël, sot, mbas 95 vjetësh, është e vështirë ta thuash të vërtetën se, përse, në këtë lëvizje, nuk u shfrytëzua përvoja dhe mësimet nga Lufta e Vlorës që, për nga organizimi, strategjia dhe taktika që u përdor atje, ishte mbresëlënëse, edhe për vetë ushtrinë italiane, ku kjo e fundit edhe u mund. Të themi se, nuk njihej kjo luftë është e pamundur, sepse, në lëvizje, kishin ushtarak karriere. Të thuash se e nënvlerësuan, më duket mentalitet fëminor. Më e mundshmja është se, nga ata që duhet të drejtonin këtë lëvizje të armatosur, tradhtuan, ose ishin futur në këtë lëvizje për ta sabotuar.

 

Sipas një vlerësimi të një bashkëkohësi pjesëmarrës në atë ngjarje, nga krahu i qeverisë, del se mbi 3000 forca të tjera, nga ato të karrierës, i kishte angazhuar qeveria, që kishte në Shkodër, Lezhë, Krujë, Durrës e Tiranë. Kështu Zogu, për të shtypur lëvizjen, dërgoi mbi 10.000 forca të komanduara nga Preng Pervizi e Muharrem Bajraktari. Kështu i takon që për çdo një kryengritës, Zogu, dërgoi 10 veta forca dhune. Ka të ngjarë që të ketë dërguar më shumë forca dhune se sa mund të kishte banorë i tërë Dukagjini!…

Shtypja e Kryengritjes tamam në çastin, kur ajo sa vinte e rritej, dhe tamam atëherë kur ajo pritej t’i binte Shkodrës, erdhi si rezultat jo vetëm i forcave të shumta qeveritare me rreth 10000 vetë siç theksuam më lart, por i veprimit të spiunëve nga Malësia e Madhe dhe i të tjerëve të futur në radhët e lëvizjes.

Në ecurinë e zhvillimit të kryengritjes ndikoi edhe alarmi që dha në autoritet e nënprefekturës së Dukagjinit që në çastin e fillimit të kryengritjes. Ata në Dukagjin nuk menduan fare për të mbrojtur komandën e vendit dhe as nuk u bënë fare rezistencë kryengritësve. Por menjëherë nisën telegramet e korrierët për të njoftuar në Shkodër. Pas pak u arratisën edhe vetë. Nuk përjashtohet as mundësia, kjo është e vërtetë, që Zogu, ka pasur vazhdimisht spiunët e vet në këtë lëvizje që nga M. Kruja, L.Caka e të tjerë.

Kështu nuk mund të thuhet se Zogu u gjend i papërgatitur. Qeveria kishte disa informacione, siç vumë në dukje më lart, rreth asaj që po përgatitej në Dukagjin.

Pra  siç del nga të gjithë argumentet që paraqitëm më lart, nuk pohohet e nuk provohet se kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926 kishte karakter fetar e seperatist. Ky tipar i saj nuk evidentohet në asnjë nga dokumentet e kohës që disponon AQSH. Madje as vetë qeveria e Zogut nuk e thotë këtë, që në fund të fundit, ajo ishte e interesuar t’ia ulte vlerën e rolin, t’ia mbulonte qëllimet, të paktën në sytë e opinionit të brendshëm e të jashtëm. Në fund të fundit nuk ka se ku të shkojnë dobësia më e madhe (kuptohet padrejtësitë) dhe turpi për një qeveri se: kur vetë populli ngrihet për ta rrëzuar! Pra nga ky këndvështrim, qeveria ishte e interesuar ta zvogëlonte atë lëvizje sa më shumë. Megjithatë e thonë troç qëllimin e kësaj lëvizjeje. Atëherë ne si studiues, pra historianët e derisotëm, përse të mos e thonë të vërtetën, që është një pjesë jo e vogël, dhe ndër më të mëdhatë përpjekje që ka bërë populli i trevës në fjalë, për çlirimin e vetvetes.

Kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926 ishte pika më kulmore e të gjitha lëvizjeve që kishte bërë, apo ku ishte angazhuar Dukagjini, që prej fillimit të shekullit XX- të e deri atëherë. Bile nuk e teprojmë po të themi se: Kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926, ishte në të njëjtën kohë, një nga lëvizjet më të fuqishme në Shqipëri në tërë karrierën e A.Zogut e cila tronditi seriozisht regjimin e tij, pasojat e të cilës do t’i shohim edhe më poshtë. Gjykuar nga ana e organizimit, e forcave që morën pjesë në të, e programit që kishin, nga egërsia e shtypjes, Kryengritja e Dukagjinit në fjalë, ishte me e madhe se ajo e Fierit që tashmë njihet mjaft.

MASAT REPRESIVE TË QEVERISË PAS SHTYPJES SË KRYENGRITJES

Dhuna që ushtroi qeveria e A. Zogollit ndaj kësaj lëvizjeje ishte shumë e ashpër, shtypja ishte tepër mizore. Burgjet u mbushën plot, sa s’mbanin më. Dhe ç’ka ishte më e keqja, trajtimi në qeli ishte i shkallës së mizerjes. Patriotët futeshin në bodrume të errëta, me lagështirë, pa ushqim as minimal, pa rroba fjetje, pa dritë, duke u shtuar këtyre kushteve edhe torturat çnjerëzore…Sëmundjet u shfaqën shpejt e filluan të bien viktimat e para, para se t’i vinte radha litarit… Kështu paralel me njoftimin e listave të arrestimeve, filluan të informoheshin (njerëzit) edhe për viktimat e burgut, pa u bërë akoma gjyqi, kryesisht nga dy arsye: nga torturat çnjerëzore dhe sëmundjet epidemike që u shfaqën shpejt në ato kushte tepër të rënda… Pastaj u vinte radha dënimeve me vdekje, me 101 vjet, që do të thotë burgim i përjetshëm; dhe së fundi me afate të ndryshme deri në 25 vjet. Dhuna e ushtruar ndaj kësaj krahine i kishte të gjitha cilësitë e përbashkëta me dhunën që u përdor nga serbët ndaj popullit shqiptar të Kosovës që më 1981 e këtej, përveç se ka një diferencë prej vitesh dhe se kjo dhunë ushtrohej nga një shqiptar ndaj popullit të vet. Më qartë akoma: është e njëjtë me tëra dhunat që kanë ushtruar pushtuesit ndaj popullit tonë përgjatë shekullit që kaloi.

Për ta çuar deri në fund egërsinë barbare A.Zogu të gjitha aparatet shtypëse të qeverisë i  përqendroi mbi atë krahinë dhe një gjyq të posaçëm. E tërë vemendja e opinionit shqiptar atje u përqendrua. Me vendim të Këshillit Ministrave N/149 të datës 21/12/1926 u transferua Gjykata Kombëtare në Shkodër “për të gjykuar shkaktarët e Kryengritjes së Dukagjinit” dhe u emërua “Gjyqi politik i Shkodrës”. Me qindra faqe letre u shkruan me akuza e fyerja  absurde kundër patriotëve nga më të mirët të Dukagjinit, e nga më të dëgjuarit e vendit; gjatë tërë atyre muajve të një hetuesie të rëndë dhe në atë proces gjyqësor të gjatë e të egër. Me qindra njerëz u torturuan në hetuesi, u provokuan në gjykime, për t’i gjetur organizatorët e vërtetë të kësaj lëvizjeje. Por edhe pse arrestuan gra, fëmijë, pleq e gjithfarë moshash e kategori njerëzish, nuk e zbuluan dot të plotë organizimin e kësaj Kryengritjeje.

Por një gjë thuhej me zë të fortë dhe krenari nga të gjithë si në hetuesi, në gjykatë e përpara litarit, qëllimin e lëvizjes: “…Rrëzimin e qeverisë së Zogut dhe ndryshimin e formës qeverisjes me një regjim e qeveri demokratike, për të jetuar të lirë, pa shtypës e shfrytëzues në vendin e vet…”. Ky ishte edhe thelbi i tërë programit të kësaj lëvizjeje, e cila akuzohet si e paqartë, e pa program…! Çudi! Kështu në faqen 14 të dosjes hetimore të gjyqit politik të Shkodrës, në hetimin që mban dëtën 10/12/1926, 72 vjeçari Pal Delia nga Vilza e Drishtit thotë se: “…kishte për qëllim (lëvizja-NL) me ra në Shkodër e me marrë qeverinë në dorëzim”. Edhe në një dokument tjetër pranohet nga vetë qeveritarët e krahinës dhe e Tiranës se: “Në numër jo i vogël (këtu bëhet fjalë për disa qindra – NL) njerëzish kanë ardhur me rrëzue qeverinë e krahinës e me mësy drejt rrëzimit të qeverisë Demokratike”. (F.N/646, D.N/l7,viti 1927).

Kështu duke e parë lëvizjen nga shumë aspekte, nuk del asgjëkund se “këtë lëvizje na e paskan drejtuar prifta e hoxhallarë, italianë apo jugosllavë, por vetë patriotët e mbarë Dukagjinit. Por të jemi realistë se nuk përjashtohet mundësia, siç e thamë edhe më lart, që në këtë lëvizje të kenë depërtuar edhe ndonjë klerik, apo ndonjë i arratisur që s’gëzonte respektin e popullit, ashtu siç mund të jenë futur edhe spiunët e qeverisë. Por kurrsesi ata nuk kanë qenë forca e lëvizjes dhe as nuk kanë pasur mundësinë t’i ndryshojnë qëllimin që i kishin vënë vetes patriotët e krahinës. Këta elementë që u futën në këtë lëvizje, që ishin të pakët, e dhanë efektin negativ. Kjo vetëkuptohet, do ta shohim edhe më poshtë. Por sidoqoftë roli i tyre, argumentet që sollëm më lart nga dokumentet e qeverisë  së Zogut, nga hetuesia e gjykata, nga dëshmitarët e gjallë të kësaj ngjarjeje, janë të padiskutueshme, për qëllimet e larta të lëvizjes dhe rolin negativ që luajtën spiunët e qeverisë në dëm të kryengritësve.

Por duhet nënvizuar edhe një fakt tjetër, që me sa duket u bë faktor përcaktues në përfundimin e kësaj lëvizjeje. Ose të fatit që pësoi. Në këtë lëvizje ishin futur edhe Dom Loro Caka dhe Dom Loro Shëntoja. Caka na paska mbajtur një korrespodencë të fshehur me Mustafa Krujën. Madje, atij, Krujës, i raportonte për çdo gjë, deri edhe për ditën e hollësi të tjera të Kryengritjes. Kështu, Kruja, siç thotë edhe ai vetë, Kol Bib Miraka, Mark Raka e të tjerë e ndiqnin hap pas hapi përgatitjen e lëvizjes. Se si ishte roli i tyre do t’i shohim më poshtë. Ndikimet e tyre negative kane qenë të shumta në këtë ngjarje.

Por le të kthehemi tek ai proces gjyqësor i gjatë e antipopullor. Gjyqi politik i Shkodrës, kundër patriotëve të Dukagjinit, filloi me 4 dhjetor të vitit 1926, rreth dhjetë ditë mbasi u shtyp lëvizja dhe zgjati mbi 80 ditë, me një tension pune të lartë e frikë të madhe. Por kjo ishte goditja e parë dhe më e fuqishmja ndaj kësaj lëvizjeje, sepse gjyqi kundër dukagjinasve, që morën pjesë apo u lidhën me këtë kryengritje, vazhdoi deri në fund të gushtit 1928. Gjyqi politik i Shkodrës përbëhej nga: Shefki Shatku kryetar, anëtar Gjush Deda, Xhavit Dibra, Shefqet Frashëri dhe Teodor Papamihali. Prkuror Fehmi Tepelena, sekretar Bejtulla Meça. Studimi i dokumenteve të cilat po i japim më poshtë, na len të kuptohet fare qartë egërsinë e këtij gjyqi gjakatar.

Që nga data 4.12.1926 e deri më datën 25.2.1927 gjyqit politik të Shkodrës iu vunë ne dispozicion nga MPB 552 dosje hetimore që kishin një shtrirje (njerëzit që gjykoheshin) në të nëntë bajrakët e Dukagjinit. Në këtë numër prej 552 vetë nuk futen edhe 40 vetë të tjerë që u dënuam në mungesë, sepse ishin të arratisur. Kështu numri i përgjithshëm që kaluan në atë proces gjyqësor,             gjatë asaj periudhe prej 82 ditësh pandërprerë i afrohet të 600-tëve, ekzakte 592. Nga këta u dënuan 401 vetë si me poshtë:  Me vdekje në litar 29 vetë, 15 ishin prezent e 14 të tjerë në mungesë. 12 vetë të tjerë me nga 101 vjet burgim, çka do të thoshte burgim i përjetshëm. Vetëm këta 12 vetë, sipas dënimit, u takonte të bënin 1212 vjet burg. Ndërsa pjesa tjetër u dënuan me afate të ndryshme deri në 25 vjet, që i takon rreth 6612 vjet burg së bashku. Midis të dënuarve gjendet edhe 16 vjeçari Vat Ismail Vata nga Thethi… Këto dënime dragoniane i përkasin vetëm periudhës në fjalë, sepse siç thamë edhe më lart, gjyqi vazhdonte deri në fundin e gushtit 1928… Por jo kaq masiv si më parë, por më tinëzar, më i pabesë, duke gënjyer dhe duke paguar para të shumta për t’i futur në dorë edhe ata që mundën të shpëtojnë nëpër male të arratisur.

Megjithë atë masakër çnjerëzore që bëri kundër kësaj krahine, A.Zogu, akoma nuk e kishte shfryrë tërë urrejtjen e tij. Por as frika akoma s’i kishte dalë. Vazhdimi i kësaj fushate represive të egër ishte edhe Dekreti që nxori atë vit ku thuhej: “…Ata që mbajnë armë ose formojnë banda …dënohen nga 15 deri me 101 vjet burg ose me vdekje …”.

Pra shtypja edhe pas përfundimit të këtij procesi gjyqësor, do të vinte e egër kundër të 40 vetëve të tjerë që ndodheshin të arratisur. Madje edhe kundër të gjithë atyre që i kishin strehuar dhe ushqyer kryengritësit, nga të cilët 14 prej tyre u dënuan me vdekje në litar, midis të cilëve, ndodhesh edhe Gjon Marashi, të cilin e kemi intervistuar më 1985, 59 vjet mbas kësaj lëvizjeje, me të cilin saktësuam shumë fakte. Për çudi kishte një saktësi e përputhje absolute midis thënieve të tij dhe të dhënave të dokumenteve arkivore. Me anën e spiunëve, Zogu, mundi që Gjon Marashin ta rrethonte në një shtëpi ku strehohej në fshatin Mollë të Shoshit, njëri nga organizatorët më të aftë të kësaj lëvizjeje. Kishte të ngjarë që kjo shtëpi e thjeshtë të kthehej si Kulla e Oso Kukës, por falë zgjuarsisë dhe trimërisë të Gjonit, ai doli, qëlloi xhandarët e Zogut, dhe ashtu me dy plagë në trup shpëtoi. Megjithatë edhe ai u shkaktoi dëme forcave të Zogut që me çdo kusht e kërkonin të gjallë. Nga plagët e trupit ai gati e pësoi. E megjithatë ndjekja ndaj tij si njëri nga organizatorët e asaj lëvizjeje, e shumë të tjerëve vazhdoi përsëri e egër nga qeveria.

Kjo ndjekje nuk vazhdoi vetëm kundër patriotëve, por edhe kundër të gjithë atyre që mundën të shpëtonin pa u zbuluar si pjesëmarrës apo simpatizntë të lëvizjes.

Këtë rast Zogu e shfrytëzoi edhe për një qëllim tjetër. Në të gjitha përpjekjet që bëri ai për t’i sjellë pas politikës së vetë, Dukagjini nuk u kompromentua. Bile as në kongresin e Bajraktarëve të qershorit në vitin 1925, as me premtimet që u bëri krerëve të kësaj krahine, nuk i bindi dot. Kjo argumentohet edhe nga fakti tjetër, sepse edhe bajraktarët e Shoshit e të Shalës u përfshinë në rreshtat e kryengritësve. Për këto dështime në Dukagjin e me kreret e vendit, Zogu, filloi hakmarrjen e turpshme të pabesë. Kështu në pabesi, ashtu si shumë të tjerë, ai pagoi njerëz dhe vrau bajraktarin e Shalës megjithë djalë në Mal të Zi ku ishte strehuar.

Ndërkohë që gjykata politike vazhdonte të jepte dënime kapitale, organet e dhunës në Tiranë, nuk nguruan për të filluar nga ekzekutimet e të dënuarve me vdekje, më parë se gjyqi të përfundonte, pa u dhënë mundësi të dënuarve të apelonin, sipas parimit fashist: “Dëno dhe ekzekuto”. Është e turpshme, e çuditshme dhe antihumane, që politikanë, gazeta e parti, e vlerësojnë këtë qeveri horrash e kriminelësh si “më demokratike”… Tek Fusha e Druve në Shkodër ishte caktuar vendi i atyre që do të vareshin në litar për të terrorizuar edhe popullin mbarë.

“…Vendi i dekës ishte Fusha e Druve … Aty ishte shtylla e dekës: Litari…”-  shkruante shtypi i kohës. Njerëzit që ishin prezent në ato varje në litar, kanë lënë të shkruara tregimet e tyre rrënqethëse: “… Edhe ne kishim frikë nga qetësia e tyre para vdekjes…Rroftë Shqipnija e shqiptarët e vërtetë…” ishin fjalët e fundit të tyre, shkruante shtypi i kohës për këtë masakër të A.Zogut. Çfarë dinjiteti! Ata vdisnin për Shqipërinë e lirë, pa shtypës e diktatorë: me akuzën absurde, gjoja kundër Shqipërisë! Ç’makabër bastardësh!

Duhej pra që me çdo kusht, një orë e më parë, të qëroheshin hesapet me kryengritësit, duke shkelur edhe ligjin që kishin nxjerrë po vetë, ekzekutimin pa të drejtë apeli, me ata burra trima e patriotë të kësaj krahine. Ndryshe kjo, zgjatja e ekzekutimeve, mund t’i sillte edhe telashe të reja qeverisë, sepse revolta e Dukagjinit dhe e tërë Veriut të Shqipërisë ishte shumë e madhe. Kështu në këtë tension pune plot me frikë, u ngarkua MPB të fillonte nga zbatimi i vendimeve me vdekje. Në këto rrethana, duke e njohur mirë pabesinë e qeverisë e të A. Zogut, duke parë agresivitetin e gjykimit të kësaj gjykate gjakatare, patriotët e burgosur, edhe pse në qelitë e errëta, e ndjenë rrezikun që i kërcënonte pa pritur të drejtën e apelimit të vendimit me vdekje. Kështu më datën 8 duke u gdhirë 9 shkurti i vitit 1927, të dënuarit me vdekje dhe me 101 vjet, midis tyre: Mark Milani, Martin Marashi. Babun Celi, Zef Delia, Sokol Marashi e të tjerë, thyen burgun e Shkodrës dhe u arratisën… Xhandarët e diktuan thyerjen e burgut nga një aksident                që u ndodhi trimave gjatë arratisjes, dhe ata u vunë në ndjekje të tyre. Kjo ndodhi nga fakti se njëri nga patriotët, duke u hedhur nga muri rrethues i burgut, u rrëzua e theu shtyllën kurrizore! Kjo solli vështirësi në tërheqjen e të sëmurit, sepse ishin të betuar, ose do të vdesim ose do të shpëtojmë të gjithë bashkë. (Për këtë ngjarje ka një këngë shumë të bukur, në libër do të jetë e plotë). Aksidenti i shokut u bë shkak, që ata u kapën përsëri…

Thyerja e burgut dhe arratisja e të dënuarve i solli telashe të reja gjykatës politike të Shkodrës dhe krejt qeverisë. Njëra nga këto ishte edhe fakti, ndryshe rreziku, se 40 veta nga kryengritësit që nuk ishin kapur akoma, ishin armiq te betuar të Zogut, që më tepër që jashtë burgut ishin edhe krerë të fuqishëm të lëvizjes. Kështu mundësia e një sulmi të ri mbi gjykatën e Shkodrës dhe vetë qeverinë, ishte një rrezik i mundshëm. Kështu dhe për këto arsye, i tërë aparati shtypës shtetëror kishte ardhur me urgjencë në Shkodër, ku megjithë burgjet e mëdha që kishte, siç del nga studimi i ngjarjeve, nuk po i bënin dot ballë. Nuk ishte shaka të arrestosh rreth 600 burra nga më trimat, nga më të zgjuarit dhe të masakrosh një krahinë, ç’ka do të thotë, t’i hapësh luftë një pjese jo të vogël të popullit tënd, ishte tepër e vështirë, e turpshme dhe tepër e rrezikshme për vete atë…

Kështu, ndërkohë me fillimin e ekzekutimeve, u morën edhe masa të tjera. Njëra nga ato ishte edhe transferimi i të burgosurve më të rrezikshëm dhe me dënime më të rënda, në burgjet e tjera. Më datën 4 gusht të vitit 1927 u transferuan 16 t burgosur politik të Shkodrës në burgun e Krujës, sepse, sipas MPB “është më i fortë e     sigurtë”. Midis të burgosurve ishin disa nga burrat më të dëgjuar të Dukagjinit si: Vuksan Leka, Pal Mëhilli, Prek Sokoli, Gjergj Pllumi, Çuk Kola, Mark Alia, Keqan Lulashi e të tjerë… Kështu, pra vazhdonin dënimet, torturat në qelitë e errta dhe dënimet me vdekje pa kurrfarë mëshire, në befasi e në pabesi të plotë. Pothuajse çdo muzg mbrëmjeje sillte   arrestime të reja dhe çdo mëngjes gjente të varur në litar njërin pas tjetrit burrat më të mirë e të dëgjuar të Dukagjinit. Ata shkonin drejt litarit pa ju trembur syri, pa ju ligështuar gjuri, me bindjen e plotë dhe të ndërgjegjshëm se po sakrifkoheshin për diçka të madhe që ja vlente dhe se do të vinte koha brezave të ardhshëm për ta vazhduar luftën që ata nuk e çuan dot deri në fund…

Duke i studiuar të gjitha rrethanat e përgatitjes, të fillimit, të arritjes disa fitoreve në ditët e para, dhe shtypjen e kësaj Kryengritje ja vlen të ndalemi edhe tek ndonjë dobësi të kësaj lëvizjeje. Këtë do të përpiqemi ta bëjmë në bazë të atyre dokumenteve të pakta që ekzistojnë, disa nga të cilat shumë tedencioze, dhe të dëshmitarëve, që tani pas kaq vitesh janë të pakët. Kuptohet se edhe kujtesa e tyre ka humbjen e vet. Fakti që unë kam filluar të grumbulloj materiale që prej vitit 1980, për këtë ngjarje, nuk kam asnjë vështirësi për të argumentuar gjithçka lidhet me Kryengritjen e Dukagjinit. Kjo mund të thuhet vetëm për mangësitë e lëvizjes sepse për qëllimin, organizimin e saj, siç doli edhe më lart, ka dokumente të bollshme. Ndër dobësitë e saj është zgjatja e periudhës së përgatitjes së kësaj lëvizjeje. Nga ana tjetër, nuk u ruajt fshehtësia e saj. Mosruajtja e sekretit, erdhi nga që: së pari dominoi dëshira për ta bërë lëvizje mbarë popullore. Kështu që në këtë hulli humbi sekreti dhe siç i thonë ra në veshin e të mirit e të ligut. Së dyti: dobësia erdhi edhe nga fakti se mungonte përvoja, dhe se vetë populli i Dukagjinit e ka në gjak besnikërinë. Kjo nënkupton që secili duhet ta vlerësonte këtë ngjarje si po përgatitej, si shumë të rëndësishme. Pra besniku e ka të vështirë ta besojnë se ka pabesi. Por ja që paska pabesi, madje edhe tradhti të çdo përmase e dëmesh të mëdha.

Në këtë lëvizje u pranuan njerëz të dyshimtë si frati i Dushmanit, e ndonjë tjetër, të cilët kur lëvizja u shtyp, Zogu i liroi nga burgu. Apo disa njerëz të tjerë që ishin arratisur dhe shëtitnin sa tek njëra palë sa tek tjetra, sepse siç del nga konkluzionet e mëvonshme, Zogu kishte mundur t’i fuste në gjirin e lëvizjes disa nga spiunët e vet. Raportet që i bënte frati i Dushmanit M. Krujës nga gjiri i kësaj lëvizjeje, dhe përpjekja e Krujës për ta sabotuar atë, janë bindëse për këtë që themi.

Përveç këtyre që themi si dobësi, pati edhe ndonjë problem që nuk u parashikua mirë nga krerët e Dukagjinit. Në bisedën që patën, dhe në lidhjen e besës, me krahun tjetër, Malësia e Madhe, për ta sulmuar në një kohë qeverinë, ata jo vetëm që nuk e mbajtën besën, por ajo që ishte më e keqe, më e turpshmja, në pabesi të plotë, njoftuan qeverinë e Zogut mbi çka po përgatitej e do të fillonte në Dukagjin. Përveç kësaj që u tradhtuan, edhe dukagjinasit nuk u treguan të kujdesshëm lidhur me masat e rrepta për bllokimin e telefonave, rrugëve e shtigjeve, para se kryengritja të shpërthente, në mënyrë që të bllokohej çdo komunikim e informacion i pushtetit të zonës me administratën civile e ushtarake të prefekturës së Shkodrës dhe qeverinë e Tiranës. Një dobësi tjetër ishte edhe mos organizimi i mirë i marshimit deri në Shkodër. Rruga Dukagjin-Shkodër ishte e gjatë dhe e vështirë, duhej bërë me shpejtësi dhe në befasi, pavarësisht nga ndeshjet e pengesat që mund t’u dilnin rrugës. Nga vendfillimi i lëvizjes deri në Shkodër është një itenerar i gjatë i cili përshkohet mesatarisht 12 deri 16 orë në këmbë. Kështu duhej menduar mirë, që kjo rrugë, e cila asokohe, ishte e detyruar të përshkohej në këmbë, sepse në atë kohë nuk kishte mjete që të mund të kalohej më shpejt, natën e ditën. Befasia e futjes në Shkodër do të qe një avantazh shumë i mirë në favor të kryengritësve. Dhe së fundi, në çastin që lëvizja u shtyp, pra kur u pa pamundësia e saj për të ecur përpara, duhej menduar e parashikuar që më parë nga organizatorët, mënyra e  tërheqjes për t’i shpëtuar ndëshkimit, pra shtypjes gjakatare të Pervizit e Bajraktarit. Pra siç del nga studimi i dokumenteve, organizimi i tërheqjes nuk u bë i shpejtë e i organizuar, ndonëse mundësitë ishin të mëdha, sepse Shkodra dhe e tërë zona e luftimeve ishin në çorganizim e panik nga që kryengritësit ndodheshin në prag të tyre dhe në një terren mjaft të përshtatshëm për t’i  shpëtuar ndëshkimit.

“…Por të jemi realistë, – thotë Gjon Marashi, -mjaft nga burrat që ranë në dorë të Zogut, u kapën se nuk më dëgjuan mua për të dalë kaçak në male, me që i kishim mundësitë për t’u larguar pa u dëmtuar aq shumë. Ne na deshte populli mbarë, na strehonte e na mbante sa ta duash…”. “…Disa nga ata, që u dënuan, rrinin në shtëpi sikur s’kishin ba kurgja dhe qeveria i mblodhi. Mue edhe të arratisur malit nuk më lanë rahat derisa më rrethuan në fshatin Mollë të Shoshit e më plagosën… Më vonë më kanë kallcue shokët se edhe mue më kishte dënuar Zogu me vdekje në litar, në mungesë, me gjithë vëllaun tim Mhillin…”.

Por pavarësisht nga të metat e saj: Edhe pse kryengritja  e Dukagjinit u shtyp me aq egërsi të madhe; edhe pse humbjet ishin mjaft të mëdha, edhe pse dhuna e Zogut ishte e gjatë në kohë dhe e pabesë; edhe pse ajo ishte antinjerëzore; edhe pse nuk dallonte fëmijë as të rritur, grua as burra, pleq as foshnja: Kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926, arriti pikën me kulmore në të gjitha lëvizjet e kësaj krahine deri atëherë; për të qenë të lirë, pa shtypës, pa shfrytëzues e pushtues. Në këtë lëvizje u dukën qartë të gjitha tiparet e dhe cilësitë më të larta e burrërore të krahinës.

Kryengritja tregoi se populli i Dukagjinit nuk e lëshon pushkën nga dora kundër të gjithë armiqve të brendshëm apo të jashtëm qofshin, edhe pse ishte fjala për qeveri, kur bëhet fjalë për lirinë, nderin, dinjitetin dhe jetën e lirë në hallet e veta. Nga ana tjetër tregoi se populli i kësaj treve din ta dallonte mirë atë forme lufte pakompromis, gjithmonë në interes të jetës së tij, të krahinës, të mbarë interesave e kombit. Këto edhe për faktin tjetër shumë kuptimplotë se: reflekset e kësaj Kryengritjeje, ishin edhe nga fakti se Zogu, kishte filluar, sa erdhi në pushtet, të bënte një politikë, me sa gjykohej atëherë e nga ata, të pandershëm e antikombëtarë.

Dukagjinin e kishte revoltuar sidomos ardhja e Zogut në pushtet me dhunë dhe përmbysja e qeverisë së Nolit, shtypja e egër ndaj ¬opozitës, vrasja e udhëheqësve dhe prijësve popullorë të kombit dhe ideali i të cilëve ishte për të bashkuar kombin dhe mëvetësuae atë.  Në këtë Kryengritje, vetë populli i Dukagjinit, veçmas ata prijës që mbetën pa u dënuar, fituan një përvojë shumë të madhe, të cilën do ta shfrytëzonin në vitet e ardhshme, në ndeshje e beteja të tjera për lirinë e vendit të larë shumë herë me gjakun e djemve më të mirë të tij. Kulmet e kësaj lufte do të arrinte në prillin e vitit 1941, kur Dukagjini i bëri pritë 20.000 forcave serbe e malazeze që deshën të na pushtonin dhe organizimi dhe pjesëmarrja në luftën e Madhe antifashiste nacionalçlirimtare ku Dukagjini ngriti të parin formacion luftarak në rrethin e Shkodrës me emrin “Çeta e Dukagjinit”, për të cilat do të flasim më vonë e gjerësisht në librin që po shkruaj.

Si përfundim, duke i analizuar të gjitha rrethanat, shkaqet, e kushtet me të cilat A. Zogu erdhi në pushtet, me gjithë aparatin e tij, nuk pritej gjë tjetër prej asaj vetëkrijese, përveç asaj që zbatoi. A.Zogu, ishte me pak fjalë, produkt i një dhune të  përgjakshme, ushtroi dhune e  terror sa qëndroi, dhe më në fund, u largua po nga një dhunë e fuqishme, të cilën  e la pas atë. Por tanimë jo monarki, por fashizëm…

niksar escort

Share This Article
1 Comment
  • Perse u ngriten dhe u vrane keta “Ilyre apo Epirote”?
    Per Serbine apo per Italine?
    Se une nuk lexova per ndonje Emer Ilyre si Kostantinos Perandori i Bizantit,Eleni e Ema, Pirro i Epirit dhe Emra te tjere Kombetare te Vorio Epirit.
    Ahmet Zogolli dhe mijera te tjere pervec se nuk kishin Identitet,Fene “e mire” apo e keqe Orthodhokse para Osmaneve te Bizantit,Ndergjegjen,Gluhen (Glosa) e Epiroteve por ne Emer te kesaj Feje te Pusht-uesve Islamike e degjeneruan popullin dhe historine mijera vjecare.
    Kete e shohim edhe sot me pranine e Tur-qise gjoja si “Mike”.
    Nuk e thone troc qe jemi turq.
    Dhe kjo eshte bere duke urryer dhe duke krijuar nje fryme Anti Greke per te justifikuar Tur-qine apo Italine.
    Topo-Onomat (toponimet) ne Gluhen Greke te Vorio Epirit u ndryshuan ne Emer te nje Shteti Islamike te vetequajture Skiptare.
    Ta gezoni Arnautistanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *