Rreth Kryengritjes së Dukagjinit të vitit 1926, – 95 vjet më parë.
Shkëputur nga libri që po përgatitet për shtyp
“… Me gjak e ke marrë, me gjak je tuj e mbajtë, e pa gjak s’ke me e lëshue…”.
(Nga një replikë e M. Frashërit me A.Zogun në Parlamentin e Shqipërisë më datën 23 prill 1923)
“… Ahmet Zogu s’ka mbështetje në popull…se qëndron në pushtet vetëm me fuqinë e armëve… (Nga një deklaratë e M.Krujës, “Liria Kombëtare” 15.12.1926
Ndoc Logu
Kryengritja e Dukagjinit filloi pasi vjeshta e vitit 1926 e kishte kapërcyer mesin e saj, ishte dhjetëditëshi i fundit. Më saktë, ishte 20 nëntori i atij viti. Ajo ishte një kryengritje e fuqishme popullore që drejtohej kundër qeverisë zogiste dhe regjimit shtypës e shfrytëzues, çiligaroborgjez të tij. Fillimi i kësaj Kryengritjeje do të thoshte se Shoshi, Shala dhe krejt Dukagjini po futeshin përsëri në rrugën e vet të luftës së vështirë, por mjaft heroike, siç ishin ato në fundin e dhjetëvjeçarit të parë e fillimin e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit që kaloi. Kjo ishte nga ana tjetër një hap drejt largimit nga jeta e mbyllur në vetminë e familjes e të halleve të veta.
Kuptohet, kjo Kryengritje, ishte një nisëm shumë e vështirë. Por, ndjenja patriotike e luftarake me interes të gjera atdhetare, ishin mbi të gjitha. Dhe problemi në këtë lëvizje nuk ishte vetëm i disave, i një grupi të vogël njerëzish, por ishte problem i mbarë Dukagjinit. Lidhur me këtë Kryengritje opinioni shqiptar ka pasur një informacion fare të pakët. Përndryshe edhe sa ka qenë, u dha keqdashës, i pasaktë e tepër i pakët, sa për të mos thënë qëllimkeq. Për këto arsye, do të sqaroj fillimisht këto keqinterpretime.
SHKAQET E KRYNGRITJES SE DUKAGJINIT
Duke i studiuar të gjitha materialet e kësaj lëvizjeje si dhe tërë jetën politiko-shoqërore të kësaj treve nga fillimi i shekullit kaluar e deri në prag të luftës së Dytë Botërore, çfarë disponon AQSH si dhe hulumtime në terren dhe me ish pjesëmarrësit në të, arrihet lehtë në përfundim se: Kryengritja e Dukagjinit e vitit 1926 nuk është aspak e vërtetë se është ndikim i diversionit jugosllav, gjoja për të shfrytëzuar pakënaqësinë e popullsisë katolike të Dukagjinit ndaj regjimit të Zogut … dhe e nxiti për të kërkuar privilegje”, siç thuhet në Historinë e Shqipërisë, vëllimi tretë, faqe 325 dhe se në “krye të kësaj lëvizjeje u vunë një prift e disa të arratisur”.
Është plotësisht e vërtetë se në këtë lëvizje morën pjesë edhe disa të arratisur, por pjesa më e madhe e tyre ishin patriotë, kundërshtarë të regjimit të Zogut. Por kurrsesi ata nuk ishin fuqia dominuese e kësaj lëvizjeje, aq më pak organizatorët e udhëheqësit e saj. Vendi i organizimit, i përgatitjes dhe i fillimit të saj ishte Dukagjini, ishin burrat më të mençur e trima, të cilët kishin kohë që mendonin e punonin. Por le t’ia lëmë fjalën njërit nga frymëzuesit, ndër më kryesorët dhe pjesëmarrësit në këtë lëvizje, shekullorit Gjon Marashi nga Brashta.
“… Më kujtohet, ka qenë fundvjeshtë e vitit 1926. Ardhja e Zogut në pushtet si kryeministër katër herë e pastaj president, na kishte idhnue boll, sepse sa erdhi në post (më 1925-1927) filloi të na dëmtonte shokët tanë më të mirë, burrat më të mençur e trima. Veçanërisht idhnue na kishte vrasja e Bajram Currit, Luigj Gurakuqit e patriotëve të tjerë, nga të cilët kishim marrë këshilla e porosi në shumë mbledhje e kuvende që kam pas rastin të jem edhe unë në to qysh prej ngjarjeve të vitit 1910, e prapë më 1915 në luftën e Qafës Agrit… Bile në verën e vitit 1922 qemë bashkue me Bajram Currin nja 300 a 400 burra në Theth për të pleqnue hallet tona dhe punët e lëvizjes pa ditur hala se e kush do të vinte në fuqi më vonë…”. (Kjo ka ndodhur më datën 17 gusht 1922 ku lexo¬jmë “… Bajram Curri me shokë e 300 veta gjendet në Theth të Shalës… Hysen Curri me 20 veta ndodhet në stan të Shuk Gjokës në malet e Thethit”.) AQSH FN/646 dosja N/67 viti 1922).
“… Në çdo dasëm e mort, në çdo mbledhje e kuvend, ky problem, problemi i qeverisë së Zogut, rrahej e pleqërohej më shumë se çdo gjë tjetër në tërë krahinën e Dukagjini, -tregon Gjon Marashi. – Kisha folë shumë herë me shokët e mi për t’ia nisë pushkën kësaj qeverie…Veçanërisht shpesh flisnim me Babun Calin, Vas Kirin, Mark Milanin, Martin Marashin,Mark Sadikun, Sokol Balën, Lush Prelën, Lulash Gjeloshin, Pal Mëhillin, Ndue Sadikun, Bash Dakën e shumë të tjerë dhe thonim: Duhet me ba diçka… Nuk durohet kjo shtypje.,. Tek secili dallohej vetëm një gja: ja dekë, ja me fitue…”.
Pra, siç del nga intervista e Gjon Marashit marrë në shtëpinë e tij në Brasht në Gushtin e vitit 1985, vërtetohet se vendlindja e kësaj lëvizjeje është vetë Shoshi, Shala, krejt Dukagjini…”. “…Se si u propagndua kjo kryengritje nga njeri apo tjetri, – thotë Gjoni, -ne pak na hynte në punë atë kohë. Ne menduam e u përpoqëm me luftue kundër të gjithë atyne që na pushtonin, na shtypnin, na vrisnin e na prisnin… Ne kurrë s’na ka shkuar ndërmend të luftojmë kundër muslimanëve pse ne ishim katolikë…”. Nga këto bindje, sipas motos “Liri, barazi e drejtësi në vendin e vet”, e ka burimin edhe lëvizja në fjalë.
Lidhur me të vërtetën e kësaj lëvizje që nuk u “projektue” as nga jugosllavët as nga italianët, por në truallin e Dukagjini po citojmë edhe disa dokumente. Ja si shkruhet në një letër e cila u drejtohet organizatorëve të kryengritjes nga një simpatizant i lëvizjes në fjalë, i cili ndodhej jashtë shtetit, sepse ndiqej nga qeveria e Zogut.
I dashur Babë…
…Me shka duket koha asht afrue për një lëvizje të realizimit qëllimeve tona. Duhet që të punoni me energji… që kur të vijë dita t’u gjejë të gatshëm tuj u përgatitë në mënyrë që të mos hetoheni në kurrnjë mënyrë se veprimet t’ueja mundtë bien në sy të qeverisë së Zogut e kështu mund të na gjenden befas e për pa ardhë dita mund të na dëmntohen qëllimet tona të përgjithshme…”.
Letra mban datën 26/3/1926 dhe më poshtë ajo vazhdon: “…duhet mbajtur shumë rezervat … mos me ja kallxue…(njerëzve) që ke me veti”. (Cituar nga origjinali i letrës që Prefektura e Shkodrës ja dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshsme në Tiranë më datën 4 Maj të vitit i 1926, e cila ruhet: (AQSH.F.N/646, D/67 viti 1926, dokumenti 80,81 e 82 i kësaj dosjeje).
Kjo letër që u kap nga konsullata Jugosllave e ju dërgua qeverisë, spiuni i së cilës u shpërblye me 100 fr. ari flet qartë se lëvizja në fjalë kishte kohë që përgatitej në zemër të Dukagjinit e jo në qoshet e errëta të spiunazhit jugosllav. Se po të ishte se këtë lëvizje po përgatiste agjentura jugosllave, nuk do t’ja dërgonte letrën qeverisë. Kjo letër ju drejtua njërit nga organizatorët e kësaj lëvizje Vas Kirit. Por siç del nga hetimi që i bëri qeveria këtyre njerëzve, letërshkruesi megjithëse i drejtohej me: “i dashur babë”, ai nuk kishte babë, dhe se as Vas Kiri nuk kishte djalë jashtë shtetit. Këtë na vërteton Gjon Marashi kur thotë: “Këto i bënim sepse parashikonim edhe të papritura, ashtu siç na ndodhi, duke i shkruar me kujdes adresat, vendet dhe qëllimin e lëvizjes që po përgatisnim…”. Ja edhe një dokument që dëshmon për masivitetin e lëvizjes së Dukagjinit:
“… U muar vesh dhe u vërtetue se aty nuk ishte çështja e një komiteti për 60 ose 70 vetash por ishte një Kryengritje e përgjithshme në të nëntë bajrakët e Dukagjinit…”. Dhe duke e parë shtrirjen dhe fuqinë e kësaj lëvizjeje aty thuhet: “…tuj pa se të gjitha shtigjet ishin mbyll, ashtu edh fuqia e vogël e demoralizueme … nuk kishim kurrfarë mjet qëndrese… u gjyku me e lirue udhën (kryengritjes-NL). Cituar nga raporti i nënprefektit të Dukagjinit Lin Deda, dërguar prefekturës Shkodër për këtë çështje. (AQSH,F.N/646.D67, viti 1926, dokumenti 135, 136, 137). Se ishte një lëvizje mbarëpopullore, e vendosur e me pikësynime te qarta del fare qartë nga sa u tha më sipër. Po le të citojmë edhe diçka tjetër. Duke parë se lëvizja, ishte mbarëpopullore dhe e papërballueshme nga qeveria e krahinës dhe ajo e Shkodrës, më poshtë në atë raport thuhet: “…Ju bëmë thirrje edhe vullnetarëve por ata nuk ju përgjigjën thirrjes…” (Po aty). Pra populli ishte me lëvizjen e kundër qeverisë.
Lidhur me lëvizjen që po përgatitej në Dukagjin gjejmë edhe një dokument tjetër ku lexojmë: “Nga informacionet që kemi, kemi të dhëna se ne qoftë se nuk fiton opozita, i tërë Dukagjini do të ngrihet në Kryengritje…”. Këtë pohim e vërteton edhe kënga popullore që u këndua në këtë ngjarje, e cila dëshmon për shpirtin luftarak e liridashës të Dukagjinit:
“Sa për vend e për liri,
Kam ra pre, kam bamun gjaqe,
Kam shkue jeten si bisha malit,
Zbath e çvesh edhe pa ngranë,
Por as Mbretit, por as Krajlit,
Tungjatjeta si kam thanë…”
Pra lëvizja po përgatitej që me kohë, ashtu siç del edhe nga sa u tha më lart, rrezikun e së cilës autoritetet e krahinës në Shkodër dhe ajo e Tiranës, kishte kohë që e kishte ndjerë dhe kohë pas kohe i raportonin qendrës rreth asaj që po përgatitej ne Dukagjin.
Nga sa u tha më lart, arrihet lehtë në përfundim se: gjithçka është thënie, e gjithçka është bërë për Kryengritjen e Dukagjinit deri më sot janë jashtë së vërtetës. Të jetuarit jashtë atyre ngjarjeve, praktikisht jashtë lëvizjes, nuk kuptohej nga asnjë individ e jo më familje në tërë Dukagjinin. Bile në të u përfshinë edhe gratë e fëmijët nën moshën 16 vjeç. Ndaj është tepër e rëndë për historianët tanë për të arritur në përfundime qesharake për këtë lëvizje. Të vërtetën për këto ngjarje e dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme edhe dokumentet e vetë qeverisë. Lidhur me këtë, ose për rrjedhojë, u burgosën me qindra njerëz, midis tyre u arrestuan edhe 9 gra e 6 fëmijë të mitur, çka ndodh shumë rrallë në historinë e ngjarjeve të tilla sado agresore të ishte qeveria. Si ortek bore që zbret nga bjeshkët vërshuan burrat nga Brashta, Toplana, Pepsumaj, Palaj, Dardha, Duzhmani, mbarë Shoshi e tërë Shala, nga Nikajt e Mërturi, Kiri, Plani, Prekali e deri në Pukë, ose më saktë, nga te nëntë bajrakët e Dukagjinit. Me mijëra kryengritës të rinj e të moshuar u bashkuan në bazë të atij plani të pleqëruar për një kohë të gjatë nga burrat më të mençur e trima të kohës si: Vas Kiri, Gjon Marashi, Babun Celi, Mark Milani, Mhill Mici, Zef Delia, Kolë Marku, Mark Sadiku, Lulash Gjeloshi, Lush Prela e shumë të tjerë.
Kryengritja e Dukagjinit e nëntorit të vitit 1926 ishte vazhdim i lëvizjeve të tjera në fundin e dhjetëvjeçarit të parë dhe fillimin e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit që kaloi, siç janë ato të viteve 1009, 1910 e më vonë më 1915 në Qafën e Agrit kundër ushtrisë turke e serbe që u përpoqën ta shtypnin popullin e Dukagjinit që tanimë njihen. Apo siç është qëndresa dhe lufta e madhe që ju bë pushtueseve malazesë në janarin e vitit 1916 ku për disa kohë u asgjësua edhe postkomanda e tyre nga Dukagjini.
PËRPJEKJET E AUTORITETEVE PËR TË PARANDALUAR SHPËRTHIMIN E SAJ
Të gjithë këto ndeshje me armiq secili më i egër, vetëkuptohet që e kishin lodhur Dukagjinin, e kishin vrarë, burgosur, djegur e plaçkitur. Por edhe pse humbjet ishin të mëdha morali i malësorëve në çdo kohë, ishte shumë i lartë dhe i pathyeshëm. Lufta, gjaku i derdhur dhe padrejtësitë, e kishin shtuar akoma më shumë revoltën mbarëpopullore. Nevojat për mbijetesë e kishin nxitur të gjente forma, rrugë e mundësi të reja organizimi e lufte kundër regjimit shtypës e shfrytëzues të Zogut. Kjo luftë e rezistencë popullore që sa vinte rritej në tërë Dukagjinin në ato vite, e shqetësoi edhe më shumë qeverinë e Zogut. Për të qetësuar disi problemet që po hapeshin, për të mashtruar opinionin e patriotët, Zogu në qershorin e vitit 1925 organizoi një kongres me bajraktarët e vendit që u quajt, “Kongresi i bajraktarëve”. Kuptohet qëllimi i tij ishte vetëm për të joshur ata që mund të joshte, për të mashtruar ata që mundej, dhe, kështu sipas tij, do ta kishte më të lehtë për t’i larë hesapet me kundërshtarët që do të mbeteshin. “Por patriotët nuk rënë ne ato kurthe që kishte ngritur Zogu kundër nesh”, – thotë Gjon Marashi. – Nga lufta kundër tij nuk hoqëm dorë…”.
Dukagjini kishte edhe një arsye tjetër për të mos ju bashkuar, ose për ta refuzuar prerë kërkesën e Zogut, atë të Kongresit të Baraktarëve të vitit 1925. Pra edhe më e madhe ishte arsyeja për të ngjeshur armët kundër tij më 1926. Ja pse: në vitin 1922 në cilësinë e kryeministrit në pabesi siç e kishte zakon për çdo çështje Ahmet Zogu, dërgoi xhandarin xhelat Mark Rakaj, për të çarmatosur, nënshtruar e poshtëruar malësitë e veriut të Shqipërisë, kryesisht Dukagjinin, me atë aksionin e “mbledhjeve të armëve”. Në rreth 4000 familje që u kontrolluan dhe u kërcënuan, xhelati i Zogollit, mblodhi 35000 armë dhe fishke të panumërt. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë që i bënte A. Zogu, së pari, sigurisë kombëtare, ku Dukagjini, ka qenë gjithmonë i kërcënuar, i sulmuar, i përgjakur nga fqinjët tanë serb e malazezë. Ky aksion, ishte i njëjtë, ose këtë veprim kishte kryer edhe daja i Zogut, Esad Pashë Toptan tradhtari, kur qe emëruar komandant i garnizonit në Shkodër 9 vjet më parë, i cili terrorizoi tërë Dukagjinin duke mbledhur me dhunë armët. Por edhe pse veproi kështu, as daja Esadi, as nipi Ahmeti, nga ankthi i frikës të armëve të Dukagjinit nuk do të çliroheshin kurrë, ashtu si serbët dhe malazeszët. Këto masa terrori, Zogu, i përdori tërë jetën për të ardhur e mbajtur pushtetin.
Nga ana tjetër, Zogu me heqjen nga përdorimi i Dukagjinit, i 35000 armëve, ju kishte vështirësuar edhe mundësinë e kundërshtimit nga ana e malësorëve, e atyre makinacioneve jo demokratike për të ardhur në pushtet, që në vitet e ardhshme, nuk do t’i mungonin Shqipërisë. Për ta kompensuar këtë humbje, të 35000 armët dhe municionin e mbledhur nga Zogu, malësorëve do t’u duhej kohë dhe shpenzime jo të pakta. Por ajo që ishte akoma më poshtëruese se sa dëmi armëve, për Dukagjinin, ishte nëpërkëmbja e krenarisë, e bajraktarëve, burrave, trimave e fiseve të dëgjuara e zëmëdha në dekada. Krenarinë, Dukagjinit, nuk kishte mundur, jo më t’ia cenonte sadopak asnjë sundimtar i Turqisë nder shekuj, as i ndonjë armiku tjetër nga do që mund të vinte. Ky aksion, i mbledhjes së armëve në Dukagjin, u shoqërua edhe me një propagandë jo të vogël për kohën e vet. Madje Ahmet Zogut, i dërgojnë edhe fotografi nga ky aksion, të cilin e quajtën edhe si poshtërim të krahinës.
Midis të tjerave, Zogut, i dërgojnë edhe një fotografi, ku bajraktari i Shalës që ishte fotografuar duke dorëzuar armët tek xhandarët e Zogut Mark Raka. Sot, në vitin 2021, nga ajo kohë, kanë kaluar 99 vjet dhe është shumë e vështirë të dihet e vërteta, se si dhe në ç’rrethana u gjend dhe u fotografua bajraktari i Shalës duke dorëzuar armët? Në vitin 1985, e kam pyetur Gjon Marashin që e kishte përjetuar atë situatë dhe më ka thënë: “ …Unë, pasi fsheha armët në një shpellë të sigurt u largova për pak kohë jashtë Shqipërisë. Kur jam kthyer, shokët më kanë kallëzuar se, baraktarin e kishte mërzitë mjaft kjo punë, veçanërisht fakti se, fotografin ja kishin çue Ahmet Zogut. Kjo mund të ketë qenë një kurth e pabesi e Mark Rakës- thotë Gjon Marashi. Unë nuk e ngava kurrë baraktarin për këtë punë. Por, di faktin se mirëkuptimi midis tij dhe Ahmet Zogut nuk u vu më kurrë…”
Mbledhja e armëve në këtë mënyrë, nga Zogu, në Dukagjin e në krahinat e tjera, veçanërisht në veri të vendit mund të kuptohet edhe si nënshtrim e poshtërim. Dhe kjo ishte tepër e rëndë për Dukagjinin dhe nuk mund ta duronin. Jeta dhe vetë ekzistenca e Dukagjinit, e çdo familje, e çdo mashkulli, mbi 15 vjeç, nuk mund të kuptohej pa pushkën në ballë të oxhakut e të mbushur, pa alltin në shokë ( brez), pa qemerin ngjeshur e fishekë. Arma për dukagjinasin ishte siguri, ishte krenari, ishte nder e jetë me dinjitet, ishte dhe liri. Edhe këngët e djepit në Dukagjin janë të lidhur me armët e trimat, me krenarinë e lirinë, me armët që janë pjesë e jetës së tyre. Që në moshë të vogël, fëmijët, në prehrin e babës njiheshin me armën, me mekanizmin e shkrepjes, me misterin e flakës dhe krismës që dilte nga ajo grykë e vogël. Kjo lidhje kaq e pandashme e dukagjinasve me armët, vinte nga historia shekullore për të qenë dhe mbetur të lirë dhe krenar në tokën ku kishin lindur, me tërë zakonet, me traditat e mira, me nderin dhe fenë që kishin zgjedhur vet, vlera këto të pa prekshme nga ndonjë i huaj a shqiptar qoftë edhe mbret. Për këto dhe të tjera arsye, Dukagjini, u ngrit në kryengritje kundër atij satrapi më 1926.
RRETH DISA PIKËPAMJEVE PËR KRYENGITJEN E DUKAGJINIT
Por edhe pse ka fakte historike, dokumente arkivore dhe deklarata të atyre që u përflakën me barutin e asaj beteje, vazhdimisht është keqinterpretuar kjo ngjarje historike e luftës së popullit, madje nga më të rëndësishmet në trevën Veri-Lindore të vendit. Paskal Milo në librin e tij “Shqipëria dhe Jugosllavia” në gati 500 faqe të disa viteve më parë, kësaj ngjarjeje i kushton fare pak vend, në të cilin vetëm sa na paraqet edhe ky po ato variante të thëna nga të tjerët, shkarazi e me pavërtetësi, megjithëse ky justifikohet kur thotë se unë kam për qëllim. “faktorët e jashtëm”. As P. Milo, as M. Belegu nuk duhet që ta trajtonin kaq shkarazi këtë çështje. Nuk mund të thuhet, se “…Në vitin 1926 në Shqipëri nuk ekzistonte një 1ëvizje e organizuar opozitare ndaj Zogut”, kur dihet se në më pak se dy vjet më parë Zogu kishte marrë pushtetin me dhunë dhe se tërë ata kundërshtarë që largoi me dhunë nga qeveria, ose siç u emëruan më vonë, Fanolistët, nuk u shuajtën si vesa para diellit. Opozita fanoliste vazhdoi jetën brenda e jashtë vendit, veç e veç dhe të organizuar. Ata punuan e vepruan me ato mundësi që kishin, në ato kushte që ishin, me ato forca që dispononin dhe se nuk është aspak e vërtetë se vepruan thjeshtë “si armiq personalë të Zogut”.
Dëshminë e ekzistencës dhe veprimtarisë së opozitës ndaj regjimit të Zogut e gjejmë të pohuar thuajse në tërë dokumentet e veprimtarisë së qeverisë, ku midis të tjerave theksohet: “Në qoftë se nuk fiton opozita i tërë Dukagjini do të ngrihet në kryengritje…”. (Është fjala për zgjedhjet e pranverës së vitit 1925). Dihet se tashmë, opozita më e fuqishme ndaj regjimit të Zogut ishin fanolistët, që në Dukagjin ishin dominues. Akoma më tej. Në një material që mban firmën e ministrit Maliq Dibra me titull: “Mbi gjendjen në Dukagjin” thuhet: … Në Dukagjin po duken shenja kryengritjeje… dhe për këtë shkak… propozoj sa më shpejt e medoemos tue bëhet një operacion në ato vise që të jetë shembull edhe për të tjerët e me i pre guximin opozitës që gjithnjë po përpiqet me qit ngatërresa nga shkaku se ka humbë shpresën e fitimit të zgjedhjeve”. Dhe më poshtë urdhëron: “… Të merren masa për të qenë gati me zhdukë një kryengritje të tillë…”.
Nga ana tjetër, nuk e di se ku i shikon P.Milo “ngjyrat fetare e synimet separatiste”, kur dihet se në këtë lëvizje u përfshinë edhe zona të tëra muslimane, ose të, përziera si Puka, Drishti e Mesi. Ndërsa seperatizmi as që mund të mendohet, po të kemi të qartë qëllimin e lëvizjes “Hyrjen në Shkodër, marrjen e qeverisë në dorëzim dhe marshimin drejt Tiranës” për të realizuar edhe atje të njëjtin veprim, siç thuhet në programin e tyre. Në këtë lëvizje do të përfshiheshin masa të mëdha të popullatës, shtresa e besime të ndryshme, siç do ta shohim më poshtë. Kuptohet dhe justifikohet se Milo është marrë kryesisht me “faktorët e jashtëm” të kësaj ngjarjeje. Por të na falin Milo e Belegu se faktorët e brendshëm më ata të jashtëm nuk mund të ndahen me thikë, për më tepër në atë zonë. Autorët e sipërshënuar duke u dhënë prioritet faktorëve të jashtëm, e duke nënvlerësuar pothuaj se tërësisht faktorët e brendshëm, që janë themeli i tërë ngjarjes, dashur pa dashur kanë bërë një interpretim të njëanshëm të asaj ngjarjeje politike, sociale, ekonomike etj., madje jo me vërtetësinë e nevojshme dhe objektivitetin historik të domosdoshëm. Bile këtu nuk kemi thjeshtë nënvleftësim, kemi qartas një keqinterpretim të qëllimshëm në mënyrë të pandershme, duke na i paraqitur si të vërteta edhe ato që s’kanë bazë reale. Milo thotë se në këtë lëvizje u përfshi edhe Malësia e Madhe. Kjo nuk është e vërtetë. Puna qëndron krejt ndryshe. Krerët e lëvizjes së Dukagjinit u futën në lidhje me Malësinë e Madhe. U pleqëruan punët dhe u ra dakord që kryengritja të bëhet e përbashkët. Por Malësi e Madhe e tradhtoi Dukagjinin më mënyrë të pandershme dhe kur u përgatit lëvizja ata dërguan spiunët pranë qeverisë dhe raportuan përçka dinin për Kryengritjen e Dukagjinit që po përgatitej të fillonte.
Raporti që i bëri Musa Juka, Zogut, sipas të cilit se “nga Hoti janë nisur forcat”, është falso. Ai e bëri këtë për të forcuar besimin e nga ana tjetër për t’u justifikuar për çka po ndodhte. Duke paraqitur edhe variantin e ndërhyrjes jugosllave, do të ndihmonte për acarimin e këtyre marrëdhënieve duke i justifikuar këtë acarim, sepse dihet që Juka ishte proitalian. Kryengritja e Dukagjinit e nëntorit 1926 koincidonte edhe me një moment tepër kritik për qeverinë e A. Zogut. Sapo ishte firmosur midis dy shtetesh, Italisë dhe Shqipërisë traktati dy palësh – ose siç u quajt – Traktati i Parë i Tiranës, i cili i garantonte Zogut sundimin mbi Shqipërinë, ndryshe “Pozitën politike”. Kështu përmbysja tamam në çastin kur Zogu sapo kishte siguruar aleatët edhe pse me shumë dëme e poshtërime ndaj vendit, nuk do t’ja falte vetes. Në këto kushte erdhën në ndihmë pikërisht spiunët nga Malësia e Madhe, miqtë e M. Jukës, që spiunuan Kryengritjen e Dukagjinit. Se po to ishte ndryshe sa themi ne, Zogu as ata nuk do t’i kursente. Përkundrazi. Nga Malësia e Madhe nuk kemi asnjë to arrestuar, as të dënuar, e jo më të dënuar me vdekje. E kundërta të gjithë të dënuarit, rreth 600 vetë, siç do të shohim më poshtë, ishin kryesisht nga Dukagjini, nga të nëntë bajrakët e tij.
- Milo në interpretimin e shpjegimin e shkaqeve dhe karakterit të kësaj lëvizjeje eci në rrugën e M. Belegut, i cili më 1971 në një material prej 24 faqesh vërtitet sa andej-këndej, herë mbron influencën jugosllave, herë atë italiane, që të dyja i pranon, që të dyja i kundërshton; megjithëse duket se ka shfrytëzuar mjaft materiale arkivore, por jo trevën e Dukagjinit e dëshmitarët e ngjarjes. Nga një anë citon dokumentet e italianëve, si ato të Aloisit i cili thotë se: “… nuk rezulton asnjë indikacion i dobishëm dhe i saktë përsa i përket pjesëmarrjes jugosllave…”. Nga ana tjetër, Belegu, e pranon se këta të fundit e organizuan. Pra qoftë Milo, qoftë Belegu, gjithsesi influencat dhe organizimin e kësaj Kryengritjeje e kërkojnë jashtë, tek të huajt, duke mohuar kushtet historike, shoqërore, politike dhe ekonomike të trevës së Dukagjinit. Duke vepruar kështu, që të dy mohuan rolin dhe veprimtarinë e asaj krahine, sakrificat e gjakun e derdhur, luftën e përpjekjet e tyre për liri dhe duke na i paraqitur krerët e luftëtarët e kësaj krahine sikur ishin vegla në duart e të tjerëve, si “mish për top”, siç i thonë.
Është për të vënë në dukje se si këta dy autorë, tashmë të mirënjohur, edhe të tjerë para tyre, i mohojnë katarciprisht faktorët e brendshëm, mohojnë rolin e përpjekjet e patriotëve të Dukagjinit duke ua atribuar të gjitha këto disa priftave dhe një grupi të arratisurish. Bile M. Belegu e banalizon tepër këtë lëvizje kur thotë: “…Ajo që në fillim e humbi karakterin kombëtar, demokratik e përparimtar…” dhe i cilëson kryengritësit si “… një grup aventurierësh i cili nuk kishte asnjë program të qarët…”.
Pavarësisht një gjë mund të thuhet hapur e me të madhe: Shqipëria, shqiptarët dhe çështjet e tyre, si para dhe pas lëvizjes së Dukagjinit, edhe sot e kësaj dite, kanë qenë të ndikuar nga faktorët e jashtëm, nga politikat e rrethanat, nga ndërhyrjet e kundërshtimet, dhe në çdo rast, ne na kanë atribuar të këqijat duke u përpjekur të na zhveshin nga meritat historike, duke na ngarkuar përgjegjësitë, edhe pse ato i kishin të tjerët. Nga këto nuk mund të shpëtonte, në ato vite, as kryengritja e Dukagjinit. Por gjithsesi, ajo pati jehonën, rëndësinë dhe meritat e veta, ashtu siç pati edhe mangësitë e veta, siç do t’i shohim më poshtë.
Gjithsesi nuk mund të përjashtohet ndikimi dhe roli i faktorit të jashtëm dhe pjesëmarrja direkte e tij në çdo fazë të përgatitjes, të organizimit dhe zhvillimit të kryengritjes së Dukagjnit, për më tepër në ato vite kur Ahmet Zogu kishte dalë hapur me politikën e animit dhe afrimit me Italinë duke braktisur aleaten që e solli në pushtet më 1924, Jugosllavinë. Ne pranojmë dhe nuk e mohojmë një farë ndikimi dhe roli të faktorit të jashtëm në atë ngjarje, por nuk mund të jemi kurrsesi dakord me pikëpamjen që i atribuon gjithçka faktorit të jashtëm dhe se vetëm ai ishte vendimtari për ideimin, organizimin, shpërthimin e zhvillimin e Kryengritjes së Dukagjinit. Rrjedhimisht ky vështrim i njëanshëm nuk merr parasysh, madje mohon rolin e faktorit të brendshëm të cilit, për mendimin tonë, dhe siç po përpiqemi ta provojmë e argumentojmë me fakte e dokumente, ishte vendimtar në tërë ecurinë e fazave të zhvillimit të asaj ngjarjeje të madhe historiko-politike.
Fundi i pjesës së parë

Ate qe i beri enver hoxha,memet shehu,toger baba.,,Malsise,,Dukagjinit,Kelmendit,mirdites,,nuk ja ka bere as Zogu,as Turku.
Zogu u mblodhi armet,Turku i dajakosi,Enver Hoxha i vrau,i carmatosi,i dajakosi,i perdhunosi,i internosi,I PABUKSI dhe per 50 vjet i vuri :Te kerceje prifti nga belaja/i miri nga MASKARAJA.
Te kendoje malsori i torturuar,i vrare,i perdhunuar:
Gzim ma t`madh s`ka pa MbiShkodra
ka ardhe shoku Enver Hoxha.
kuje,medet!
Ka ardhe Murtati ne voter!
Ai dAja jot Gjon Marashi nga xhandar i Zogut,u be rreshter me grada i komunisteve,,Si pun e Bejto Fasllise e Mark Dodanit ju sherbyen terroristave te Toskerise,per te nenshtru Malsine.
Ai dAja jot Gjon Marashi nga xhandar i Zogut,u be rreshter me grada i komunisteve,,Si pun e Bejto Fasllise e Mark Dodanit ju sherbyen terroristave te Toskerise,per te nenshtru Malsine.
Ne 1985 te ka thene daja ato qe thuheshin ne 1985,or ndoc logu.Te tjerat qe nuk thuheshin ne 1985,nuk t`i ka thene.
Zogu ndertoi nje shtet nga hici.
Pamvaresisht se e shpalli veten mbret,,ndertoi nje Demokraci borgjeze perendimore,,krijoi nje Inteligjence te shkolluar ne Perendim,,Ndertoi nje Tirane,qe edhe sot ate qender qe ndertoi Zogu,nuk po e arrijne dot as parafabrikatet e enver hoxhes,as karabinate e edvin rames.Ndertoi nje rrjet rrugor per 80 vjet,,Aq i kishte mundesite.Edhe aq beri shume.Nuk ndertoi Kombinate metalurgjike,oxhaqet gjer ne re,qe i rrafshoi te gjitha nje cope malok.
Demo zogisti, ballisti, fashisti,etj., që ke komentuar tre herë nga vrerri që mban. Se si ka qenë « parajsa » zogiste, shiko fotografitë, që të huajt kanë bërë para luftës së Dytë Bitërore, po kështu lexo Migjenin. Thua se kaq i kishte mundësitë! Ato pak ndërtime që bëri, i bëri me paratë e italisë fashiste, duke shitur Shqipërinë. Mori floririn e Shtetit dhe ja mbathi, duke lënë popullin pa mbrojtje. Tani Zogu, që fluturoi si zogu, ka shtatore si asnjë tjetër dhe bajga si puna e jote, vazhdon dhe hedh broçkulla, që të rinjtë që nuk e dinë historinë, të kujtojnë se vërtet ajo shtatore përfaqson « patriotin », « trimin », « njeriun e dashur për popullin », etj. , kur në të vërtetë është e kundërta, që Zogu vrau patriotët më të mëdhej të asaj kohe, si Bajram Currin, Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, etj. Por, populli nuk haron, dhe do të vijë koha, që mbasi të jeni zhdukur fara e juaj, gjërat të vihen përsëri në vëndin e duhur. Historia nuk mund të bëhet me gënjeshtra.
Zogu vendosi lidhjet e krahinave kryeneçe me të tjerat dhe armët si mblodhi të gjitha se ju duheshin si zona në periferi me sllavët. As krenarin historike nuk jua shkatrroi por u përpoq si Napoleoni ti civilizonte dalngadal me shtetin, pasi ata ishin shtylla e shqiptarizmës.
xxxxx
Përmbysi toska të parët e vet,
Shpejt e shpejt bani ushtri,
Terrorizëm e ukubet,
Me forcë t’armëve bani n’veri?
xxxxx
N’njanën anë toska, n’tjetrën Serbia,
U gjetë veriu pa rrugë e shteg,
Kështu u zu në çark Gegnia,
Shpirti krenar u shkri e tret.
vazhdon
Ndoc Logu, pershendetje per shkrimin objektiv. Megjithate, nuk jane vetem Paskal Milo e Mentar Belegu qe kane shkruar per Kryengritjen e Dukagjinit. Nje liber eshte botuar ne vitin 2008, tjetri ne 2020.
Ndoc Logu LLOMHANE DUKAGJINIT,
NJERIU I RI VEPRA ME E SHKELQYER E PARTISE.
Mos kerkoni qe edhe Sali Berisha te beje keshtu?