Prokuroria ka heshtur për këtë dosje. Kryeprokurori i ri ka këtu një rast të mirë për të treguar se fjalët për ndëshkim në nivele të larta të politikës nuk i ka vetëm për konsum mediatik 24 orësh.
Në vitin 2010 Nazim Berisha një biznesmen kosovar me banim në Zvicër depozitoi në prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj Shpëtim Idrizit, kallëzimi u botua dje te DITA i plotë. Bashkëngjitur kallëzimit biznesmeni dorëzoi për hetuesit edhe një dosje me dhjetra komunikime, akte e dokumente të tjera deri dhe letra kërcënuese që lidheshin me marrëdhënien e tij të turbullt disavjeçare të biznesit dhe ortakërisë me Shpëtim Idrizin. Fillimisht prokuroria nisi hetimin, por rreth një vit më vonë ky hetim u mbyll. Dosa dëshmon që biznesmeni kosovar Nazim Berisha ka qenë vazhdimisht i kërcënuar dhe nën presion. Ai i ka dërguar madje hetuesit edhe një letër ku i bënte me dije tërheqjen e tij nga kallëzimi penal që kishte bërë në vitin 2010. Në kuptim të një procedimi penal kjo është NUL, pasi akuzat e bëra nga Nazim Berisha drejt Idrizit janë për veprën penale të mashtrimit, vjedhjes e kërcënimit, ndaj dhe pushimi i këtyre çështjeve nuk është çështje “dëshire e palëve” por është detyrë funksionale e Prokurorisë të zbardhë të vërtetën. Ka me qindra precedentë vetëm në institucionin e prokurorisë së Tiranës kur pas kallëzimeve penale tentativa e kallëzuesit për të tërhequr padinë është refuzuar me këmbëngulje nga prokurori, madje shumë nga kallëzuesit që kanë paralajmëruar tërheqjen e tyre shpesh janë bërë të akuzuar të prokurorisë dhe janë akuzuar për “dëshmi të rreme”. Sigurisht që në rastin konkret prokuroria shqiptare nuk ka shkuar aq larg. Nuk është punë e lehtë të hetosh e ti shkosh deri në fund një dosje me dokumente dhe prova të forta të abuzimit, mashtrimit dhe kërcënimit, kur i dyshuari kryesor është një politikan shqiptar, e për më tepër drejtues i një partie dhe një ish-administrator i doganave shqiptare.
Edhe në rastin e dosjes “Idrizi” prokuroria është sjellë njësoj siç ka bërë në të gjitha rastet e tjera kur objekt i punës së prokurorëve ka qenë pushteti politik, që shpesh herë përkufizohet si pushtet Absolut. Përtej kontekstit se si u trajtua apo u sfumua kjo dosje, përtej propabilitetit të lartë që kjo dosje të marrë rrugën drejt hiçit të simotrave të saja që kanë për objekt politikanët, një fakt vlen për tu përmendur: Kjo dosje, ky procedim, do të jetë gjithnjë në prokurori. Është një gjurmë jo e vogël, së cilës çdo prokuror i përgjegjshëm do i jepte valencën që i takonte. Pak a shumë si puna e një virusi që vetëm sa zmbrapset pakëz nga shiringat por që gjithnjë mbetet po aty. Kjo nuk është diçka e vogël. Prokurori i ri Adriatik Llalla ka premtuar se luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do ta zhvillojë në nivele të larta të politikës. Ka këtu një rast të mirë për të treguar se fjalët nuk i ka vetëm për konsum mediatik 24 orësh.