Komisioni i Ligjeve ka kaluar vetëm me votat e anëtarëve të Partisë Demokratike dekretin e presidentit Nishani për emërimin e prokurorit të Përgjithshëm. Anëtarët e opozitës e kanë cilësuar si antikushtetues dekretin e presidentit, duke abstenuar ndaj kandidaturës së Llallës.
Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, i dekretuari nga presidenti për postin e kryeprokurorit, Adriatik Llalla, është shprehur se prioritet i Prokurorisë së Përgjithshme duhet të jetë lufta ndaj fenomeneve antiligjore nën akuzë dhe rikthimi i besimit të qytetarëve tek ky institucion.
“Prioritet do të jetë lufta e fenomeneve antiligjore nën akuzë, bashkëpunimi dhe transparenca me qytetarët, në mënyrë që të rikthehet besimi te institucioni i akuzës. Nuk duhet të presim të na e japin pavarësinë, atë na e jep vetëm puna, nëse nuk bëjmë akt me krimin”, tha Llalla.
Komisioni i Ligjeve shqyrtoi sot dekretin e presidentit Nishani për emërimin e Adriatik Llallës në postin e prokurorit të Përgjithshëm.
Dy ditë më parë, opozita bëri të ditur se do të abstenojë gjatë votimit të emrit të Llallës në Kuvend. E majta e mori këtë vendim për shkak të mosdakordësisë me procedurat e shkarkimit të Ina Ramës, duke theksuar se qëndrimi nuk ka të bëjë aspak me emrin e kandidatit.
Pas kalimit në Komisionin e Ligjeve, kandidatura e Llallës pritet të hidhet për votim në Kuvend.