Z.Llalla, i dekretuar dje nga Presidenti Nishani në postin e Prokurorit të Përgjithshëm është zyrtari që ka mbuluar skandalin e deklarimeve të rreme të z.Basha mbi pasurinë.
Gjatë muajve mars dhe prill të 2011-s, isha pjes e një grupi investigues ku bënin pjesë disa kolegë të gazetës Shekulli si dhe dy të huaj: reporterja Annette van den Berg dhe foto-reporteri Gerben Solleveld nga Amsterdami.
Zbuluam të dhëna të shumta për Lulzim Bashën që vinte nga një jetë krejt e errët përpara hyrjes së menjëhershme në politikë.
Snob në marrëdhëniet me kolegët shqiptarë në Kosovë, gënjeshtar për pjesëmarrjen në hetimet e së ashtuquajturës “shtëpi” e trafikut të organeve në Kukës, person me 6 apo 7 pasaporta të njëhershme, njëra prej të cilave me shtyrje të falsifikuar dhe një tjetër me një kombësi të pashpjegueshme amerikane; pikëpyetje të mëdha mbi pasurinë, konkretisht shifra të larta e të pajustifikuara me asnjë aktivitet publik apo privat, etj
Po përqëndrohem vetëm në njërin nga faktet e zbuluara në atë investigim, sepse ky është ai segment i hetimit që ka të bëjë me përgjegjësitë e z.Llalla, të cilin Shqipëria do ta ketë kryeprokuror.
Zbuluam me ndihmën e kolegëve holandezë kontratën e blerjes së shtëpisë së Bashës në Utrecht në 2001-n dhe kontratën e shitjes së saj në 2008-n, nga Zyra e Kadastrës se qytetit Utrecht, Holandë.
Krahasimi i dy kontratave holandeze me deklaratat e pasurisë së ministrit zbulonte deklarime të rreme të pasurisë.
Deklarimi i rremë nr 1 – Shtëpia nuk ishte blerë aq sa ishte shkruar nga Basha në deklaratën e pasurisë në tetor 2005.
Deklarimi i rremë nr 2 – Shtëpia ishte shitur në prill 2008, por Basha e kishte deklaruar të shitur në deklaratën e pasurisë për 2007-n. (kontrata nga Zyra Kadastrale e qytetit Utrecht mban datën 4 prill 2008).
Pra shtëpia është shitur në prill 2008 dhe paratë janë arkëtuar vetëm në atë kohë. Pra, paratë nuk kanë ekzistuar në 2007. Ministri Basha ka udhëtuar, pra është larguar nga Rinasi në datë 1 prill 2008, me kompaninë LUFTHANSA-000001, në orën 12:04, me një nga pasaportat e tij (atë me numër D0001313-AL) dhe është kthyer në Rinas në datë 5 prill 2008, në orën 23:04, po përmes kompanisë LUFTHANSA, me të njëtën pasaportë.
Kontrata e shitjes së shtëpisë në Holandë është e datave 2-3 prill 2008 dhe nr i pasaportës të shënuar në akt është i njëjtë me numrin e pasaportës me të cilin ka udhëtuar ministri.
Ngritëm pyetjet publike: Si është e mundur që z. Basha e ka deklaruar shitjen e shtëpisë dhe vlerën e shitjes, kur ajo ende nuk ishte shitur? Dhe përse transaksioni i dyshimtë rezulton i kryer pikërisht në muajt e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës?
Këtë pyetje dhe dokumentat përkatës i vumë në dispozicion të publikut në prill të 2011-s.
ILDKP duhej të reagonte për shkeljen flagrante të ligjit mbi deklarimin e pasurisë, në deklaratën e Bashës për lëvizjet financiare të 2007-s. Çfarë bëri ILDKP e drejtuar nga z.Llalla? Fillimisht mbi dosjen e deklarimit të pasurisë së Lulzim Bashës u imponua heshtja. Fraza “dosja është nën verifikim” u përdor për t’i mohuar të drejtën e informimit kujtdo që donte të dinte më shumë për pasurinë e Lulzim Bashës.
Më pas, si rrufe në qiell të kaltër erdhi një deklaratë e firmosur nga ILDKP, ku thuhej se deklarimi i pasurisë i Lulzim Bashës ishte i rregullt.
Dy gjëra më kujtohen nga dita kur doli deklarata. E para, ajo u transmetuar thuajse njëherazi në mediat qeveritare Klan, ABC, gazeta 55, etj madje rreth gjysëm ore përpara se të mbërrinte zyrtarisht nëpër redaksitë e mediave. Dukej e porositur dhe e mezipritur, madje me gjasa edhe e parakontrolluar nga vetë Basha.
E dyta, deklarata e Llallës kryente veprime pa logjikë nga ana financiare për të justifikuar shkeljet në deklaratën e pasurisë. Kur e mora në telefon një nga zyrtarët e medias në këtë institucion dhe i thashë që keni bërë mbledhjen aritmetike gabim në deklaratë, nga ana tjetër e telefonit më erdhi një “kështu e kanë këto punë”.
Prej asaj dite vetë Basha dhe mediat që botonin fotot e fushatës së tij përditë në faqet e para, nuk bënin gjë tjetër veçse citonin atë shkresë të ILDKP-së së Llallës.
U lidhëm me parardhësen e tij, ish-kryetaren e ILDKP, Fatmira Laska, e cila tha:
“Katër vjet më parë ne kemi qenë në Holandë. Me këtë rruge kemi bërë edhe verifikimet për disa persona, mes tyre është Lulzim Basha. Unë kam zhvilluar takim me homologun, ndërsa dy inspektorët kanë kryer verifikimet në terren dhe në banka. Gjithçka ndodhet në një raport të plotë që është në institucion. Unë nuk mund të flas më shumë, duhet të kërkoni dosjen në Inspektorat dhe aty ndodhet gjithçka për subjektin që ju jeni të interesuar…”
Ky është z.Llalla për atë grup gazetarësh hetues të pranverës së 2011-s. Nuk di për të tjerët.
A mund të hetojë z.Llalla Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për vrasjet e 21 janarit nga pozicioni i kryeprokurorit? Nuk e besoj.
Edhe për një mandat tjetër të gjatë – qytetarët shqiptarë do kenë një prokurori inaktive përballë hajdutërisë së dhunshme politike që e ka zënë për gryke Shqipërinë. Qofsha i gabuar.
******
Legjislacioni për Deklarimin e Pasurive
Ligji nr. 9049, dt. 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike”
Neni 38: Deklarimi i rremë: Deklaratat dhe të gjitha dokumentet që i shoqërojnë ato janë dokumente zyrtare. Paraqitja në to e të dhënave të rreme përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 257/a, paragrafi i dyte i Kodit Penal: Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
******
Letra që iu drejtua Presidentit të Republikës pasi ILKDP mbuloi deklarimet e rreme të Bashës
I nderuar zoti President!
Po ju drejtohemi me këtë letër që të përdorni influencën tuaj ndaj Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për të informuar publikun lidhur me deklarimet e gënjeshtërta të bëra nga shtetasi Lulzim Basha në deklarimet e tij të pasurisë gjatë viteve 2005-2008.
Ditën e hënë, datë 25 prill 2011, jemi njohur me një shkresë të ILDKP (Njoftim për media) lidhur me për të dhënat e publikuara gjatë ditëve të fundit në gazetën “Shekulli”, që kanë të bëjnë me dokumentet e përdorura në akte noteriale të shitblerjes së pronësive në vlerë të madhe nga ish-Ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti, z. Lulzim Basha.
Ne mendojmë se Ju si propozues për emërimin e zotit Adriatik Llalla në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), jeni përgjegjës që të garantoni se ky institucion është në krah të publikut për të kontrolluar pasuritë e njerëzve që mund të abuzojnë me pushtetin. Ne mendojmë se është në detyrimin tuaj ndaj publikut shqiptar që të mos lejoni që ky institucion të përdoret nga politikanë të ndryshëm për të fshehur pasuri të vëna në mënyra të paligjshme.
Për ketë qëllim, ju ftojmë të vlerësoni vetë njoftimin për media të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), një njoftim me gabime aritmetikore dhe në kundërshtim me deklaratat e vetë subjektit Lulzim Basha, si në deklaratën e datës 25.10.2005 ashtu edhe në deklaratën e datës 26 prill 2011. Nga informacionet tona ky njoftim për mediat është bërë me qëllimin e vetëm për të argumentuar shumën e deklaruar nën mashtrim prej subjektit Lulzim Basha.
Sa për dijeni po i shtojmë atyre që ka deklaruar ILDKP një deklarim të vetë Bashës në nëntor 2005, kur një gazetar e ka pyetur lidhur me deklaratën e tij të parë të pasurisë. Basha u përgjigj se “diferenca është paguar drejtpërdrejt” (!). Kjo deklaratë është e filmuar dhe e botuar në mediat e PD-së. “Sqarimi” justifikues i ILDKP-së ndërkohë, thotë tjetër gjë.
Por kjo është vetëm një pjesë e atyre për të cilat ne kemi prova të mjaftueshme që të akuzojmë zotin Lulzim Basha për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, akuza këto me shumë rëndësi për një publik që ftohet ta votojë atë si administrator kontratash dhe dokumentesh që na përkasin të gjithëve.
Ju kujtojmë se është shkelje flagrante dhe e rëndë e nenit 4 të ligjit mbi deklarimin e pasurisë, fakti i provuar me dokumente qartazi që Basha ka deklaruar një shitje si të kryer në vitin 2007, ndërkohë që shitja është bërë në prill 2008. Nuk ka asnjë prononcim nga ILDKP për këto dy dokumente të botuar, çka e komprometon rëndë seriozitetin e këtij Institucioni.
Nisur nga sa më sipër, Ju lutemi të përdorni influencën tuaj për ta detyruar Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) të bëjë detyrën për të cilën paguhet nga taksapaguesit shqiptarë: t’i kthejë përgjigje pyetjeve të ngritura nëpërmjet shkresës bashkëngjitur.
(bashkëngjitur me këtë letër ishin dokumentet përkatëse dhe pyetje të lidhura me to)
****************
Pjesë nga deklaratat e pasurisë së Lulzim Bashës 2006 – 2009
Shtëpi në Utrecht, Holandë – 231.500 euro (shitur)
Apartament ne Tiranë – Vlera 205 mijë USD / 171.700 euro
Apartament në Durrës – Vlera 33 mijë euro
Apartament në Tiranë – Vlera 17.500 lekë
Apartament në Tiranë – Vlera 62 mijë USD/52 mijë euro
Automjet Mercedes Benz – Vlera 72 mijë euro
Pikturë – Vlera 6500 euro
Orë dore – Vlera 5200 euro
Ore dore -Vlera 4500 euro
Unazë diamanti – Vlera 11.500 euro
Servis porcelani – Vlera 6800 euro
Aksione në NASDAQ – Vlera 18 mijë USD/15 mijë euro
Depozitë bankare – Vlera 52 mijë USD / 43.500 euro
Depozitë bankare – Vlera 81 mijë euro
I nderuar, Thano! Se pari ju uroj per gazeten “DITA” e cila eshte krejt ndryshe nga gazetat e tjera, qe duken sikur prodhohen ne te njejten torno, nga i njejti tronitor, me te njejten “lendë te pare”, per te njejtin qellim.
Se dyti, lidhur me keto fakte, duhet thene se ky lloj kryeprokurori, u duhet kryehajduteve te pushtetit.
Nese nuk e paske kuptuar se kjo “DITA” eshte e Sh.Gramoz,paske probleme.Nese edhe ti je nje nga militanete e partise,kjo eshte pune tjeter.
i nderuar z thano po keta prokurore i duhen per te mbuluar vrasjet e 21 janarit dhe vjedhjet e ruges DHE VIDION E METES
Ajo cka u botua asokohe per L.Bashen ishte gazetari investigative, me fakte. Ju lutem ribotojini
TE pergezoj per cfare shkruan ,si gjithmon urime ADI.
suksese me gazeten e re me ne fund ju gjeta online 🙂 Pershendetje nga Kanadaja