Një javë pasi media peruane raportoi arrestimin në Shqipëri të Manuel Augusto Blacker Miller, ish-Ministër i Jashtëm, mësohen detaje të reja se si ai mundi të hyjë në vendin tonë, pavarësisht se kërkohej nga drejtësia e Perusë.
Është deputeti Erjon Braçe që hedh dritë mbi këtë ngjarje. Nëpërmjet një postimi në Facebook Braçe thotë se Sali Berisha ka heshtur keq dhe kompromentueshëm për cështjen e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i strehuar në Shqipëri.
Braçe, duke iu referuar të dhënave, siguruar nga sistemi “Tims” tregon se Miller, lindur më 18.10.1945 në Peru, ka hyrë në Republikën e Shqipërisë në datë 10.09.2012, ora 12:31 minuta me linjën ajrore “AlItalia nga Roma me pasaportën nr.4698977-PE.
Në sistemin “Tims”, thekson Braçe, nuk rezulton asnjë dalje e Miller nga Republika e Shqipërisë.
Në reagimin e Ministrisë së Brendshme shqiptare, pas lajmit në median peruane për arrestimin, thuhej se nuk ka asnjë kërkesë nga Interpoli për të arrestuar Miller.
Por Erjon Braçe pretendon se zotëron fletë-arrestin ndërkombëtar lëshuar në vitin 2004, numrin e të cilit e ka publikuar në Facebook (Numri i fletë–arrestit ndërkombëtar AW0000200001920 AV.13-2004).
Po ashtu, sipas Erjon Braçes për Blacker Miller ekziston një vendim nga gjykata peruane datë 22.08.2008. Nëse do t’i referohemi përsëri prononcimit të Ministrisë së Brendshme në të thuhet se Interpol Tirana nuk e ka arrestuar ish-ministrin e jashtëm peruan.
Deputeti Brace thotë se Interpol Tirana me shkresën 1611/KL, protokolluar me numër La 157/2012, datë 04.10.2012 shpall në kërkim këtë shtetas, pasi ka një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti peruan me shkresën e dërguar Interpol Tiranës Av.13-2004, pasi ky shtetas akuzohet nga gjykata peruane për veprën penale të krime kundër rendit kushtetues, rebelim dhe agresion, bazuar në nenin 346 dhe 152 të Kodit Penal peruan. “Nëse konstatohet nga organet policore të ndalohet dhe të njoftohet urgjentisht Interpol Tirana”, thuhet në shkresën e zyrës së Interpol Tiranës.
Për sa me sipër Erjon Braçe i drejton këto pyetje kryeministrit Sali Berisha: A janë të vërteta këto të dhëna? Nëse po, cila ka qenë arsyeja e mbrojtjes së këtij njeriu të kërkuar?
***********
Kryeprokurori peruan kërkoi qartësime mbi lidhjen Sali Berisha-Manuel Miller
Mediet peruane kanë informuar edhe në lidhje me qëndrimin e prokurorit Julio Arbizu, pas konfirmimit nga shteti shqiptar se ish ministri i jashtëm i Perusë Manuel Blacker Miller nuk ishte arrestuar asnjëherë në Shqipëri. Prokurori Arbizu ishte i ftuar në studion e “RPP News”, ndërsa që në fillim të intervistës ka saktësuar se ndryshe nga sa kanë pretenduar autoritetet shqiptare, ka patur një arrestim të Millerit në Shqipëri, por më pas ai është lënë i lirë.
“Së pari dua të them se unë personalisht jam interesuar pranë autoriteteve të Interpol-it, të cilët më kanë rikonfirmuar se ditën e enjte më datën 10 Janar është arrestuar ish Ministri i Jashtëm Peruan Manuel Blacker Miller në Tiranë në Shqipëri. Të njëjtat autoritete më kanë konfirmuar se ai është lënë më pas i lirë, në një kohë shumë të shpejtë është liruar. I kam kërkuar informacion Interpolit se mbi ç’bazë është liruar zoti Miller pasi shteti i Perusë ka dërguar në Interpol kërkesën për arrestimin dhe ekstradimin e tij, por autoritetet e Interpolit më thanë se nuk ishin në gjendje të më jepnin në këto momente përgjigjen mbi motivet e lirimit të Miller-it”, ka deklaruar dje Arbizu.
Berisha
Më tej duke komentuar kontekstin në të cilin është liruar ish ministri Miller, prokurori Arbizu ka shtuar se nuk janë ende të qarta arsyet dhe rrethanat që detyruan autoritetet shqiptare të lironin Millerin por shprehu dyshimet e tij në marrëdhënien mes kryeministrit shqiptar Berisha dhe ish-ministrit të Perusë Manuel Blacker Miller. “Nëse ai u lirua, ne ende nuk i dimë arsyet që detyruan autoritetet shqiptare për lirimin e tij, por ky fakt është shumë indinjues, sepse për të ka një urdhër arresti dërguar ligjërisht Interpol-it nga shteti peruan. Ne kemi ende të paqartë marrëdhënien mes kryeministrit Berishës dhe Manuel Blacker Miller-it dhe saçfarë ndikimi ka kjo marrëdhënie” tha dje prokurori Arbizu për ‘RPP News ‘. Është ende e paqartë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri me ish ministrin peruan Manuel Blacker miller ditën e enjte në Tiranë.
Investimet
Tashmë është i sigurt fakti që prej më shumë se një viti, miller kishte shfaqur interesin e vetë për të investuar në Shqipëri. Ai madje ka themeluar në korrikun e 2012-ës kompaninë “Apollonia Investments shpk” sëbashku me dy ortakë të tjerë dhe në planet bazike të kësaj kompanie ishte ngritja e një impianti gjigand në Fier për djegien e plehrave. Për këtë projekt Milleri duket se ka avancuar në raport me autoritetet shtetërore shqiptare dhe ka marrë disa leje në ministrinë e Mjedisit, madje ka zhvilluar dhe një takim në kryeministri.
Interpoli
Po çfarë ka ndodhur ditën e enjte në Tiranë mes agjentëve shqiptarë të Interpolit dhe ish-ministrit peruan Manuel Blacker Miller? Burime nga Ministria e Brendshme sugjerojnë se Interpoli shqiptar ka arrestuar shtetasin peruan Manuel Blacker Miller gjatë kohës që ky kishte shkuar për të përtërirë vizën e tij shqiptare. Emri i tij ka qenë në regjistrin e personave të kërkuar. Pasi i kanë komunikuar arrestin sikundër e kërkon dhe procedura agjentët shqiptarë kanë njoftuar qëndrën e Interpolit e cila është me seli në Lion. Këta të fundit kanë njoftuar autoritetet peruane. Ndërsa në Peru lajmi ka dalë pas 24 orësh nga momenti i arrestimit, në Shqipëri kanë ndodhur disa zhvillime “të shpejta”. Miller është lënë menjëherë i lirë pas ndërhyrjes së autoriteteve të larta shtetërore shqiptare. Aq e fortë ka qenë ndërhyrja për Millerin sa që ditën e premte kur u mësua nga gazetat e Perusë mbi arrestimin e tij në Tiranë, zyrtarët më të lartë të policisë shqiptare “nuk guxonin” të jepnin një prononcim mbi këtë ngjarje duke u mjaftuar vetëm me një “nuk dimë ç’të themi”.
Botuar sot ne DITA