Kryeqyteti “snobin” Kupën e Shqipërisë, ose më saktë asnjë nga skuadrat e Tiranës nuk arrin të kualifikohen në fazën gjysmëfinale të kompeticionit, ku kanë prerë nga një biletë, Skënderbeu, Kukësi, Laçi dhe Flamurtari.
Është e kuptueshme se Dinamo, që prej disa sezonesh militon në Kategorinë e Parë, nuk e ka forcën për të rivalizuar me ekipet e Superiores, ndërsa Partizani dhe Tirana, për arsye nga më të ndryshmet, që lidhen më shumë me mënyrën e menaxhimit, u detyruan të dilnin jashtë kësaj gare ndoshta para kohe.
Në fakt, po t’i hedhësh një sy sezoneve të fundit të Kupë së Shqipërisë kuptohet qartë se snobimi i këtij kompeticioni nga skuadrat kryeqytetase është shndërruar në tendencë.
Për herë të fundit një ekip nga Tirana e ka fituar Kupën në vitin 2012, ishte pikërisht skuadra bardheblu që mposhti Skënderbeun në kohën shtesë, me gol të Bekim Balajt, ndërsa gjatë katër sezoneve të fundit, maksimumi që ka arritur Tirana ka qenë faza gjysmëfinale në sezonin të kaluar, ku u eliminua nga Laçi.
Për Partizanin, që e ka ngritur plot 15 herë këtë trofe, paraqitja në Kupë në tre sezonet e fundit, lë shumë për të dëshiruar.
Në sezonin 2012-2013, të kuqtë u eliminuan nga Vllaznia që në raundin e dytë, ndërsa në dy sezonet e fundit i ka nxjerrë jashtë loje Laçi, pikërisht në çerekfinale.
Snobimi i një trofeu si Kupa dhe pamundësia për të fituar titullin, që në 5 sezonet e fundit është bërë pronë e Skënderbeut, ka krijuar një lloj pakënaqësie edhe te tifozët e kuq, që presin prej më shumë se 22 vjetësh titullin kampion dhe prej më shumë se një dekade Kupën e Shqipërisë.
Gjithsesi, si Partizani ashtu edhe Tirana, që renditen respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë në kampionat, mbeten favoritë për të luajtur në Europë sezonin e ardhshëm.
Por nëse për drejtuesit e dy prej klubeve më me traditë pjesëmarrja në Kupat e Europës është më e rëndësishme se fitimi i një Kupës, për tifozët llogaritë bëhen me trofetë që çdo klub ka në palmaresin e tij.
