Kryeqyteti i “rrugës të Palmave”

redaktor
Tirana Night View

“Njeriu është krijuar të rrojë, jo të ekzistojë” thotë Xhek London. Tirana jo vetëm ka humbur në historinë e vet, por edhe synimin për të cilën ai quhet qytet, bashkëjetesën paqësore të qytetarëve dhe rigjenerimin e energjive jetësore të tyre. Sepse Tirana si qytet, ku duhet të jetohet pikërisht për qëllimin që ndërtohen qytetet, pothuaj ka dështuar. A ka ndonjë qytetar të Tiranës, që nuk i “del shpirti” kur shikon se ku i rriten fëmijët? Blloqet e banimit, janë bërë vende që qëndrojnë në proporcion të zhdrejtë me vetë madhësinë e qytetit. Qyteti vazhdon edhe sot të ndërtojë, e jo të fillojë korigjimin e asaj katrahure që u gatua për të fituar para. Çdo lloj difekti që Tirana demonstron, e ka peshqesh nga drejtuesit e saj, politikanët e vendit, të cilën e kanë shqyer më keq se qentë rrugaçë, që vërtiten aq miqësorë nëpër rrugët e saj. Sipërfaqet e përbashkëta të banimit jo vetëm janë coptuar e grabitur, por përdoren pikërisht në të kundërt të misionit të banesave, të cilat e kanë deformuar jetën sociale të banorëve, duke e kthyer atë në një rutinë të afërt me makthin e jetës të vetmuar, sulmuar ngado nga lukuni njerëzish po të vetmuar, zombi. Qytet prej një milion banorësh, pa asnjë lloj ambienti tjetër, përveçse aty ku përtypet ushqim i konservuar, rrufitet raki e kafe me ujë të kloruar, shprazen xhepat e fukarenjve nga bixhozi i rrufjanëve. Edhe një teatër-dopolavoro për 400-500 vetë, edhe atë po e mbyll pupuliti i shkërmoqur i kohës të Duçes. Asgjë tjetër, hiç asgjë. Vetëm se mijra e mijra ngrehina tullash mveshur me llaç si bajgët në kasollet e çobanëve, njëqind herë më tepër kazanë në majë të çative, qiell i çjerrë nga lukuni telash që përcjellin si të çmendur elektricitetin e zgërlaqur të ish-KESH-it me famë, rrugica e trotuarë të shqyer më katërsh, puseta që çfryjnë era qelbësirë poshtë kazanëve të plehrave që pastrohen nga xhaketat e kanoçe mbledhësve. Të pretendosh të drejtosh Tiranën tani, po në të njëjtën mënyrë si është drejtuar, është një mision i pamundur.

Tirana nuk ka shoqe në botë. Nga një qytet me 250 mijë banorë të kapërcesh në një milionë brenda 15-20 vitesh, afërsisht është si ajo sëmundja e llahtarisur që e kthen fëmijën brënda pak viteve në plak. Tirana është plakur shumë para kohe, është coptuar dhe ndërtuar krejt spontanisht, është shtrirë pa asnjë lloj llogjike, i ka shkrirë të gjitha në një, kokën me këmbët, zemrën me duart, qafën me vithet, kurrizin me barkun. Ajo është kthyer në një amebë pa formë, në një qytet parazit që e ka mbytur kolesteroli i keq, i cili e ka privuar nga komunikimi dhe gjallëria në mes të vehtes e pastaj me mjedisin përreth. Sepse rritja e saj ështe një vandalizëm, frymëzuar nga vandalë, nga një politikë krejtësisht e qëllimshme për të arritur pikërisht në frutin e vandalizmit anarshinë, e cila tashmë është kthyer në një “fait açompli”, në një fakt, në një katrahurë, disiplinimi i të cilës padyshim që është shumë herë më i vështirë se krejt ndërtimi i saj.

Nëse Tirana, pas viteve 90-të do të zhvillohej normalisht nën një regjim normal të ekonomisë të tregut, ajo mund të shkonte në rreth 400 mijë banorë vetëm aty nga viti 2030, pra pas 14 vitesh. Sepse çdo gjë ka rrugën e vet të zhvillimit. Një vend nuk e bën vetëm natyra, toka e nëntoka, por njeriu, mënyra se si ai i përshtatet teritorit që ka në dispozicion. Në se pretendojmë të ardhmen europiane, shumë shpejt do të shikojmë se si “plot me gaz e me dëshirë” do të fillojmë ta braktisim Tiranën, këtë qytet që na dembelosi, na bëri llapazanë, na armiqësoi me natyrën, na plaku. Pas afro 30 vitësh mesatarja e moshës do të shkojë nga 35 sot në 40 vjeç. Sot plakemi afro dy herë më shpejt se vendet “plaka” të Europës Perëndimore. Moshën mesatare e kishim 30,6 vjeç 15 vite më parë. Tirana as sot e as mot nuk do të na “ngopi me bukë”, sepse nuk e ka takatin. Sot 30 përqind e popullsisë jeton në nivel varfërie, nga të cilat 12.4 përqind janë në nivelin e varfërisë absolute, që do të thotë se konsumi për frymë i tyre është jo më shumë se 50 mijë lekë të vjetra në muaj. E kjo jo se jemi vend i varfër, por sepse nuk punojmë, nuk ka punë. “Nuk është i varfër ai që nuk ka asgjë, thotë një i urtë, por ai që nuk punon”. Në këto kushte pra, kur ky qytet është rritur jashtë çdo lloj kriteri, frymëzuar nga çmënduria politike që e materializoi, psikologjia bajraktare e mveshur shumë trashë me demagogji e armiqësi, nuk është e largët dita kur ai do të fillojë të braktiset duke kthyer pjesë të tëra të saj në fantazma.

Nëse ç’ka them më sipër qëndron qoftë edhe pjesërisht, atëherë është e qartë se politika jonë, shteti, qeverija, parlamenti, janë para një alternative të vetme. Ose të vazhdojnë ta trajtojnë atë si deri më sot, ta zgjerojnë e të ndërtojnë mbi terrene të reja, duke e sabotuar e shkatërruar kështu jo qytetin tashmë por krejt shtetin, vendin, ose ta ndërpresin plotësisht këtë mënyrë kriminale ndërtimi, duke përqëndruar forcat e mundshme monetare e njerëzore në fillimin e përtëritjes, sistemimit, e rikonstruksionit të blloqeve e zonave ekzistuese të banimit, duke nisur nga periferia në drejtim të qëndrës.

A nuk duket qëndrim i dyshimtë zgjerimi e zgjatimi i bulevardit të Tiranës në veri të saj? A nuk duket se kështu i është hapur ndërtimeve gati mafioze? Pa e justifikuar aspak sjelljen e padenjë e burracake të ndonjë të ashtuquajture shoqëri apo organizatë mjedisore, e për më tepër reagimin rrugaçëror e të turpshëm ndaj policisë e objekteve publike, a nuk i pritet Kryetarit të Bashkisë që të mos i “lumturojë” kaq shumë e kaq shpejt fëmijët e Tiranës, duke i “zhgërryer” aty poshtë pemëve “që nuk do pritet asnjë” e sipër barit te Parku i Madh, ndërkohë që këtë dëshirë, mund ta realizonte brenda disa zonave të banimit të tyre, me lodra të thjeshta e të përshtatshme sipas kushteve të banimit të tyre. Ne nuk jemi as Roma e as Parisi, ku detyrimisht qysh sivjet, asnjë muaj më vonë, “gjallë a vdekur”, do të duhet të disiplinojmë veturat me parkingje të centralizuar, ndryshe turmat mund të prishin terezinë dhe ekuilibrin e turistëve të Luvrit, Tyjlërive apo San Pietros. Tirana është ende një qytet pa formë, me përjashtim të një bulevardi, të cilin edhe pse i veçantë e me vlera, pikërisht aty ku vuri dorë urbanistika e sotme politike, e degjeneroi dhe e ka kthyer atë në një monument …blegtoral, kaq sa heroi kombëtar, në mes të barit të gatshëm për mullarë, duket si Don Kishoti mbi Rosinantin e vet. Tirana është në një fazë kur nuk duhet bërë asnjë lloj shpenzimi apo investimi, përveçëse një përkujdesje serioze për ta mirëmbajtur atë. Bashkia e Tiranës e jo e Bulevardit, duhet të futet në brendësi të qytetit e të fillojë më së fundi ta justifikoj angazhimin e saj, ta drejtojë krejt këtë qytet, ta sistemojë, ta pastrojë, ta furnizoj me ujë, të zbresi kazanët ujit nga taracat, të mirëmbajë kanalet, të sistemojë lukuninë e telave, të shkatërrojë “monopolin” banditesk të zënies e kufizimit të hapësirave të qytetarëve nga pijetoret apo nga matrapazët e parkingjeve etj.

Një shtëpi, një qytet, një shtet i mbytur në borxhe, është i marrë fund nëse nuk kursen. Parkimet, lodrat, unaza e vogël nuk janë kauza të kohës, ato janë “institucione” të Republikës të Palmave. Edhe punimet per këtë unazën e vogël janë krejt të panevojshme. Pjesa nga pas hotel “Tiranës” e deri te rruga e “Barrikadave”, dakord, është krejt e domosdoshme, por pas Muzeut Kombëtar për momentin, është një shpërdorim i parave publike. Hiqet asafalt, gërmohet, hiqet zhavorr, hidhet zhavorr dhe asfaltohet në të njëjtën gjatësi e gjërësi rruge. Një qytet i “mbaruar” si Tirana nuk mund të fillojë strukturalizmin e saj nga qendra. Trupi duhet të vendosë për kokën kur ai nuk është bërë me kokë. Nga çdo pikpamje, duhet filluar nga periferia. Ajo, para së gjithash do të duhet të fillojë të bëhet normalisht e banueshme në thellësi të saj, me krejt shërbimet dhe infrastrukturën mbi e nëntokësore të nevojshme. Më vonë vjen qendra. Këjo është llogjika e një strukturimi të një qyteti, i cili e kërkon këtë minimum të mundshëm, kudo ku ai shtrihet.

Në se ka vend për sfida që përbëjnë një kauzë, po përmend tre të tilla. E para gjelbërimi. A është e mundur që brënda 4 vitesh, ai të arrijë 7 m2 për banorë, aq sa është norma minimale, nga 2.8 m2 që ka sot dhe 10 m2 që kishte para viteve 90-të? E dyta, a është e mundur që ato kullat “lubi” në qëndër të qytetit, 2 prej të cilave kanë mbi 10 vite në proçes ndërtimi, të përfundojnë e të vihen në funksion të destinacionit për të cilën janë miratuar? Nuk ka asnjë lloj sensi qëndrimi indiferent ndaj tyre. Kthimi i qëndrës të qëndrës të Tiranës në kantier ndërtimi prej 10 vitesh, e mos vënia e tyre në dispozicjon të qytetarëve, është një nëpërkëmbje e shëmtuar e të drejtës të tyre. Trualli është privat, por jo hapësira publike. Asgjë nuk mund të justifikojë kthimin e ketyre zonave në zona të vdekura, që e shëmtojnë, e mbajnë qëndrën si një vënd të ndotur e të bllokuar. E treta. Hotel “Dajti” dhe “Piramida”, mund t’i quajmë pa frikë, si dy objekte nëpërmjet të cilëve mund të vlerësosh krejt qeveritë që kanë drejtuar deri tani. Një shtet demagog, që paguan për të ashtuquajturat studime për strategji e plane urbanistike dhe nuk është në gjëndje t’i japi drejtim këtyre objekteve, i heq de fakto vehtes të drejtën për ta “studiuar” këtë Tiranë.

Të kuptohemi, thuhet se çdo krahasim çalon. Në se krahasojmë kryetarin e sotëm të Bashkisë me ishin, me atë që “cofi”, atëherë krahasimi zvarritet. Kaq! Këto janë sfida, që në se Kryetari i Bashkisë i përballon e ndërkohë bën punën e vet normale e të përditshme, me seriozitet e me modestinë e nevojshme, ky zotëri i ka të gjitha mundësitë që ta kthejë qytetin “në drejtimin e duhur”, në atë të vërtetin.

Share This Article
2 Comments
  • z Bardhyl urime !
    Eshte pergjigja me e goditur dhe kuptimplote e te gjithe kesaj zallamahije te kote te diteve te fundit.
    Nuk mund t’i heqesh asnje presje mendimeve tuaja te vyera .Te gezon shpirti kur lexon njeres si Ju ,Faleninderit!

  • Ku ka burre, apo arkitekt qe mund ta rregulloje me,duhet nje bombe qe te rrafshoje cdo gje e te fillohet nga e para.
    prandaj dhe ti zoti Emini merr leckat e zer nje vend mbas dajtit pasi edhe zona perpara qe sheh Tiranen ,eshte zene.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *