Hakan Fidan, kreu i Inteligjencës turke, konsiderohet si njeriu më i pushtetshëm në Turqi mbas kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Një njeri që ruan një profil të ulët, por që është i kudondodhur në politikën e jashtme turke të ndjekur në Lindjen e Mesme. Një informacion më shumë për këtë figurë në hije e jep “The Wall Street Journal”
Në maj të këtij viti, kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan bashkë me dy këshilltarët e tij më të afërt bëri një vizitë në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Ishte takimi i parë midis Erdoganit dhe presidenit Barack Obama për këtë vit. Obama i dha kryeministrit turk një mesazh, të cilin zyrtarët amerikanë e përshkruan si jashtëzakonisht të hapur: Shtetet e Bashkuara besonin se Turqia po lejonte transportimin e armëve dhe luftëtarëve drejt Sirisë, shpesh herë për të ndihmuar rebelët e gabuar, duke përfshirë këtu edhe xhihadistët anti-perëndimorë
I ulur përbri zotit Erdogan ishte Hakan Fidan kryespiuni më i fuqishëm turk dhe arsyeja e bezdisjes së Shteteve të Bashkuara. Prej disa vitesh ai është vënë në krye të përpjekjeve në ndihmë të rebelëve sirianë për të përmbysur presidentin Bashar al Assad.
Në vazhdën e kryengritjeve të Pranverës Arabe, Fidan, jo shumë i njohur përtej Lindjes së Mesme, ka qenë arkitekti kryesor i strategjisë turke të sigurisë për rajonin, e cila i ka anuar interesat e Turqisë kundër atyre të aleates së saj të vjetër, Amerikës.
“Hakan Fidan është fytyra e re e Lindjes së Mesme”, shprehet James Jeffrey, i cili ka shërbyer si ambasador në Turqi dhe Irak. “Kemi nevojë të punojmë me të sepse ai i shkon në fund punëve, por nuk duhet të besojmë se ai është një mik besnik i Shteteve të Bashkuara sepse nuk është”. 
Zoti Fidan është një nga tre krerët e shërbimeve sekrete, të cilët përpiqen të mbushin vakuumin e qeverisjes në vendet e tyre, të krijuar nga trazirat e brendshme dhe nga tentativat e SHBA-së për të pasur një qasje më të madhe në rajon.
Një nga dy homologët e tij është princi Bandar bin Sultan (për të cilin kemi folur disa javë më parë), kreu i inteligjencës së Arabisë Saudite, i cili iu bashkua opozitës siriane duke i furnizuar kryesisht me armë, por gjithashtu ka ndikuar në ndërlikimin e politikave në Egjipt duke mbështetur pushtimin ushtarak atje.
I treti që plotëson trekëndëshin është Gjenerali Qasem Suleiman, kryekomandant i forcave iraniane Quds, degë e Gardës Revolucionare që operon jashtë Iranit. Por, ndryshe nga Fidan dhe Bandar, Suleiman i jep një mbështetje të drejtpërdrejtë Bashar al Assadit në ruajtjen e pushtetit të tij.
Duke u rikthyer te Hakan Fidan, rritja e pozitës së tij në Turqi është shoqëruar me një erozion të dukshëm të influencës amerikane në këtë shtet. Për një kohë të gjatë Uashingtoni ka pasur marrëdhënie ‘komode’ me Turqinë ushtarake, e cila zotëron ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Por gjeneralët turq i janë nënshtruar tani kryeministrit Erdogan dhe këshilltarëve të tij të afërt, z.Fidan dhe ministrit të Jashtëm Ahmet Davutoglu, të cilët po e përdorin Pranverën Arabe për ta zhvendosur fokusin e Turqisë drejt shtrirjes së lidershipit të saj në rajon.
Fidan, 45 vjeç, nuk iu përgjigj kërkesës për një intervistë, pas takimit në Zyrën Ovale, ndërsa zyra e kryeministrit turk refuzoi të japë hollësira mbi temat e diskutimeve dhe mbi marrëdhënien e tij me z Fidan.
Por nga ajo që treguan më vonë zyrtarë turq dhe amerikanë, gjatë takimit pala turke i hodhi poshtë supozimet se po ndihmonte radikalët. Zyrtarët turq i kanë përdorur takimet si këto për t’i treguar administratës Obama që këmbëngulja e saj për të armatosur opozitën siriane në një shkallë të vogël, e ka penguar rrëzimin e Assad-it nga pushteti.
Zoti Fidan është zbatuesi kryesor i kryeministrit Erdogan. Qëkur ai mori përsipër aparatin e inteligjencës kombëtare MIT, në 2010-n roli i tij është rritur në nivel alarmues, duke ngjallur dyshime dhe pakënaqësi në Uashington, ku zyrtarët e shohin atë si një surrogat të Erdoganit, i cili menaxhon çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e Egjiptit, Libisë, Sirisë.
Së fundi, afrimi i Sirisë me Turqinë i nxitur nga Fidan e ka vënë këtë të fundit kundër Shteteve të Bashkuara. Të dyja vendet e duan Assad-in larg pushtetit në Siri, por autoritetet turke shohin si zgjidhjen e veteme për t’ia arritur, duke armatosur rëndë opozitën kundër regjimit të Damaskut dhe këtë ia kanë bërë të ditur palës ameikane. Nga ana tjetër, SHBA kërkon të sigurohet se këto armë nuk po u shkojnë grupeve xhihadiste, të cilat amerikanët i shohin si një kërcënim më të madh se vetë Assadi.
Në muajt e fundit, meqë islamistët radikalë kanë përparuar në veri të Sirisë përgjatë kufirit turk, autoritetet turke kanë filluar të forcojnë politikat e tyre, të shqetësuara jo për ankesat amerikane, por për kanosjen ndaj sigurisë së Turqisë.
“Nuk ka asnjë dyshim që Fidan është numri 2 më i fuqishëm në Turqi. Ai është më i pushtetshëm se çdo ministër, madje edhe më shumë se vetë presidenti Abdullah Gul”, shprehet Emre Uslu, analist i Inteligjencës turke.
E megjithatë ai ruan një imazh modest. Zyrtarë turq e përshkruajnë si të sjellshëm dhe në dukje pa pretendime. Në takimet me amerikanët ai vesh kostume të errëta dhe flet butë, në të kundërt nga princi Bandar, kreu zhurmëmadh i Inteligjencës saudite. “Ai nuk është Bandar. Nuk pi cigare, nuk përdor kostume të shtrenjta dhe nuk është pompoz”, thotë një zyrtar që e ka takuar.
Fidan ka përfunduar masterin shkencor në “Maryland University College” dhe doktoraturën për shkenca politike në Universitetin elitë “Bilkent” të Ankarasë. Ngritjen e tij në politikë e filloi në vitin 2003, kur u emërua në krye Agjencisë ndërkombëtare për Zhvillimin e Turqisë. Katër vite më vonë iu bashkua zyrës së Erdogan si këshilltar për politikën e jashtme. “Ai është ruajtësi i sekreteve të mia dhe i atyre shtetërore”, tha për të para gazetarëve Erdogan, në 2012-n.
Shqetësimet e SHBA-së dhe Izraelit janë shtuar pasi kanë kuptuar ndikimin e tij në politikat e Iranit. Një zyrtar izraelit thotë se Izraeli e ka të qartë se Fidani “nuk është një armik i Iranit”.
Mosbesimi ka shënuar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe agjencive të inteligjencës turke. MIT drejton një fushatë agresive ndaj kundërzbuluesve të CIA-s që veprojnë në Turqi. Tensionet u shtuan në 2010-n, kur CIA filloi të dyshonte se MIT nën drejtimin e Hakan Fidan kishte kaluar nga ana e inteligjencës së Iranit. Në atë kohë Erdogan po përpiqej të përmirësonte lidhjet me Teheranin. Zyrtarët amerikanë besojnë se MIT i kaloi të dhëna të rëndësishme Iranit, duke e përfshirë “informacione të klasifikuara” amerikane mbi qeverinë iraniane.
Në vitin 2012, Fidan filloi të zgjerojë fuqinë e MIT duke marrë kontrollin e shërbimit të inteligjencës ushtarake, dikur dominuese në Turqi. Shumë gjeneralë të lartë me lidhje të ngushta me SHBA-në u burgosën pas një gjyqi masiv. U dënuan mbi bazën e akuzave për komplot me qëllim rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Në planin rajonal Fidan filloi drejtimin e një përpjekjeje të fshehtë për të fuqizuar kapacitetet e rebelëve sirianë duke transportuar armë, para dhe mbështetje logjistike të kanalizuara në veri të Sirisë dhe duke përfshirë armë nga Arabia Saudite, Katari dhe Gjiri.
Kryeministri turk Erdogan kërkon të rrëzojë Assad-in jo vetëm për të zëvendësuar një regjim armiqësor në kufijtë e shtetit të tij, por edhe që të prishë perspektivën e një shteti kurd si dhe të ketë akses në naftën e Sirisë verilindore dhe për këtë e ndihmon Fidan, element kyç në zbatimin e planeve ndërrajonale.
Udhëheqësit e opozitës siriane, zyrtarët amerikanë dhe diplomatët e Lindjes së Mesme, të cilët kanë punuar me Fidan thonë se MIT ka vepruar njëlloj si një”polic trafiku” duke lejuar autokolonat me armë nëpër postblloqet përgjatë 565 miljeve që e kufizojnë me Sirinë.
Rojet kufitare turke në mënyrë të përsëritur i kanë lejuar grupet e luftëtarëve radikalë të kalonin përmes Sirisë për të luftuar brigadat turke, thotë Salih Muslim, bashkëkryetar i Unionit Demokratik të Sirisë, partia më e fuqishme kurde në Turqi.
Ligjvënësit e opozitës nga krahina kufitare e Hatajit thonë se autoritetet turke kanë dërguar luftëtarë islamikë në fshatrat kufitare dhe i kanë lënë aeroplanët transportues në aeroportin “Hatay”. Por, zyrtarët turq i mohojnë akuzat.
Në takimet me zyrtarët amerikanë dhe udhëheqësit e opozitës siriane, zyrtarët turq thanë se kërcënimi që vjen nga grup anti-Assad Jabhat al Nusra, mund të trajtohej më vonë, pasi SHBA e shtoi Nusra-n në listën e organizatave terroriste, në muajin dhjetor.
Takimi midis drejtuesve turq dhe amerikanë në maj të 2013-s në Shtëpinë e Bardhë erdhi në një kohë kur zoti Obama i kishte shtuar gjithnjë e më shumë presionet e tij ndaj shtetit turk në lidhje me Sirinë, Izraelin dhe liritë e shtypit në Turqi.
Obama i tha Erdoganit se dëshironte një marrëdhënie më të afërt, por ai shprehu shqetësim për qasjen turke që armatoste grupet e opozitës siriane pa bërë dallime. Qëllimi ishte që të bindte turqit se “jo të gjithë luftëtarët ishin luftëtarë të mirë” dhe kërcënimi islamik mund të dëmtonte më gjerë rajonin.
Në muajin shtator ministri i Jashtëm Davutoglu, takoi sekretarin e Shtetit John Kerry, duke i thënë se Turqia ishte e shqetësuar rreth ekstremistëve përgjatë kufirit me Sirinë. Turqit kërkonin që Kerry të pohonte se amerikanët mbeteshin të angazhuar me opozitën siriane. Ndonëse Kerry deklaroi se amerikanët ishin ne favor te opozitës në Siri, qartësoi se udhëheqësit turq duhej të mbështesnin njerëzit që vepronin mbi bazën e së drejtës./D.Gjuzi

Ec aty!! edhe Erdoganit spo i plas shume se ca thote gazeta, Amerika ska takat e mendje tani te prishet me Turqine!!
Bravo Erdogan!
Ky njeri, ose do te qendroje gjithmone ne hije dhe do te drejtoje shtetin turk ashtu siç po ben tashti, ose do te marre nje dite drejtimin e Turqise dhe do te behet nje Asad i dyte. Duket se pushteti i tij eshte i pakufizuar. Mjere Turqit, nqs ai do tia arrije te jete ne krye te shtetit ……………..