Zakonisht ndodh që kryetari i një bashkie apo komune mandatohet për të rregulluar punët e komunitetit që e voton, ndan me ta hallet e gëzimet, problemet e shqetësimet. Thuajse është një praktikë botërore, e cila zbatohet edhe në vendin tonë. Por edhe këtu ka përjashtim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, do të futet në rubrikën e lajmeve të rralla, pasi festën e Ditës së Verës vendosi ta kalojë jo në qytetin që ka marrë përsipër për ta qeverisur, por në Elbasan. Lulzim Basha ka shkuar dje bashkë me disa deputetë demokratë në një panair që zhvillohej për Ditën e Verës, ndërsa festimet në Tiranë i la në duart e vartësve. Kulmi i ironisë për kryetarin e kryeqytetit, ishte fakti kur urdhëroi Policinë Bashkiake të mos lejojnë as qeverinë për të bërë aktivitet në Tiranë. Përplasja shkoi deri edhe në kërcënime verbale mes palëve, derisa policët e Lulit u tërhoqën pas presionit të Policisë së Shtetit. Për ta mbyllur i themi kryetarit që Elbasani ka votuar Qazim Sejdinin për ta drejtuar, kthehu në Tiranë për të bërë ndonjë punë edhe këta muaj që të kanë mbetur nga mandati.
