Nga Moikom Zeqo
Jemi të gjithë rrjedha të jetës. Nuk rrjedhin vetëm ujrat. Rrjedhin edhe jetët tona.
Secili qarkullim i gjakut në trupat tanë është një plotësim i qarkullimit të gjakut të popujve në trupin e planetit. Janë mitizuar shumë diferencat, veçantitë, gjuhët, etnitë, racat kulturat dhe qytetërimet. Por të gjitha i zotëron matrica antropologjike.
Për këtë gjë kemi diskutuar shpesh dhe kemi bërë debat të thekshëm. Kemi afirmuar problematikën, sepse problematika jemi vetë ne. E kam fjalën për një thjeshtëzim të gjithë historive të letërsisë botërore.
Të tërë kryeveprat përpara Homerit janë parathënëse. Padyshim, që Homeri është një emër kryesor i planetit tonë të ëndrrave. Ndoshta nuk ka shkrimtar më të madh. Ai ka farkëtuar të tëra formulat e letërsisë: për pritjen njerëzore, dashurinë, pabesinë, kultin e pushtetit, ankthin e luftërave, ngulmimin e udhëtimeve, besnikërinë, dinjitetin, mëshirën, zhbirimin e enigmave dhe të papriturave, shpagimet morale etj.
Mbas Homerit vjen një konstelacion shkrimtarësh gjithashtu të mëdhenj: Eskili, Sofokliu, Aristofani. Ata vërtet kanë ngrënë nga thërrimet e tryezës së Homerit, por në një farë mënyre janë vetë homerikë.
Pastaj ka një golle të madhe në letërsi, gati një hiatus, pa mohuar emrat e rëndësishëm. Kështu arrihet tek emri tjetër i madh, i Virgjilit, që është një rikthim faustian tek Homeri. Pas Virgjilit substanca letrare nuk është më shumë e dendur. Poetët bizantinë plotësojnë.
Antologjia Palatine është një pikë reference. Nga Virgjili tek Dante vërtiten 14 shekuj. Edhe Dante në një farë mënyre prapë është një rikthim, por jo një klonim i Homerit. Dante bëri të pamundurën, e rikonstruktoi edhe një herë sipas humanizmit të krishterë, paganizmin.
Pikërisht midis Virgjilit dhe Dantes planeti nxori poetë të hatashëm kinezë si Li Bo dhe Du Fu. Këta duket si poetë paganë dhe laikë. Qytetaria e tyre është e padiskutueshme, janë të mahnitshëm dhe delikatë. Shekulli VIII i poezisë klasike kineze është shumë më i emancipuar se sa vetë Dantja.
Nuk kemi të bëjmë me një parathënie, sepse bota poetike kineze duket e mëvetëshme. Kjo është një botë e vetëmjaftueshme, madje edhe për ditët e sotme. Në një histori të letërsisë botërore emrat e Li Bo dhe Du Fu do të ngjanin si enigma kozmike. Këtu nuk hyjnë më në punë kronologjitë, as frymëzimi i kultizuar i epokave, as teoritë deterministe të Ipolit Tenit.
Pse janë kaq të veçantë e kaq të thellë poetët kinezë? Nga buron kjo plotfuqishmëri e tyre magjike? Emancipimi i tyre poetik është një humanizëm sui generis. Socialiteti dhe filozofia e tyre janë në një harmoni, ku kontradiktat nuk na hutojnë, por na kthjellojnë.
Poetët e vjetër kinezë janë gati indiferentë për rrymat dhe shkollat letrare, që kanë torturuar Europën e artit. Atyre u mjaftojnë novacionet e tyre, janë shumë të qartë për gjithçka. Natyrisht format e poezisë kineze janë të shumëkuptimta, rrotulluese, të brendshme.
Kinezishtja është një gjuhë e dallueshme, e pangjashme me të tjerat, por absolutisht nga gjuhët më të mëdha të botës. Ajo është një gjuhë e planetshme. Ndryshimet brenda vetes vetëm e pohojnë atë.
Poezia është në një farë mënyre një revolucion i qetë dhe i pabujshëm brenda gjuhës. Duket sikur kjo poezi e zhduk kufirin midis materiales dhe shpirtërores, por shpirti është i prekshëm si ujëvarat, i luhatshëm dhe i lëvizshëm si ajri, mbartës shkëlqimesh dhe nuancash.
Poeti modern dhe i vështirë Ezra Pound u fiksua mbas idesë së modelit të poezisë kineze për tërë poezinë botërore. Ideogrami kinez qe për të çudia e çudive. Ndoshta jo fonetikisht. Pound besonte tek kuptimet, që lëvizin dhe koncentrohen.
*****
Në foto: I vetmi kaligraf i mbijetuar me shkrimine Li Bo, me titull Shangyangtai (Për ballin). Ndodhet në Muzeun e Pallatit në Pekin.
Emri i lindjes eshte “Li Bái” 701-†762 (Wade-Giles) Li Pai, Li Po,
ne Taiwan ne te foluren klasike sot e quajne Li Bo
po ashtu si Li Bái eshte edhe Du Fu (Tu Fu)