Banka Botërore ul parashikimin për rritjen ekonomike për këtë vit. Nga 1 % që ishte parashikuar më parë rritja ekonomike për Shqipërinë theksohet se do të jetë 0.8% për 2012 dhe 1.6 % për vitin e ardhshëm. Sipas Erjon Lucit, kryeekonomist i BB në Shqipëri kjo ka ardhur si rezultat i efekteve të krizës.
Ndërsa në lidhje me privatizimin e Albpetrol, përfaqësuesja e Bankës Botërore Ksenia Lvovsky u shpreh.
“Privatizimi i Albpetrol ka ngritur shumë pritshmëri të cilat nuk janë përmbushur ende dhe ne po presim rezultatet përfundimatare të gjithë këtij procesi. Është e rëndësishme që këto procese të realizohen në transparencë të plotë”.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore gjithashtu komentoi edhe ngërcin e krijuar në sektorin energjitik.
“Banka Botërore ka mbështetur privatizimin e OSSH, por ky proces ka qenë mjaft i shpejtë. Në këte moment po ndodh një problem që nuk pritej, e megjithatë kjo nuk duhet që të përgjithësohet në të gjithë privatizimet. Qeveria dhe CEZ po bisedojnë për të gjetur një marrëveshje dhe aty përfshihet edhe garancia që ne kemi dhënë për këtë privatizim. Nuk na mbetet gjë tjetër vecse të urojmë që të gjendet një zgjidhje më e mirë për shqipëtarët” u shpreh ajo.
Ekonomisti kryesor i Bankës Botërore për Ballkanin, Zeljko Bogetic, i bëri thirrje Shqipërisë që të ulë nivelin e borxhit publik. Kjo kërkesë vjen në një kohë që është miratuar një rritje e borxhit për 2013.
“Ajo që nevojitet në fillim dhe mbi të gjitha është ndjekja e një politike më intensive reformash për të reduktuar borxhin publik. Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në rajon dhe për këtë duhet të merren masa të menjëhershme për ta ulur atë në nivelin e 30 apo 40 përqind të GDP” tha ai.
Një tjetër problem që është prekur në raportin e Bankës Botërore është edhe rritja e cmimeve të produkteve ushqimore, fakt ky që prek më tepër shtresat e mesme dhe të varfëra.