Ksenofon Krisafi
Vijon nga numri i kaluar
Në platformën e MPJ përmendet një notë verbale e ambasadës greke në Tiranë, e datës 25 shkurt 2010, në të cilën ajo thotë se do të zbatoje vetëm marrëveshjen e paqënë të prillit 2009. Ky fakt i paditur për publikun, që ka formën e një presioni të hapur kërcënues, është përsëritur me gojën plot nga pothuajse të gjithë ministrat e jashtëm të Greqisë, të këtyre tre viteve të fundit. Ata janë shprehur se ne presin nga Shqipëria që të fillojë zbatimin e marrëveshjes dhe t’i dalë zot firmës që ka hedhur në të. Në këto zhvillime, mendoj se është rasti që MPJ, ta tejkalonte disi politesën diplomatike dhe t’i deklaronte palës greke zyrtarisht, në formën e duhur legale, me qetësi dhe korrektësi, se për këtë çështje nuk ka asnjë marrëveshje. Madje ajo duhet të kishte reaguar zyrtarisht edhe kur mbërriti njoftimi i parë se grekët kishin ndaluar peshkatarët shqiptarë të gjuanin peshk brenda ujërave shqiptare, nën pretendimin absurd se tashmë ato nuk ishin me shqiptare, por greke. MPJ duhet të kishte reaguar edhe kur organet kompetente greke deklaruan zyrtarisht se kishin dhënë koncensionet e kërkimit të hidrokarbureve në zonat që përfshihen në ujërat që ata, nëpërmjet marrëveshjes së paqënë, i quajnë të tyre. Në këtë rast duheshin kërkuar shpjegime zyrtare se përse bëhej fjalë, cilat ishin koordinatat e sakta të zonës ku do të operohej dhe të shprehej dëshira që pala shqiptare të mbahej e informuar në vazhdimësi. Së fundi, MPJ duhet t’ia kishte bërë të qartë palës greke se kufiri shqiptaro-grek në ujërat detare në kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon është ai që ka qënë para datës 27 prill 2009, kur u nënshkrua marrëveshja e pavlefshme dhe nuk është zhvendosur as edhe një milimetër në brendësi të territorit shqiptar. Për pasojë, ajo duhet t’i kërkojë palës greke mirëkuptimin e duhur institucional që të heqë dorë nga deklarimet e pavlefshme juridike dhe aq më tepër të mos cenojë integritetin territorial të Shqipërisë në këtë zonë. Duhet besuar se kjo është bërë. Por përsa kohë që situata vazhdon të jetë siç ka qënë dhe herë pas here prodhon episode që nuk iu shërbejnë marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, marrëveshja duhet të ripërsëritet.
Nuk duhet besuar se grekët mund ta përdorin këtë si shkak për të vendosur veton me qëllim që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat në BE, sikurse thuhet në një nga skenarët. Në krye të këtij shteti fqinj me të cilin Shqipëria ka ndërtuar marrëdhënie miqësore, duhet të ketë tashmë njerëz të iluminuar që duhet ta kenë kuptuar se nuk mund të ndërtosh marrëdhënie me fqinjët mbi bazën e mashtrimeve, hileve, kërcënimeve e presioneve dhe të pretendosh që prej tyre të presësh miqësi e bashkëpunim konstruktiv.
Edhe sikur të marrim rastin më ekstrem, që për shkak të kompozimit politik multikolor të mazhorancave qeverisëse në Greqi, të ketë elemente ekstremistë që mendojnë akoma me mentalitete arkaike të së kaluarës së dikurshme, qëndrimi ynë bazë do të duhet të mbështetet fuqimisht gjithmonë mbi parimet dhe normat themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të legjislacionit tonë kombëtar. Çdo largim prej tij, çdo rrëshqitje drejt pazarllëqeve e kompromiseve të paprincipta është i kundërligjshëm dhe shumë i dëmshëm. Në historinë e vendit tonë ka jo pak precedentë të hidhur që kanë qënë rezultat i qëndrimeve të tilla. Këto janë çështje të mëdha që kanë të bëjnë me interesa primordiale kombëtare që prekin territorin dhe që shtrihen gjatë në kohë, duke ndikuar në fatet dhe jetët e brezave të ardhshëm.
Si konkluzion mund të thuhet se pavarësisht skenarëve të përgatitur nga MPJ për restaurimin e situatës në rajonin detar kufitar me Greqinë, zgjidhjet që do të propozohen duhet të mbajnë parasysh se qëndrueshmëria e marrëdhënieve dypalëshe dhe miqësia shqiptaro- greke kërkojnë respektimin rigoroz të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë gjithë kompleksi i lidhjeve të shqiptarëve dhe të grekëve, dy popujve miq, nga më të lashtët e gadishullit dhe të kontinentit, do të çlirohet realisht dhe përfundimisht nga pengjet e një të kaluare toksike
Kufiri detar shqiptaro-grek nuk është zhvendosur asnjë milimetër
Këto ditë është rikthyer sërish si objekt debatesh çështja shumë e përfolur e kufirit detar shqiptaro-grek. Nga njëra anë vijnë lajmet se pala greke ka konkretizuar vendimet përkatëse për fillimin e kërkimeve për naftë dhe hidrokarbure në zonat e veta detare, përfshirë dhe zonën në afërsi të kufijve shqiptaro-grekë, duke liçensuar kompaninë norvegjeze Petrolium-Geo-Services, e cila prej të hënës ka nisur kërkimet me anijen “Nordic Explorer”. Nga ana tjetër, kryetari i opozitës, z. Edi Rama, në një dalje të tij në publik pardje, duke e konsideruar marrëveshje, madje zonë të minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, një akt që në fakt nuk është aspak marrëveshje, i kërkoi qeverisë shqiptare që të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe të ulët menjëherë, pa humbur asnjë ditë, me fqinjët për të gjetur rrugën e arsyes.
“Rishikimi i hartës, tha ai, dhe vendosja e vijës së kufirit aty ku i jepet fund kësaj gjendjeje të pezullt, me potencial konflikti, është një domosdoshmëri historike”.
Më tej shtoi se “100 vjetori i shtetit po e gjen Shqipërinë të cunguar territorialisht. Ashtu siç është detyrim ekskluziv i kësaj qeverie që kufiri i vendosur qorrazi prej saj në dëm të interesit tonë kombëtar, të spostohet në vendin e vet dhe çdo pëllëmbë deti i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”.
Përsa i përket nisjes së operacioneve kërkimore nga qeveria greke për zbulimin e hidrokarbureve në det, për të cilat, çuditërisht, nuk thuhet asgjë në daklarimet e mësipërme për kufirin e spostuar, në fakt të paspostuar, qeveria shqiptare e ka detyrë kushtetuese të interesohet pranë palës greke, për të mësuar të vërtetën e asaj që thuhet në media dhe t’ia bëjë të ditur shqiptarëve. Eshtë gjithashtu detyrë kushtetuese e saj që, pavarësisht përgjigjes që do të marrë ose që mund të ketë marrë nga pala greke, të ngarkojë shërbimet e veta kompetente, duke angazhuar edhe specialistët më të mirë të vendit, që të hetojnë konkretisht në vend se si qëndrojnë çështjet në fjalë. Mbi këtë bazë, në se rezulton që anijet kërkuese në shërbim të palës greke, do të hyjnë edhe në ujërat detare shqiptare, t’i kërkojë me vendosmëri Greqisë që ta shmangë menjëherë një veprim të tillë, i cili në gjuhën juridiko-ndërkombëtare quhet thjeshtë cënim i sovranitetit territorial të Shqipërisë. Dhe në rast se pas kësaj ndërhyrjeje pala greke do të vazhdojë, qeveria shqiptare duhet të aktivizojë të gjithë instrumentet e vëna në dispozicion nga e drejta ndërkombëtare për ta ndaluar cenimin e sovranitetit territorial shqiptar dhe krijimin e një vatre potencialialisht të rrezikshme.
Përsa i përket çështjes së dytë, e cila është konceptuar dhe është shtruar në mënyrë të gabuar, është e domosdoshme të mbahet parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili citohet edhe nga Z. Rama, por jo në kontekstin e përshtatshëm. Prej tij del qartë se nuk ka marrëveshje në kuptimin e legjislacionit të brendshëm të Shqipërisë dhe të Greqisë apo edhe në kuptimin juridiko-ndërkombëtar të fjalës që të krijojë detyrime për ndonjë prej tyre. Ka thjeshtë vetëm letra, projekte, studime, lista koordinatash etj, që, edhe pse në disa prej tyre ka firma zyrtarësh shqiptarë e grekë, nuk janë e nuk mund të jenë dot marrëveshje. Gjithëçka që thuhet nga pala greke apo nga zëdhënësit e saj në politikën shqiptare, se marrëveshja është e vlefshme në vështrim të së drejtës ndërkombëtare është një mashtrim, një alibi që kërkon të fshehë të vërtetën. E drejta ndërkombëtare i konsideron marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare pjesë të legjislacionit të brendshëm të shteteve, për rrjedhojë akte të detyrueshme për zbatim, vetëm kur ata janë miratuar dhe kur kanë hyrë në fuqi. E ashtuquajtura marrëveshje nuk u bë dot pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe as pjesë e legjislacionit shqiptar dhe grek.
Ajo që përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe të qeverisë greke, firmosën në Tiranë, më 27 prill 2009 mbeti një kujtim i keq për shqiptarët e shpërfillur dhe të mashtruar nga qeveria e tyre dhe një zhgënjim i hidhur për ngazëllimin e parakohshëm të politikanëve grekë. Procedurat e shndërrimit të saj në marrëveshje nuk u kryen. Ajo nuk u ratifikua nga asnjera prej palëve dhe si e tillë nuk u regjistrua as në Sekretariatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç parashikohet nga neni 102 i Kartës së OKB.
Në këto rrethana është gabim dhe nuk duhet thënë në asnjë lloj konteksti që kufiri të spostohet në vendin e vet ose që Shqipëria është cunguar territorialisht. Juridikisht asgjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë. Kufiri ka mbetur atje ku ishte deri para 27 prillit 2009 dhe nuk është zhvendosur as një milimetër, kurse territorit shqiptar nuk i është hequr asnjë milimetër kub tokë, ujë apo ajër.
Në se yë dyja palët, me vullnetin e tyre të lirë dhe në përputhje me interesat e veta kombëtare e gjykojnë të arsyeshme, vija e kufirit mund të shqyrtohet dhe të përshtatet me realitetet bashkëkohore, me parimet dhe normat e së drejtës aktuale të detit nëpërmjet bisedimeve, mbështetur në parimet e barazisë dhe të interesit të ndërsjellë të palëve, duke respektuar tërësinë territoriale dhe sovranitetin kombëtar të tyre, duke përjashtuar mashtrimin, imponimin e kushteve, presionet apo kërcënimet.
Duke u rikthyer në ato që dëgjuam këto ditë, kjo çështje kaq madhore dhe kaq shumë e vështirë nga të gjitha pikëpamjet, veçanërisht nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare, nuk mund të trajtohet e të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër, siç kërkohet. Ajo do kohën e vet të domosdoshme. Përndryshe do të kemi sërish të njëjtin rezultat që është kritikuar me të drejtë.
Çështjen nuk mund ta zgjidhë vetëm pala shqiptare, siç kërkoi kreu i opozitës. Ajo, ç’kishte për të bërë e bëri dhe, siç rezultoi, e bëri shumë keq. Ishte një institucion i pavarur, që, fatmirësisht, në atë rast u tregua me të vërtetë i pavarur, Gjykata Kushtetuese, që ndaloi vazhdimin e procedurave.
Ç’kuptim ka që të kërkohet vetëm nga pala shqiptare korigjimi i “gabimit” të bërë, kur Greqia e ka thënë qartë se është në pritje të zbatimit të Marreveshjes dhe jo të fillimit të bisedimeve?
Qeveria greke edhe pse e di shumë mirë që marrëveshja nuk ekziston shprehet në çdolloj tribune politike brenda e jashtë Greqisë, se ajo duhet zbatuar. Me sa duket, e inkurajuar nga marrja e firmës tre vjet më parë, me mashtrim e me presion, në të ashtuquajturën marrëveshje, e inkurajuar edhe nga heshtja e pakuptimtë e qeverisë shqiptare, shpreson se me të njëjtat mënyra mund ta imponojë atë. Vetëm kështu mund të shpjegohet kurajua që tregohet nga anijet e flotës luftarake greke që, siç thuhet, herë pas here ndalojnë peshkatarët sarandiotë të peshkojnë në ujërat detare shqiptare.
Çështje të tilla në marrëdhëniet e shteteve të tjerë, me karakteristika të afërta apo të ngjashme me ato që ekzistojnë në bregdetin shqiptaro-grek, kanë zgjatur me vite e me dekada. Konfiguracioni i bregdeteve shqiptar e grek është tepër specifik dhe në literaturën juridiko-ndërkombëtare trajtohet si precedent i vështirësisë së lartë për caktimin e kufirit detar. Po t’i shtojmë këtij faktori edhe atmosferën politike aktualisht të papërshtatshme në marrëdhëniet midis dy vendeve, kuptohet lehtë që asgjë e mirë as për shqiptarët, por as edhe për grekët nuk mund të pritet nga një punë e bërë me ngut, për hir të apelit të të ardhmes, e cila në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye nuk mund të cenohet. Apeli për të ardhmen i duhet bërë në radhë të parë palës greke, e cila duhet ta shohë realisht të ardhmen me qëllim që të mos i rikthehet më të shkuarës së “Megali Idesë”.
Të gjitha këto tregojnë se grekët nuk i pengon aspak mosekzistenca e marrëveshjes për të vepruar në ujërat detare sipas interesave të tyre, duke shpërfillur ato të palës shqiptare. Qëndrimet e ngurtësuara dhe ekstremisht të ndrojtura të kësaj të fundit, e cila nuk rezulton të ketë reaguar me seriozitetin e duhur janë marrë për dobësi nga pala greke dhe, siç duket, kanë inkurajuar sjelljet e vazhdueshme ekcesive të saj. Ajo nuk ka nguruar që në jo pak raste të ndërmarrë veprime që përbëjnë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë dhe cenim të sovranitetit të saj territorial.
Qëndrueshmëria e marrëdhënieve dhe miqësia e sinqertë ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve kërkojnë respektimin rigoroz nga ana e qeverive të tyre, të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë mënyrë këta dy popuj miq, do të ecin drejt të ardhmes europiane të çliruar nga pengjet e një të kaluare që duhet harruar.
Kufiri detar me Greqinë ekziston dhe koordinatat treguese janë depozituar në OKB
Njoftimi që u dha këto ditë për nismën e qeverisë greke për shpalljen në mënyrë të njëanshme të kufijve të saj detarë dhe për depozitimin e aktit përkatës me koordinatat ndarëse, ka të bëjë me kufijtë që ndajnë ujërat territoriale, shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive dhe eventualisht zonat speciale. Duket se bëhet fjalë për ato kufij që nuk kanë problem për t’u përcaktuar, për hapësirat detare që nuk kanë përballë apo në krah të tyre territore detare që iu përkasin shteteve të tjerë. Sepse në rastin e këtyre të fundit, në zbatim të Konventës për të Drejtën e Detit, të Montego Bay, të vitit 1982, si dhe të akteve të tjerë të së Drejtës së Detit, lypsen të përcaktohen me marrëveshje midis shteteve të interesuar. Kjo situatë ka të bëjë me kufijtë e Greqisë me Shqipërinë, Libinë, Egjiptin, Turqinë etj, të cilat nuk mund të përcaktohen dot në mënyrë të njëanshme as nga Greqia dhe as nga shtetet përballë saj, të përmendur më lartë. Ato caktohen vetëm me marrëveshje midis tyre, siç ka bërë p.sh. Greqia me Italinë apo Shqipëria me Italinë. Vendosja dhe shpallja e kufijve detarë në rastet e këtyre shteteve, përfshirë këtu edhe Greqinë, pa marrëveshje, do të përbënte shkelje të normave dhe parimeve bazë të së Drejtës së Detit dhe të Drejtës ndërkombëtare. Pra, është e drejta e saj që, me anë marrëveshjesh, të përfunduara në kushtet e përcaktuara nga legjislacioni i brendshëm i saj dhe i shteteve përkatës, si dhe nga Konventa e Vjenës e vitit 1969 “Për të Drejtën e Traktateve”, duke respektuar parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, pa prekur natyrisht interesat e shteteve të tjerë, të këtë të qartë kufijtë e vet detarë. Për sa i përket kufijve me Shqipërinë, deri më sot, në kushtet e mungesës së një marrëveshjeje bilaterale, ato janë të përcaktuara nga vendimi i Konferencës së Londrës, i vitit 1913 dhe protokollet e Firences të viteve 1913 dhe 1925 si dhe nga aktet e brendshme të të dy shteteve.
Ndërkohë organet kompetente shqiptare, në zbatim të Protokolleve të Firences të përmendura më lartë, gjatë një periudhe gjysëmshekullore kanë nxjerrë një varg aktesh që kanë sjellë plotësime, ndryshime ose mund të kenë zëvendësuar aktet që për shkak të ndryshimit të kushteve dhe rrethanave, janë bërë të papërdorshëm. Nëpërmjet tyre është bërë e qartë me saktësi të pakontestueshme vija e kufijve shqiptare, ku përfshihet edhe segmenti përkatës i kufijve shqiptaro-grekë.
Në mënyrë kronologjike tabloja e akteve që kanë pasur të bënin me kufijtë e Shqipërisë, rrjedhimisht edhe me kufijtë shqiptaro-grekë, paraqitet si më poshtë:
Urdhëri ekzekutiv i datës 21 maj 1946;
Vendim i Këshillit të Ministrave Nr.168 datë 9.12.1946;
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr. 3853, datë 18.05.1964 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi detin e hapët”;
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 3854, datë 18.05.19644. “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi shelfin kontinental”;
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr. 4650, i datës 09.03.1970 Për kufirin e Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar disa herë më vonë, ku vlen të përmenden sidomos ndryshimet e vitit 1976, me dekretet Nr. 5384, i datës 23. 02. 1976 dhe Nr. 6181, i datës 26. 04. 1980;
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 4938, datë 4.02.1972, Për Kapitenerinë e Porteve, ndryshuar me dekretin Nr. 6180, i datës 26.04. 1980
Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Nr. 3877, i datës 10.08. 1964, Për ndalimin e të ndoturit të ujërave detare të Republikës së Shqipërisë, ndryshuar me Dekretin Nr. 6901, i datës 3.07. 1984
Urdhëresa e Këshillit të Ministrave Nr. 2, i datës 2.05. 1980 Për regjimin e lundrimit në ujërat territoriale dhe ujërat e brendshme të Republikës së Shqipërisë, ndryshuar me Urdhëresën Nr. 1, i datës 9.02. 1985.
Ligji Nr. 8771, i datës 19.4.2001, Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë;
Ligji Nr. 8772, i datës 19.4.2001, Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë;
Ligji Nr. 9055, i datës 24.04. 2003, Për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën mbi të Drejtën e Detit të OKB- së;
Ligji Nr. 9861, i datës 24.01.2008, Mbi kontrollin dhe mbikëqyrjen e Kufirit shtetëror”, i ndryshuar me Ligjin Nr. 60/2012, Për një ndryshim në ligjin nr. 9861, i datës 24.1.2008 Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.
Lidhur me çështjen, objekt shqyrtimi, duhet vënë në dukje se Ligji Nr. 8771, i datës 19.4.2001, Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, stipulon shprehimisht se:
“Kufiri shtetëror i Republikës së Shqipërisë është i paprekshëm. Ai tregohet me anë të shenjave të veçanta artificiale ose natyrore të vendosura mbi sipërfaqen tokësore dhe ujore. Vijat e hequra perpendikularisht (lart e poshtë) mbi vijën e kufirit në sipërfaqen tokësore dhe ujore përbëjnë përkatësisht, kufijtë e hapësirës ajrore, të nëntokës dhe të shtratit e të nëntokës së ujërave të brendshme dhe ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë”.
Për sa i takon kufijve detarë, ai sanksionon:
Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit (korsivi i autorit). Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi).
Janë ujëra të brendshme të Republikës së Shqipërisë ujërat e Detit Adriatik dhe të Detit Jon që shtrihen brenda vijës së drejtë bazë që përshkon derdhjen e Lumit të Bunës, kepat e përmendur më lartë dhe vijës së drejtë bazë që përshkon Kepin e Gjiut të Gramës, Kepin e Gjiut të Palermos, Kepin e Qefalit, Kepin e Sarandës, si dhe ujërat këtej vijës kufitare të liqeneve dhe lumenjve kufitarë.
Pas ratifikimit nga parlamenti shqiptar nëpërmjet ligjit nr. 9055, të datës 24.04.2003 Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Montego Bay, Për të drejtën e detit, të vitit 1982, Shqipëria duhet të depozitonte te sekretari i Përgjithshëm i OKB-së instrumentin e ratifikimit, përfshirë edhe listën e koordinatave të vijës bazë të bregdetit shqiptar. Por, me sa duket kjo nuk duhet të jetë bërë në atë kohë, prandaj më 24.10.2003 Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, nëpërmjet shkresës MZ/SP/53, i ka kërkuar Ministrisë së Punëve Jashtme të Republikës së Shqipërisë paraqitjen e koordinatave të vijës bazë, në zbatim të nenit 308 (2) të Konventës Për të drejtën e detit. Forcat Detare, që u njohën me këtë kërkesë në korrik të vitit 2006, i propozuan Ministrisë së Brendshme me shkresën nr. 2179 datë 03.08.2006 ndryshimin e ligjit nr. 8771 të datës 19.04.2001 Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, duke i bashkëlidhur edhe një project, i cili parashikonte paraqitjen e vijës bazë me koordinata gjeografike. Ai jo vetëm që nuk u mor parasysh, por nëpërmjet Ligjit të vitit 2008, u eliminua krejt edhe vetë vija bazë nga përshkrimi në dispozitat e Ligjit.
Por pavarësisht kësaj shkeljeje që nuk shpjegohet dot në rrethana normale, vija bazë e vendit tonë ka qenë e depozituar në Sekretariatin e OKB që përpara viteve ’90 të shekullit të kaluar, atëhere kur akte të legjislacionit shqiptar, veçanërisht Dekreti i 9 marsit 1970, e fiksoi ato në dispozitat e tij. Akti në fjalë i është përcjellë Sekretariatit të OKB. Ky veprim u përsërit edhe në vitin 1976, kur u rrit gjerësia e ujërave territorial nga 12 milje detare në 15 milje detare, çka shkaktoi edhe reagimin negative dhe mosnjohjen e saj nga disa shtete.
Kufiri detar shqiptaro – grek, në një pjesë të tij, ka qenë dhe është i konfirmuar nga pala greke. Me Ligjin 230/1936, në vitin 1936 e kishte vendosur gjerësinë e ujërave të veta territoriale në 6 milje detare. Sipas Protokollit të Firences së vitit 1925, në hapësirën detare që shtrihet nga piramida 79/III, kufiri detar ndjek perpendikularen që fillon prej saj dhe vazhdon në zonën e kanalit të Korfuzit në vijën e mesit midis dy brigjeve.
Sikurse Shqipëria ka pranuar në heshtje gjerësinë e ujërave territoriale greke në masën e 6 miljeve, ashtu edhe Greqia, në të njëjtën mënyrë ka pranuar gjerësinë prej 12 miljesh detare të shpallur nga shteti shqiptar dhe përcaktimin e vijës së kufirit detar në zonën e Kanalit të Korfuzit tek mesi i tij. Asnjëherë nuk rezulton që të ketë pasur kontestim prej qeverisë greke, përkundrazi është njohur dhe respektuar kjo gjerësi, madje edhe në dokumente zyrtare. Kjo është arsyeja pse them që kufiri shqiptaro-grek në detin Jon është ai që ka qenë, që është njohur dhe është respektuar nga të dyja palët. Prandaj, besoj se Greqia nuk mund të shpallë në mënyrë të njëanshme kufij detarë në zonat me Shqipërinë dhe as të kërkojë të shfrytëzojë pasuritë e shelfit kontinental në hapësira të tilla. Nëse do të veprohet në këtë mënyrë, atëherë autoritetet kompetente shqiptare duhet të angazhojnë specialistët përkatës që t’i studiojnë me vëmendje për të parë në se ato cenojnë apo jo kufijtë e Republikës së Shqipërisë dhe në varësi të rezultatit të përcaktojnë mënyrën e reagimit, në përputhje me mjetet juridike që vë në dispozicion të saj e drejta aktuale ndërkombëtare.
Pakti Detar – akt më i rëndë se pazaret e Zogut dhe dajës së tij Esat Toptanit
– Prof. Krisafi, ditët e fundit qeveria greke kërkoi rishqyrtimin e marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, madje duke e konsideruar këtë si prioritet të qeverisë së Athinës në lidhje me qeverinë e re të Shqipërisë. Si ju duket ky qëndrim i qeverisë greke?
– Qëndrimi i tanishëm i qeverisë greke kuptohet më mirë po të mbahet parasysh se ai vjen në vazhdën e një politike konstante, e cila ka nisur që nga 27 prilli i vitit 2009, kur në Tiranë ministrat e punëve të jashtme të të dy vendeve, Lulëzim Basha për palën shqiptare dhe Dora Bakojanis për palën greke, hodhën firmat mbi një dokument që u prezantua si Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse te shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Menjëherë pas ceremonisë së nënshkrimit, Athina u shpreh e entusiazmuar dhe gati e ekzaltuar. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe doli në shesh se e ashtuquajtura marrëveshje kishte cenuar rëndë interesat e Shqipërisë, çka shkaktoi reagimin e rretheve të gjera të specialistëve, gazetarëve, politikanëve dhe të njerëzve të thjeshtë. Në vazhdën e përpjekjeve të tyre, me nismën e Partisë Socialiste dhe një grupi tjetër partish politike, çështja i kaloi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila me vendimin nr. 15, datë 15.4.2010, e hodhi poshtë në mënyrë unanime. U vunë në vështirësi si qeveria shqiptare, e cila, duke fshehur të vërtetën e asaj që kishte ndodhur, ia paraqiti popullit të vet si një sukses të madh, ashtu edhe qeveria greke, që, nëpërmjet gojës së ministres së saj të jashtme, Dora Bakojanis, fill pas hedhjes së firmës, e kishte cilësuar si një sukses strategjik. Pala greke, e kapur ngushtë, me Notën nr. 238 të datës 25.2.2010, bëri të njohur qëndrimin e saj për “respektimin e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar në vullnet të mirë dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. Në vijim, pothuajse të gjithë ministrat e jashtëm të qeverive greke do të përsërisnin kërkesën për domosdoshmërinë e respektimit të saj. Dora Bakoyannis në datën 28.01.2010 ka deklaruar:
“Asnjëra nga procedurat e ndjekura për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, nuk mund të vihet në dyshim dhe gjithçka u realizua sipas ligjeve ndërkombëtare…”./ Vijon në numrin e ardhshëm
©️Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Vini re mire:
Ne thuajse gjysem shekulli te diktatures komuniste Shqiperia caktoi dhe ruajti te drejten e kufirit detar te Shqiperise 12 milje larg brigjeve tona dhe sapo erdhen ne fuqi demokratet vandale te Vicidolit, ne traditen zogolliane te shitjes se interesave kombetare , i falen Greqise nje pjese det shqiptar me te vetmin motivacion qe te mos cenohej karrikja e Saleh Berishes.
Andon Zako Çajupi_Robëria
O shqiptarë të mjerë, ç’u ka marrë koka erë, që punoni e luftoni për të tjerë…
Nuk ka nevoje per komente.
Edvin breku ka ne dispozicion Akademike me pervoje ne fushat e Diplomacise,,Te Drejtes Nderkombetare,Te Hartografise,Te ceshtjeve Detare dhe te historise te Maredhenieve Shteterore midis Shqiperise dhe Greqise.
Pse nuk i pyet?
Pse nuk i mbledh?
Pse nuk harton nje Strategji kombetare per ceshtjen e delimitimit te kufijve Detare me Greqine?
Perse vepron me koke te vet,si e mesojne bajlozat grekomane te tipit Dendias?
Nje gje eshte e qarte.Pasojat e nje nxitimi te dergimit ne Hage te kufive Shteterore te Shqiperise,,sikur te ishin krim lufte,,do te jene te renda,tragjike dhe te pariparueshme per Brezat e Ardhshem.
Vuri gishti kokes mire,Rame,se Tradhtia nuk Falet.
Ne fakt eshte bere, eshte procesi i 2018’s, dhe sipas eksperteve ishte mjaft i mire dhe ne favorin tone, por Ilir Meta nuk pranoi ta firmoste, sepse e dime mire qe Meta u be bashkepuntor me Saliun mbas firmosjes se “Marrveshjes” se pare dhe po ta firmoste dilte hapur tradhetite qe beri Saliu, apo nuk e ke pare sesi mbrojne njeri-tjetrin? Madje tani dalin gjithe qente e Saliut qe ishin pjese e Marrveshjes se pare dhe thone se ajo “Marrveshje” ishte me e mira pa u skuqur fare.
Hallall qumështi i nënës, e buka e këtij populli Profesor!
PPP
Shkrimi eshte shume i qarte.Qeveria Shqiptare,duhet te shprehet e ta qartesoj se ku kane ngecur negociatat.
Sa per “marreveshjen”e Lulit te rrezuar nga Gjykata Kushtetuse,organet ligjezbatuese,duhet ta kishin marre ne shqyrtim,per ti vendosur pikat mbi ï e te ndeshkoheshin TRADHETARET.Mos ndeshkimi u jep mundesi te tjereve te bejne te njejtin faj,e te ishin te “qete”.
Nga shkrimi del qarte se gjate gjithe qendrimit ne pushtet te diktatures,teritori i Shqiperise asnje moment nuk u rrezikua.Bemat e tyre ne shkeljen e te drejtave te njeriut,nuk i thelluan kunder interesave te vendit.Per ata mevetesia e Atdheut,kufiri e te tjera nuk negocioheshin. Le te mesojne e te punojne edhe keta te sotmit ne interesm te pavaresis te vendit.
Edi Rama po ia fal Greqise hapesiren detare po aq tradhetisht sa Berisha,por me dinakeri te poshter!
Edi Rama po ia fal Greqise hapesiren detare po aq tradhetisht sa Berisha,por me dinakeri te poshter!
Po mirë ju prof. Ksenofoni nuk mund të angazhoni qeverinë nëpërmjet instrumentave ligjorë?
Ja e morën informacionin që dhatë për njerëzit , si mendoni që vihen në lëvizje këta shtetarë?
Popullit i serviren gjëra të thjeshta që ti asimilojë.
Popullit nuk i intereson as deti dhe toka por mirëqënia e tij në total.
E shpjegoni dot si lidhet mirëqënia e tij me tradhëtitë e drejtuesve të shtetit shqiptar?
Akoma me idiotllëqe do merren robt e këtij vendi.
Çfarë pune tjetër kanë këta që udhëheqin popullin shqiptar?
Kur tradhëtojnë interesat e vëndit të tyre apo bëjnë pazare me to, çfarë u ndodh atyre?
Po ata vetë e dinë se çfarë dënimi marrin?
Kush e jep dënimin?
Ka shumë pikpyetje Z. Ksenofon.
Le të shohim .
Profesor! Cili eshte roli I Turqise ne anullimin e paktit detar ? Pse nuk permendet nga ju dhe te tjere ,kur vete turqit e kane pranuar qe ishte nderhyrja e turqve per anullimin e paktit detar ? Se ishin udhezimet turke te vena ne gojen e disa shqiptareve,qe me vone u konsideruan superheronj,se cfare argumenta duhej te paraqisnin per anullimin e marreveshjes? Pra komandoi Turqia z.Profesor dhe ju e te tjere shkruani teorira si kofini pas te vjelit .
@ [Grekofonaqis Hamzanaqis]
Shko bashke me Miçotaqin ne Stamboll dhe Anadoll qe te pyesni direkt Rexhep Ta-hip Erdogani!
KA QENE DHE DO TE JETE E MIREPRITUR NDIHMA E TURQISE PER RUAJTJEN E SOVRANITETIT TE SHQIPERISE.