Ish-ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili ndodhet në ‘arrest me burg’ me akuzën për shpërdorim të detyrës dhe vjedhje, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Ksera përmes avokatit të tij Genci Gjokutaj, ka dorëzuar dje rekursin duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin e tij nga burgu.
Ksera e ka bazuar kërkesën e tij në pretendimin se arrestimi i tij është i paligjshëm dhe masa e arrestit në burg, është ekstreme, për shkak se nuk ekziston asnjë rrezik të largohet nga Shqipëria, të prishë provat e dosjes, apo të ndikojë në fatin e hetimit.
Gjykata e Lartë pritet të hedhë shortin dhe të përcaktojë trupin gjykues që do të shqyrtojë dosjen. Spiro Ksera, dyshohet për akuzën e vjedhjes nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, në shumën e 30 milionë lekëve.
Sipas prokurorisë, ish-ministri në bashkëpunim me disa vartës ka firmosur tendera fiktivë, për kryerjen e disa aktiviteteve sociale, për komunitetin rom, shtresat në nevojë dhe fëmijët. Por, nga hetimet ka rezultuar se aktivitetet ose nuk janë zhvilluar fare, ose në dosje janë vënë dokumente fiktive.
