Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon një gjykim të shpejtë dhe profesional për autorët e krimeve ndaj të miturve, siç ishte dhe rasti i mostrës që i mori jetën 11-vjeçarit Julian Çela.
Më anë të një njoftimi për shtyp ky Komitet sensibilizohet me mbarë opinionin publik, i cili dënoi aktin kriminal dhe ç’njerëzor të të akuzuarit Ardian Përrenjasit. “Tashmë ndjekja e tij penale ka filluar dhe siç duket hetimet do të përfshijnë edhe verifikimin e të dhënave të tjera, të bëra publike nga mediet, të cilat hedhin dritë për faktin se i akuzuari është përsëritës, disa herë, në këtë lloj krimi.”, shkruhet në njoftim.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) bashkohet me indinjatën e thellë, të shprehur nga familjarët e fëmijëve të dëmtuar dhe mbarë opinioni publik, si dhe me kërkesën e tyre për hetimin dhe gjykimin e shpejtë e profesional të autorit të këtyre krimeve.”, vijon njoftimi.
Po ashtu, “KShH bashkohet gjithashtu në shqetësimin e shprehur, publikisht, nga shumë qytetarë se veprat kriminale ndaj te miturve, pa përjashtuar rastet e rënda si këto të fundit, janë në rritje. Në këto rrethana mendojmë se situata kërkon një vëmendje më të madhe nga strukturat e shtetit, nga familjet dhe e gjithë shoqëria dhe studime te thelluara e shumëplanëshe në këtë drejtim. Megjithatë është pranuar nga të gjithë se edukimi, informimi i të miturve dhe komunikimi me ta, janë faktorë të rëndësishëm për parandalimin e ngjarjeve të tilla kriminale dhe ndërgjegjësimin e të miturve për të mos rënë pre e keqbërësve.” lexohet në njoftim.
Veç kësaj, vijon në njoftim, “rezulton evidente edhe nevoja për një analizë të thelluar e situatës nga organet e drejtësisë, sepse rastet e fundit evidentojnë qartazi nevojën për rritjen e kapaciteteve investiguese, proceduese dhe gjykuese të çështjeve penale të kësaj natyre, me qëllim që ky kriminalitet të zbulohet, procedohet dhe gjykohen shpejt, pa cenuar parimin e procesit të rregullt dhe duke aplikuar dënime që janë në përputhje me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit të saj.”
KShH shpreson që KLD do të analizojë me thellësinë e duhur situatën dhe do të nxjerrë përgjegjësitë e mundshme të organeve të drejtësisë, jo vetëm për çështjen konkrete, por dhe për menaxhimin në përgjithësi të drejtësisë lidhur me kriminalitetin ndaj të miturve. Kjo do të ndihmojë në dhënien e drejtësisë dhe do të rritë besimin e shtetasve për këto organe.
Me këtë rast, KShH i sugjeron gjithashtu medies që, në respekt dhe zbatim të Kodit të Etikës Gazetareske, në faqet e shtypit apo në ekranet televizive, të mos publikohen fotot e të miturve, viktima të veprave kriminale, si dhe të dhënat e tyre personale.
Liria e shtypit dhe informimi i publikut të gjerë është e garantuar me Kushtetutë, megjithatë, në raste të tilla, publikimi i fotografive të viktimave nuk është domosdoshmëri për prezantimin e ngjarjes, në të kundërt, fotografitë dhe të dhënat personale të viktimës së mitur, mund t’i shkaktojë dëm atij. Ndalesa të tilla parashikon edhe në ligjin “Mbi ruajtjen e të dhënave personale.