Kthimi i gjeneralit serb

J L

-Ai erdhi me ushtri për të masakruar Dukagjinin dhe pushtuar Shkodrën dhe u kthye në një thes me kocka.

-Ngjarje reale: Fragment nga libri për krimet dhe disfatën e ushtrisë jugosllave në Dukagjin, Prill 1941.

-Për dijeni: Atyre që po realizojnë filmin serbo-shqiptar, për këtë ngjarje, me të pavërteta

 

Nga NDOC LOGU

 

1.

Martini ishte nisur nga Dukagjini për në Shkodër. Ishte dita e fundit  i prillit 1941. Në Gur të Kuq, dy javë më parë, ishte bërë një luftë e madhe. Vetë nuk kishte shkuar. Atje ishte i vëllai, i cili i kishte thënë kur u nis: “Ti rri në shtëpi… Po shkoj unë të luftoj me serbët… Në se vritem unë, t’i kujdesu për të na rritur fëmijët”. Kjo porosi e vëllait e kishte mërzitë më tepër. Por kur i vëllai u kthye gjallë, ai ishte çliruar nga ai ankth i madh që e mundonte.  Vëllai, vetëm sa ishte plagosur, për fat, megjithë rrezikun e madh, kishte shpëtuar për fije të flokut, siç i thonë.

Kur qe ulur rrugës Gurit të Kuq, ishte tmerruar, kishte shtangur nga pamja e saj. Kishte parë me qindra të vdekur, kryesisht nga armët, por edhe nga goditjet e tjera. Plagët i kishin kryesisht në mes e lart, por kishte edhe me plagë në kokë. Kjo tregonte se ata që kishin qëlluar, ishin snajper të mirë. Kishte edhe të vdekur me këmbë të thyera e trup të shtypur nga gurët. Kur kishte zbritur në grykën e Forcës, e tërë ajo pamje përpendikulare drejt thellësisë së përroit Lebriqes, jehonte nga vajtimet e qindra grave, që Martinit ju duken shumë, sa një divizion. Pas tyre jehonin edhe kakarisjet e një pafundësi korbash e sorrash, ku të gjitha së bashku, formonin një si simfoni mortore me të vdekur të pavarrosur, pa varre.

Tërë atë rrugë ju desh ta kalonte me bllokimin e frymëmarrjes nga ai tmerr që po shihte. Në gojë e hundë vuri një bar aromatik që të mos i përzihet. Përpjekja e disave për t’i varrosur kishte dështuar edhe për arsye se, terreni ishte i thyer e shkëmbor. Përveç, kësaj ata të vdekur, mbanin mbi vete edhe mallkimin dhe përbuzjen e natyrshme të pushtuesit kriminel, ku njësia e tyre kishte vrarë njerëz. Për këtë kishin ardhur nga ai vend i huaj Jugosllavia. Në të vërtetë, ata, ose shokët e tyre, kishin vrarë njerëz të pafajshëm në Brasht e Dardhë. Ndaj nuk kishte pse të kishin fat më të mirë se viktimat e tyre.

Edhe të vdekur serbët e malazezët të shkaktojnë probleme, bëhen të  padurueshëm,- mendonte me vete Martini duke vijuar rrugën. Kur kaloi ngushticën e lumit Kir, për të dalë në Prekal, u duk se doli nga Ferri i Dantes. Nuk kishte parë as dëgjuar kurrë në jetën e tij, për një varr natyror kaq të madh.  I dukej se aty ishin grumbulluar tërë të vdekurit e shekujve. Kur të kthehem nga Shkodra, mbas dy ditësh, ndoshta do t’i kenë marrë trupat e të  vrarëve… Rrugën do ta bëj me i qetë…

 

2.

Martini kishte zbritur në Shkodër, për të blerë nja 30 okë drithë (rreth 45 kg) me synimin për të kaluar edhe disa ditë me bukë për fëmijët, të cilëve ju kishte lënë vetëm tre vakte ushqim për dy ditë. Jepu të hanë edhe kërtolla nga ato që kemi ruajtur për ditë të këqija, i kishte thënë Martini gruas kur qe nisur. Mbas disa javësh do të rriten edhe edhat e qengjat për t’i shitur, dhe e kapërcejmë rrezikun e urisë, arsyetonte Martini.

Kur ra në Shkodër, e pa se, paratë që kishte, nuk i mjaftonin për të blerë as gjysmën e drithit që kishte menduar. Pushtimi fashist i vendit i kishte shtrënguar akoma më shumë litarët e varfërisë. Çmimet e drithit ishin rritur dy e tre fish. Jemi të pushtuar. Jemi në luftë. Jemi pa shtet, të braktisur edhe nga mbreti… Legjenda e Misrit dhe kohët migjeniane vazhdojnë, e asaj nuk po i duket fundi, arsyetonte me vete Martini.  Viktimat e luftës e të urisë, së shpejti, do të futeshin në garë njëra me tjetrën.

Ja qanë hallin dikujt. Po kush të dëgjon. Edhe tregtarët e matrapazët e drithit janë bërë të pashpirt. Një lloj si pushtuesi. Ata nuk të vrasin me plumb, por të pinë gjakun me pambuk e me ngadalë, derisa të biesh përtokë. Një lloj është, vdekja. Që të dyja viktima lufte. E para për pushtim e sundim… E dyta për fitim.. “ Durimi është mjeti më i mirë i ngushëllimit të jetës…” i tha dikush në pazarin e misrit.

-Çka don me thanë kjo- e pyeti Martini, bashkëbiseduesin. Këtë e ka thënë një gazetë fetare, i përgjigjet tjetri.

–Po për drith me çmime më të lira, për beze e opinga me vesh fëmijët a thotë gja? – e pyet Martini.

-Jo, jo veç me ba urim. Jo more jo… Me këto kopalla që po më thue ti, nuk ma mush kush mendjen mue- jo kundërshtoj Martini, tek merrte rrugën nga pazari i zi i drithit, për t’u kthyer te fëmijët e uritur në Dukagjin, me gjysmën e thesit me drith…

Këto marrina m’i ka thanë nga tre herë  në ditë B. Pulaj, frati ynë… Po ato nuk hahen… mue më duhet drith për të pshtue fmijet nga uja…

 

3.

Rruga në kthim, deri në Prekal, i kaloi mirë, pa e  ndjerë fort. Puna ishte tek malorja e Gurit të Kuq, thikë përpjetë. Po nejse, barrën e drithit nuk e kam të ranë, fliste me vete Martini. Mendimi i shkonte tek ai tmerr që kishte parë dy ditë më parë, me viktimat e luftës serbe e malazeze me Shoshin. Tek e fundit, atë që kërkuan, atë gjetën. Përse duhet të jemi kaq të dhimbshëm me pushtuesin që erdhi për të na vrarë? Ata tërë jetën na kanë vrarë, në shtëpinë tonë, e ne, s’ju kemi dhimbur kërrkujt kurrë.

Me këto mendime, duke i bluajtur në kokë, e si pakujtuar, fillon ngjitjen e malores Gurit të Kuq. Po ç’të shihje. Dihama dhe vajtimet e grave të huaja me të zeza vazhdonte akoma mbi ata të vdekur e të dekompozuar, të kthyer në ushqim për grabitqarët. Diku në anë të rrugës, rrëzë një guri, shikon një grua rreth të 55-save tek godiste diçka me një sopatë bishtshkurtër nga ato që kishin ushtarët me vete. Martini afrohet dhe shikon përpara gruas një trup djali vigan, i vrarë në atë ndeshje fatale të 15 prillit 1941.

Martini i flet dhe gruaja reagon. Ajo fliste një shqipe të çalë. Gruaja serbe jetonte në një fshat të përzier, shqiptaro- serb. E kuptonte gjuhën tonë, por nga urrejtja s’kishte dëshirë ta fliste. Për momentin ajo ishte e detyruar. Kishte ardhur për një hall të madh… Ju kishte vrarë djali… Ajo kishte bërë tre ditë e tre net rrugë në këmbë për të ardhur, kërkuar e për ta marrë djalin e vdekur, ashtu si të mundet. Me vështirësi e kishte gjetur.. Kishte pa në qindra të vrarë. Me vështirësi e kishte njohur, se, trupat e të vdekurve kishin filluar të kalben e dëmtuar nga grabitqarët. E kishte njohur të birin nga disa shenja. Në anën e majtë të mjekrës, djali kishte pasur një nishan, të cilin i biri nuk e rruante. Gishtin e mesit të këmbës së djathtë e kishte pak më të shkurtër. Megjithëse i nxirë i tëri, gruaja e dalloi djalin nga qimet e nishanit dhe gishti i këmbës më i shkurtër se të tjerët. Pasi u bind se i vdekuri është i biri, serbja, kishte filluar nga përgatitja për ta marrë. Po si? Një tmerr e çudi, që Martini nuk e kishte pa as dëgjuar kurrë.

Serbja e kishte çarë barkun e djalit dhe i kishte nxjerrë të brendshmet, si një kirurge barbare, nga ato të gestapos, një lloj siç çanin serbët shqiptarët e pafajshëm dikur. Por me një ndryshim, se serbët i çanin shqiptarët të gjallë, e ashtu i linin.

Më pas, gruaja, me sa fuqi që kishte godiste me sopatën xheniere gjymtyrët e djalit të vdekur.

-Ç’po bënë kështu?- e pyet Martini, gruan serbe, e cila kishte lidhur gojën e hundët me cepat e shamisë së zezë që mbante në kokë.

-Do ta marr… nuk do të le në këtë vend të mallkuar, – përgjigjet gruaja, tërë nerva.

-Dikujt mund t’i duket i mallkuar, por për ne të tjerët, ky vend është i bekuar, e ndërpreu Martini, dhe e pyeti:

-Po përse i mallkuar? Erdhi vendi ynë atje për t’iu zënë hisen e diellit, apo erdhi ushtria serbe këtu, për të na marrë ato që na përkasin ne, tokën, lirinë, jetën?

-Djali im është ushtarak… Ka qenë në shërbim të atdheut të vet- ja kthen gruaja e zënë ngushtë.

-Atdheun e kishte atje, në Serbi, jo tek ne, vijon Martini. Ndërkohë hedh sytë poshtë, anash e lart dhe shikon me qindra gra të tjera që kishin ardhur për të kërkuar e marrë të vdekurit e vetë.

-Po si do ta çosh? – e pyeti Martini gruan serbe.

-Ja kështu… Do ta copëtoj, ta fus në një thes mushamaje që e kam sjellë me vete.

-Më mirë varrose këtu tani për tani… Më vonë e merr. Ne shqiptarët, veçanërisht Dukagjini, i respektojmë të vdekurit, edhe pse kanë ardhur si pushtues. Rruga është e gjatë, pesha është e rëndë…

-S’ ka gjë do të eci me ditë, me javë… me muaj… Të thashë, nuk e le këtu… Jam nënë… E kisha djalë të vetëm… E rrita me halle shumë. Ishte gjysmë jetim… Do ta varrosi atje tek i ati, se edhe ai është vrarë po në këtë moshë, po në pranverë, po në muajin prill, po për këtë arsye, po në një vend të huaj…

– Po ku?- e pyet dukagjinasi gruan. A mos ka lidhje edhe vdekja e burrit tuaj me Dukagjinin?

-Këto pyetje më shkaktojnë dhimbje- shmanget gruaja nga biseda. Ajo nuk desh ta pohonte po nëpër dhëmbë thoshte se edhe ai në Shqipëri ishte vrarë. Ky fakt kishte shërbyer si motiv i mjaftuar që dhe i biri të vinte për të vijuar misionin e mbetur ëndërr nga i ati, ose më saktë, për t’u hakmarrë. Por nuk qe e thënë. As fati i tij nuk ndryshoi nga ai i babit të vet.  Edhe pse tepër i rëndë, ai fat ishte i arsyeshëm, i justifikuar edhe nga natyra.

 

4.

Si pa kuptuar, edhe Martini u bë pjesëtar i kësaj pune përgatitore për kthimin e këtyre ushtarëve të vdekur. Më saktë, të njërit prej komandantëve të tyre, që kishte shkelur Shqipërinë duke mbjellë terror e derdhur gjak të pafajshëm. E tani kthehet në një thes, mish e kocka bashkë.

Tashmë gruaja serbe, e kishte copëtuar me sopatë trupin e djalit dhe e kishte futur në thes. Në vend vdekje të tij kishin mbetur vetëm disa pajisje e gjëra personale të të vdekurit. Gjaku i derdhur kur kishte marrë plagët, kishte rrjedhur poshtë e formuar një ngjyrë të kuqërremtë. Midis gjakut ishin rritur disa fije bari të njomë të asaj pranvere të trishtë. Kjo tregonte se, i vdekuri kishte kohë që qëndronte aty.

-Do t’i marr ca fije nga ky bar me gjithë gjak… T’i mbjell në një vazo apo në kopsht. Është rritur me gjakun e djalit tim- tha me vete gruaja. Dhe ashtu bëri.

Nëna e të vdekurit, i mori njërën pas tjetrës tërë gjërat personale të të birit. Së pari ajo mori rripin e mesit, i cili në tokëz (katramë) kishte shqiponjën serbe me një kokë, emblemë e shtetit serb. E ëma e merr, e përkëdhel me dorë, e puth e shtrëngon në gjoks. Këto lloj rripash , me shqiponjë në tokëz, i mbanin vetëm oficerët, jo ushtarët.

-Kësaj embleme i ka shërbyer… Për këtë qe betuar… Për këtë dha edhe jetën – fliste gruaja me vete.

-Po djali, ishte oficer apo ushtar, -e pyeti Martini.

-Ta thashë edhe një herë. Ai ishte oficer. Ishte komandant i një reparti në Serbi. Ishte me shkollë. Edhe këtu ashtu erdhi… erdhi në kalë shalë… E tani kthehet kështu… Po s’ka gjë. Rendësi ka që kthehet… Nuk e len nëna këtu në këtë ferr…

Më pas ajo hap çantën personale të ushtarakut të lartë. Kujton se mos do të gjente dokumentet, ditarin për zhvillimin e luftimeve, emrat e shokëve të vrarë, armën e brezit apo fishekë. Por jo, në çantë s’ka gjëra të tilla. Rreth vend vdekjes kishte vetëm gëzhoja fishekësh të një arme automatike dhe pistolete. Kjo tregon faktin se i vdekuri kishte luftuar deri në mbarim të fishekëve. Pastaj ishte tërhequr aty rrëzë gurit ku s’kishte lëvizur më…

Kur hapi çantën e ëma tronditet. Ajo shkrehet, bie përtokë… Mbështetet tek thesi me trupin e djalit të copëtuar. Fillon dihamën më të madhe dhe vajton në gjuhën e zakonit të vet. Dridhet e tëra nga tmerri duke shtrënguar me të dyja duart thesin me mish e kocka bashkë, ku për herë të parë i thërriste djalit me emër: Mirko i nënës… Sa shumë paska vuajtur për të vdekur…

Po ç’të shihje, ç’priti e ç’gjeti në çantën e djalit? Ajo gjeti atë që nuk e priste. Gjeti atë që e tmerroi gruan serbe. Në çantën e ish oficerit të ushtrisë jugosllave, ajo, kishte gjetur, një plënc bagëtie, ashtu siç kishte ndodhur… Kjo ishte më e rëndë se vdekja. Në njërën nga anët e plëncit, dalloheshin qartë shenjat e dhëmbëve të të vdekurit. E ëma tani vajton jo vdekjen, por vuajtjet e djalit për të vdekur, pasi kishte marrë plagët fatale. Ai kishte jetuar edhe disa ditë a netë, pasi kishte marrë plagët vdekjeprurëse. Ishte detyruar të hante nga plënci i bagëtisë, pa zier as pjekur, për të përballuar urinë dhe plagët e rënda., për të mbijetuar… Por jo, që të dyja rezultojnë fatale, mjafton edhe njëra prej tyre. I tillë do të ishte fati, për ish oficerin, i cili kishte ardhur me tërë ato salltanete e pretendime. Ai nuk e kishte njohur, as përfill, forcën e gjeneralëve popullor të Dukagjinit.

Ndërkohë, gruaja serbe, me të dy duart, shtrënguar pas thesit, duke qarë e vajtuar kishte rënë në një si kllapi gjumi. Fliste përçart. Vajtonte e pyeste djalin e vet.

-Si ndodhi kështu?… Ti më pate thënë se ushtria jonë është e pathyeshme… Më pate thënë se edhe neve, shumë shpejt, do të bëhemi të pasur, të lumtur… Do të kemi shtëpi të mirë… do të marrim tokë boll… Do të kemi edhe dete… Shkodra është e bukur më thoje… Këtë më pat thënë edhe yt atë… Porse na ra ky fat i zi, babait tënd, ty,… mua… ne të gjithëve…? Përse ky mallkim kaq i rëndë për ne…? Si mundet t’iu mposhtin ca komit shqiptarësh…?

-Gruaja në kllapinë e gjumit, sikur i ushtojnë veshët, sikur i përgjigjet djali si një fantazmë e penduar…

-Jo moj nënë jo… ata ishin shumë… Na zunë ngushë… Na zunë në befasi,,, Aty ishte shkëmb, skëterrë… Ata ishin trima.. Ata luftonin si dragoj… Ata ishin të pamëshirshëm. Ndoshta kjo vjen edhe nga fakti se, ne serbët, ua kemi nxirë jetën shqiptarëve…

Pas kësaj skene tepër tronditëse, Martini e lëviz gruan serbe. Ajo ngre kokën e lagur nga lotët dhe djersët, – pyet, ku jam? Martini i tregon.

-Jo, jo kundërshton gruaja… Unë isha me Mirkon, me djalin tim. E pashë në krye të ushtrisë duke parakaluar me shpatën që e i kishte lënë i ati.. E pashë… e pashë… Ai është gjallë… Pas pak çastesh, gruaja del nga gjendja, i dridhet i tërë trupi, dhe e shikon veten të mbështetur tek thesi me trupin e djalit të vdekur…

 

5.

Tani çdo hamendësi kishte marrë fund. Çdo gjë ishte sqaruar. Përballë kishin maloren e Gurit të Kuq. Rruga ishte thikë përpjetë. Dielli përvëlues i asaj pasdite, era e rënë e të vrarërve, mushkat e ushtrisë serbe të vrara dhe të rrëzuara në atë terren shkëmbor, vajtimi i grave serbe e malazeze që kërkonin të afërmit e vet, e bënin këtë rrugë tepër të vështirë për t’u kaluar. Shtojë këtyre edhe ngarkesat në shpinë. Dhe Martini, si për të mbetur dëshmitar i disfatës së kësaj ushtrie, nuk i ndahet gruas serbe. Ai edhe e urrente, por edhe i vinte keq.

Ngarkesat i  mbanin me radhë… Ecnin e pushonin. Që të dy i shihnin me çudi pasojat e luftës, por nga këndvështrim të ndryshëm. Martini si përfaqësues i fitimtarëve.  Gruaja serbe e anës të humburve. Më qartë, dy herë e humbur.

Kur arritëm në grykën e Forcës, u shplodhën pak me gjatë. Pikërisht këtu ju kishin zënë prit, ushtrisë serbe nga shoshjanët. Grumbujt e gëzhojave tregonin pozicionet e luftimit të trimave të Dukagjinit. Diku më tej, një grumbull gëzhojash më të mëdha se të pushkëve. Këto janë gëzhojat e mitralozit të Lulash Stakës, mendonte Martini, dhe ashtu ishte. Martini i tregon gruas serbe, sesi ushtria e djalit të saj, pikërisht këtu, ishte zënë si në çark. Nga lart duket i tërë terreni i luftës. Nëna e oficerit, e shikonte terrenin e luftës si e tmerruar.

-Mos u trondit-  i thotë  Martini. Humbja e juaj mund të ishte më e madhe. Kur ushtria juaj u mund, ata që shpëtuan gjallë, i çarmatosën e i lanë të lirë të iknin në vendin e tyre… po të ishim ne si ju serbët, të gjithë do t’i vrisnim. Por nuk e bëmë këtë. Ne kemi besë,  kemi tradita, jemi njerëzor. Duhet ta dish ti, se ne shqiptarët, na janë vrarë më shumë njerëz nga pushtuesit sesa na kanë vdekur nga natyra…Por luftëra si kjo, na i kanë imponuar të tjerët ,pushtuesit… Ne nuk kemi luftuar kurrë jashtë kufijve tanë. Ne vetëm jemi mbrojtur. Kjo tregon se, ne, jemi popull paqësor. Serbët e malazezët na kanë sjellë pjesën më të madhe të gjakderdhjes e të tragjedive tona. Padrejtësitë, do të kenë dikur një fund të palavdishëm, të turpshëm.

-Si për t’iu shmangur ligjëratës Martinit, gruaja serbe e zënë ngushtë, shkon e kap një grusht gëzhojash. Ja këto kanë vrarë. Cila nga këto e ka çuar plumbin në trupin e djalit tim? – pyet ajo veten.

Ndërsa këta shplodheshin, Martini argëtohej e serbja tmerrohej nga ato pamje, ku dy forca, dy javë më parë, kishin ndarë fitoren e humbjen, gra të tjera, zbritnin poshtë drejt asaj skëterre, të tjera  ngjiteshin me të vdekurit e vet. Dy gra të tjera i kishin gjetur të afërmit e vet. Njëra kishte burrin e tjetra vëllanë. Ato kishin ndërtuar nga një vig (tip barele dore) për secilin. Të dy gratë, ecnin nga një copë rrugë me njërin. Pastaj e linin në rrugë, ktheheshin e merrnin tjetrin, duke e transportuar që të dy me radhë.

Martini me gruan serbe ishin udhëtarët më të çuditshëm të asaj dite. Ishin kontradiktor, kundërshtarë për jetë a vdekje, armiq të betuar. Vetëm rruga dhe halli i serbes i bashkonte. E megjithatë, ata ecnin e debatonin, grindeshin e asnjëherë nuk pajtoheshin. Që të dy mbanin ato pozicione që buronin nga përballja ushtarake në Gurin e Kuq me 15 prill 1941. Kur ata po zbrisnin shpatin e malit të Shoshit (nga lindja) për në Dardhë, Martini i thotë serbes:

-Ja këtu, djali yt ka vra njerëz të pafajshëm. Gruaja revoltohet e kundërshton.

-Jo, jo, djali im nuk ishte kriminel. Djali im nuk ka vra.

-Nëse nuk ka vra vetë, ai ka urdhëruar të tjerët. Ai ishte oficer, apo jo, kundërshton gruan.

-Atë e urdhëruan të tjerët, që të vinte këtu.

-Ashtu mund të jetë, por ai e pagoi vetë me kokë, këtë krim, replikon Martini.

-E shikon këtë lumë (lumin e Brashtës) i shikon këto përrenj, i drejtohet Martini gruas fatkeqe. Shumë herë janë skuqur nga gjaku i njerëzve të pafajshëm që na kanë vrarë serbët e malazezët. Kështu na kanë vra në qafën e Agrit, në qafën e Boshit, kudo në Shalë e në Shosh. Kështu na kanë vrarë prijësit tanë, bajraktar, udhëheqës e gjeneral popullor. Serbët e malazezët i kapnin meshkujt tanë, i lidhnin, i torturonin. Pastaj i  vrisnin. Po si? I çanin me thikë në bark, i linin të vdisnin ashtu për gazep. Plaçkitnin gjithçka, pastaj digjnin edhe shtëpitë… Vrisnin gra, fëmijë e pleq. Këto masakra kanë edhe këngë të trishtueshme.

“Mali i Zi tash po na vjen,

gja për s’mari s’po na len,

gra e fëmija tash po  nai pret,

kulla e shpija po na i djeg…”

“Këto janë këngët e vendit tuaj,- thotë serbja që deri atëherë kishte qëndruar gojë mbyllur.

-Ashtu është, por ato dalin nga shpirti e gjaku i atyre krimeve që kanë bërë ata, ushtarak si këta të tanishmit, ja kthen Martini.

A e din pse? Vetëm se jemi shqiptarë, se duan të na shfarosin, të na zaptojnë vendin .

-Unë nuk i di këto. Djali ime, s’ka përgjegjësi se ç’kanë bërë të tjerët… Tash nuk mund të gjykoj djalin tim. Të thashë edhe njëherë, jam nënë… flet gruaja e revoltuar.

-Djali yt erdhi për të çuar në fund krimin që nuk e bëri dot i ati, burri yt,- vijoj Martini. Këto i bëjnë vetëm ata që kanë në gjak krimin. Ndaj ju jeni mbartës të tragjedive, ju shkaktoni të tjerëve tragjedi. Ndaj tragjeditë si kjo nuk do t’u ndahen kurrë.

Tani nëna e oficerit të ushtrisë jugosllave, ndjehet e lodhur nga rruga e gjatë. Ndjehet e dërmuar në shpirt. Edhe tregimet e Martinit e kishin lodhur pa masë. E kishin futur në mendime. “Më mirë të mos e kisha takuar këtë njeri. Të paktën tërë këto nuk do t’i kisha dëgjuar. Më mirë të mos i dija krimet që kanë bërë ushtritë e vendit tim. E pse jo edhe të burrit e djalit tim. Edhe nëse është kështu, unë, nuk mund të mallkoj djalin për së vdekuri. E kisha të vetmin gëzim jete. Mundet që këto edhe të jenë të vërteta. Ky njeri nuk ka pse të gënjejë. Pastaj tërë këto raste nuk mund t’i sajonte vetë. Ky duhet të jetë njeri i mirë”.

Po të ishte tek ne ky, nuk do t’i fliste askush. Përse vallë duhet të ndodhin të gjitha këto, ndaj një populli tjetër, të cilët fati, jeta, i vuri që të jetojnë afër njeri- tjetrit? Po sikur të na t’i kishin bërë, këto ndaj nesh, a do t’i duronim vallë.” – mendonte gruaja fatkeqe.

 

***

Ndërkohë, rrugës së përbashkët të këtyre njerëzve, që rastësia e Martinit dhe fati i zi i gruas serbe i kishte bashkuar, po i  afrohej fundi.

-Tani do të ndahemi,- i tha Martini.

-Si do të ndahemi,- e pyet gruaja serbe.

-Ashtu siç u takuam.

Por desha të të them një gjë: “Në se ke djem të tjerë mos i lerë të vinë më këtu si pushtues. Si miq po. Ky vend e ky popull do lirinë, nderin e jetën. Për këto sakrifikon gjithçka…

Dhe kështu gruaja serbe, kapërcen kufirin. Ngarkuar në shpinë me trupin e djalit të vdekur dhe fatin e vet të zi, ashtu si qindra gra të tjera, ecte e ecte në atë pranverë e në atë rrugë të gjatë, pse-në e së cilës dhe mesazhin e saj, tashmë e kishte kuptuar. E si kujtim, nga Shqipëria, do të ruajë për tërë jetën, tufën e barit që kishte mbirë në gjakun e djalit të saj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *