Nuri Plaku
Jashar Çepele është një nga protagonistët e heshtur të LANÇ-it në zonën e Roskovecit, kryetar i KANÇ të Jagodinës së sipërme, personi që ka ecur gjithë jetën në një shteg të ngushtë kufizuar nga dy plumba. Plumbi i parë i përkiste armës së Ballit Kombëtar dhe kur u shkrehë, i kaloi aq pranë sa vetëm rastësia e shpëtoi prej tij. Ndërsa plumbi i dytë, fërshëlleu në kohë paqeje, doli nga arma e “”xhelozive” dhe mërive fshatareske të zonës dhe hapi për dhjetra vjet portën e rëndë të harresës. Por Jashari eci qetë – qetë nëpër atë shteg të rrezikshëm fati duke lënë mbrapa tij, gjurmë të thella ndershmërie. Dhe pas një heshtjeje të gjatë dhjetra vjeçare, këshilli i bashkisë Roskovec, e shpalli këto ditë “Qytetar nderi”. Është një nder i merituar prej kohësh, por i ngrirë nga politika e monizmit për shkaqe absurde që shkonin deri në grotesk. Tashmë shoqëria e sotme demokratike, me aktin e saj fisnik, zyrtarizoi rehabilitimin e figurës së tij dhe shlyerjen e një borxhi të mbetur peng në kujtesën historike të kësaj treve.
***
Jashari i përket atij grupimi luftëtarësh që u angazhuan të parët në revoltën antifashiste të zonës. Ai banonte në Jagodinën e sipërme apo Jagodinën myslimane siç quhej dhe konsiderohej njëri nga burrat më serioz e më të rëndësishëm të këtij fshati. Pikërisht për këtë arsye, më 10 shkurt të vitit 1943, u zgjodh Kryetar i Këshillit ANÇ të fshatit dhe filloi aktivitetin ilegalpër kryerjen e detyrave të ngarkuara.
Fisi i dëgjuar i çepeleve, ka qenë vatra e parë e kësaj lufte që u ndez në zonën e Roskovecit. Tofiku, i biri i Ali Çepeles, tregëtarit dhe pronarit të madh të tokave, ish nxënës në liceun e Korçës, braktisi studimet dhe u mor me lëvizjen komuniste të zonës. Qazim Çepele, pasanik me rreth 40 ha. tokë në fshatin Matkë, ishte kryeplak i fshatit,punonte ngushtë me lëvizjen dhe ishte krahu i djathtë i Jasharit. Sali Çepele, vëllai i vogël i Jasharit dhe Riza Çepele, vëllai i kryeplakut, Dane e Lame Çepele, kushërinj të tyre, kishin hedhur armën supeve që në vitin 1942. Të gjithë këta djem, ishin të parët që u organizuan sepse Tofik Çepelja ishte anëtar i celulës së partisë në Roskovec dhe aktivitetin e tij në popull e filloi pikërisht me organizimin e fisit të tij. Ata ishin pjesë e njesitit gueril të fshatit dhe ishin rreshtuar në grupin e parë për kryerjen e aksioneve antifashiste dhe krijimin e çetës së Jagodinës. Së bashku me Sotir Kolën nga Jagodina kristiane, Trifon Banen, Tafil Kumanakun etj, ata organizuan dhe morën pjesënë aksionin e Pleshivës më 24 korrik 1942 për prerjen e linjave telefonike, nga të cilat u morën 60 metro tel dhe, dy ditë më vonë në Pobrat, ku u morën 100 m. tel. Këto aksione bën bujë të madhe në radhët e armikut dhe nga ky moment, në aksin rrugor Roskovec – Berat, komanda italiane vendosi rojat e patrullimit ç’ka tregon për rëndësinë e madhe politike që i dha pushtuesi këtyre akteve. Ndërsa Jagodina u vu në rrethin e kuq të surveimit.
***
Veç surveimit të fashizmit, specifika luftarake e kësaj zone, ndryshe nga rajonet e tjera të prefekturës së Beratit, e bënte mjaft të vështirë aktivitetin e Këshillave Antifashistë të fshatrave, pasi këtu vepronte terrori i zi i kriminelit Isa Toska.
Më 10 Janar 1943 në Jagodinë u formua çeta e parë partizane për rajonin e Roskovecit me luftëtarë nga fshatrat Jagodinë, Marinez, Belinë, Suk etj. Më 13 mars 1943, kjo çetë,me në krye komandantin e saj Sotir Kola, në bashkëpunim me çetën e Skraparit, organizuan pritën e parë kundër Isa Toskës në Vaun e Rosave midis fshatrave Marinez e Belinë. Këtu, pas një përpjekjeje të gjatë, krimineli i shpëtoi rrethimit dhe nga radhët partizane ra dëshmori i parë i kësaj zone, Tefik Lapani. Kjo datë, shënon edhe fillimin e aksioneve të ashpra nga të gjitha palët. Forcat partizane organizonin prita dhe sulme të befasishme, ndërsa pushtuesit italian filluan të vinin në përdorim armatimin e rëndë, autoblindat dhe aeroplanët.
Mbas kësaj humbjeje, terrori dhe krimet e Isa Toskës nuk kanë kufij. “Gjendja në Roskovec është e turbulluar, – shkruan në ditarin e tij dëshmori Alush Grepca më 15 prill 1943, – ca ikin e ca tremben. Edhe personeli i komunës është larguar. Isa Toska , marshon nëpër qytet dhe vret persona që udhëtojnë për në Fier e Vlorë, i zbret nga makina, i grabit dhe i pushkaton.”
Ndërsa nga sulmet e partizanëve, as makina e postës italiane nuk udhëtonte e vetme në rrugë, pa u shoqëruar me ushtarë e mjete të blinduara.
Midis këtij terrori Jashar Çepele vazhdonte aktivitetin e tij për shtimin e radhëve partizane me djem të rinj nga populli dhe strehimin e sigurimin e aktivitetit të figurave kryesore të lëvizjes. Shtëpia e tij dhe e kryeplakut të fshatit u bën bazat më të rëndësishme të luftës në Jagodinën e sipërme. Gjinë Marku, Zylyftar Veleshnja, Hysen Velmishi,Sabri Sevrani, Kamber Halilaj etj., kishin në familjet e çepenjve, bazën e tyre më të sigurtë dhe furnizimin më të bollshëm me ushqime. Madje aty, bujtnin edhe grupe partizane dhe priteshin me sofrat e shtruara prej këtyre shtëpive. “Çetat partizane, – shkruan në ditarin e tij Alush Grepca, – pasi kalojnë nga Kurjani e Velmishi, drejtohen për në Jagodinë. Atje priten mirë nga populli. Shetitin me qerre e flamurë përpara katundit, si dhe Marinzës e Matkës.”
“Isha i vogël, – kujton Bajram Çepele, pasardhës i këtij fisi, – kur në oborrin e shtëpisë së Jasharit erdhën grupe partizanësh për të kaluar drekën sipas ftesës së tij. Ne u grumbulluam nga kureshtja dhe shikonim armët e ndryshme që ata i sistemonin para shtëpisë.”
***
Pas kapitullimit të fashizmit dhe vrasjes së Isa Toskës, gjendja në zonën e Roskovecit u qetësua disi, pastaj filloi të rëndohej sërish. Kontrolli nazist nga njera anë dhe humbjet politike të Ballit Kombëtar nga ana tjetër, e rritën në një shkallë më të lartë intensitetin e krimeve dhe raprezaljeve të kryera në popull.
Më 12 korrik 1944 Asim Xhindolja, njëri nga eksponentët më të rëndësishëm të Ballit në këtë zonë, në krye të një numri ballistësh vërshoi në Jagodinë për tu hakmarrë për largimin nga radhët e tij të gjashtë ushtarëve të rekrutuar para nji jave nga ky fshat. Sipas informatave të mara trej tij, ushtarët ishin larguar nga radhët e Ballit me ndërmjetësinë e Jasharit dhe Qazim Çepeles. Jashari, sipas udhëzimeve të komandës partizane, ju kishte dërguar një letër me kaçatorin e fshatit ku ju kërkohej të mernin në fundjavë leje nga komanda, gjoja për të marë veshje dhe ushqime dhe të hidheshin në radhët partizane. Të gjashtë djemtë kishin ardhur në shtëpi, kishin qendruar pak orë dhe ishin nisur sërish për tu bashkuar me partizanët. Kur u mor vesh ky aksion, Xhindole u xhindos dhe ende pa u zbardhur dita vërshoi në Jagodinë. Arrestoi të parët Jasharin dhe Qazimin e pastaj, burrat e tjerë të fshatit dhe i vuri përpara duarlidhur anës lumit në drejtim të Fierit. Në krye të tyre ecnin Jashari me Qazimin, të dy të lidhur dorë për dore me njëri – tjetrin. Kur mbriti në fshatin Metalli e priste Rexhep Kosova, një tjetër eksponent i Ballit në zonën e Myzeqesë,qendroi aty dhe bëri gjyqin e hakmarrjes. Të parën armë që zbrazi e drejtoi mbi Qazimin.
– Ti Qazim m’i hoqe ushtarët e i çove te partizanët? – I tha me hakërrim.
– Partizanët kan komandën e tyre, – ju përgjegj Qazimi, – shko dhe arresto ata!
Por sakaq, ende pa mbaruar përgjigjen, Asimi i zbrazi mbi trup gjithë karikatorin e pistoletës, duke lën brenda saj vetëm një fishek. Qazimi u shëmb përdhe i vdekur duke tërhequr pas vetes edhe Jasharin nga dora e lidhur. Pastaj Asimi, po me atë hakërrim të përgjakur në sy, ju drejtua Jasharit, i cili rrinte përkulur mbi Qazimin.
– Kur erdhën ushtarët e mi të arrestonin ti e hëngre letrën që kishe mar nga Zylyftar Veleshnja, apo jo Jashar?
– Kur erdhën ushtarët e tu unë dola në derë me rroba gjumi, – tha Jashari, – nuk kam patur as letër dhe as nuk dija se kush po trokiste.
– Ti mi hoqe ushtarët nga fronti, tiiiiii…, – Ulëriti Xhindole dhe ja ngjeshi tytën e nxehtë të armës në ball.
Por, sakaq, ndaloi një moment dhe, si për të siguruar opinionin e gjithë të pranishmëve për vërtetësinë e akuzave të tij, ju drejtua kaçatorit të fshatit.
– Ali, – thuaje ti këtu faqe burrash, kush mi hoqi ushtarët nga fronti, ky apo Qazimi?
Ali Shume(Çela) hodhi sytë mbi kufomën e Qazimit të mbytur në gjakun e mpiksur, pa nga Jashari që rrinte përkulur mbi të dhe duke menduar se fjala e tij do të ndante jetën nga vdekja, u përgjegj me vendosmëri.
– Qazimi bej!
– Atëherë plumbin tënd po ja jap Qazimit, – shfryu Asimi dhe gjuajti sërish mbi kufomën e shtrirë para këmbëve të tij.
Mbas tmerrit të asaj dite, Jashari vazhdoi detyrën e tijë, më me përkushtim në shërbim të lëvizjes.
Në bazë të këtij përkushtimi, edhe mbas çlirimit, në zgjedhjet e reja të majit të vitit 1945, ai u zgjodh sërish kryetar i Këshillit. Tashmë në konturet e kohës, krahas sfidës së ndryshimeve social ekonomike, ishte shfaqur edhe lufta kundër mbeturinave të reaksionit i cili aktivizohej në disa zona të vendit. Një ndër eksponentët më të rrezikshëm të këtij reaksioni që vepronte në territoret midis dy lumenjve, Shkumbin e Seman, ishte edhe Hamit Matjani, për kapjen e të cilit, ishin angazhuar forca të shumta të ndjekjes. Por, pikërisht në këtë periudhë,për aktivitetin e Jashar Çepeles u krijua një realitet kontradiktor dhe i papranueshëm. Dikush informoi se Hamit Matjani kishte ardhur në Jagodinë dhe ishte strehuar një natë në shtëpinë e tij. Ky informacion u amplifikua në kohën kur nga fisi i Jasharit u arrestua për motive politike Tofik Ali Çepele. Në këto momente mjaft të vështira për këtë fis, si një jehonë e mbytur e luftës së klasave, u përvijua edhe kjo akuzë. Në janar të vitit 1947 Jashari u arrestua dhe në qelitë e hetuesisë së Beratit, ju nënshtrua torturave nga më çnjerëzoret për të pohuar akuzën. Midis të tjerash, hetuesit e godisnin në sy me gishtat e mesit të duarve dhe nga ky shkak ai ngeli gjithë jetën i verbër. “Por më e rënda,- tregonte ai, – ishte “tortura e qypit” të nevojave personale që lihej në qeli me ditë të tëra, pa u hequr. Kutërbimi i tij ishte i padurueshëm.”
Një ditë, teksa ishin rreshtuar në oborr për apel, komandanti i burgut Kamber Halilaj kur dëgjoi emrin e tij, i kërkoi të dilte një hap nga rreshti. Jashari zbatoi urdhërin. Komandanti ju afrua dhe e pyeti.
– Jashar, a më njeh mua?
– Jo! – U përgjigj Jashari.
– Vërtet s’më njeh? Nuk më mban mend?
– Jo! – Ju përgjegj sërish Jashari.
Kamber Halilaj ishte nga fshati Muzhenckë i krahinës së Çepanit dhe gjatë luftës së bashku me Zylyftar Veleshnjën dhe skraparlinj të tjerë kishin qëndruar me ditë të tëra në shtëpinë e Jasharit. Ndaj dhe i çuditur nga mohimi i tij, urdhëroi rojen e shërbimit mbas apelit tja sillnin në zyrë. Kur u paraqit Jashari, komandanti u çua në këmbë dhe e pyeti sërish.
– Jashar, vërtet s’më mban mend?
– Si o jo, – ju përgjegj Jashari, – unë të kam patur në sofër me ditë të tëra.
– Po pse më the jo përpara të burgosurve?
– Sepse njohja me mua të prish punë ty.
Komandanti e zuri prej qafe dhe e ftoi të ulej.
– Unë të besoj ty, por pranoje akuzën të dënohesh e të kalosh në burgun ordiner. Dënimi yt është dy vjet dhe më mirë dy vjet atje se dy muaj këtu, – e këshilloi Halili.
Të nesërmen, – tregonte më vonë Jashari, – kur më morën në pyetje u thashë:
– Deri tani kam thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, unë nuk e kam strehuar Hamit Matjanin, madje as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë, por nga ky moment unë do gënjej dhe them para jush se po, e kam strehuar një natë!
Dhe pasi firmosi shkresat, ja hoqën qypin, e nxorën në gjyq dhe e dënuan dy vjet.
***
Në vitin 1953 Hamit Matjani u kap nga forcat e sigurimit të shtetit dhe gjatë hetimit u pyet nëse kishte vajtur në Jagodinë dhe a kishte fjetur një natë në shtëpinë e Jashar Çepeles. Matjani deponoi se kishte qenë në Roskovec dhe ishte kthyer nga Poshnja, pa qendruar askund. Madje në Jagodinë nuk kishte shkelur ndonjëherë dhe Jashar Çepelen as e njihte dhe as e kishte dëgjuar.
Mbas dënimit dhe ekzekutimit të Matjanit në prill të vitit 1954, për të vënë në vend nderin e humbur të të atit dhe për të qenë në rregull me biografinë e tyre, djemtë e Jasharit u ankuan në Gjykatën e Lartë dhe gjykata, sipas rregullit të atyre viteve, ju dha një dokument ku pohohej se Jashar Çepele nuk ishte dënuar. Me këtë vërtetim, ata kaluan vitet e vështira të monizmit duke e përdorur herë pas here si një indulgjencë kishtare, për faljen e “mëkateve” të atit të tyre. Por,edhe pas kësaj shkrese, emri i Jasharit, nga nderimi për veprimtarinë antifashiste dhe për angazhimin total në gjirin e saj, u la në harresë. Harresa e Jasharit la gjurmë të thella në heshtjen e tij të pasburgut. Vetëm tashmë shoqëria demokratike e Roskovecit, e propozoi dhe nderoi atë me titullin “Qytetar Nderi i Roskovecit”. Duket sikur e vërteta u rikthye nga vonesa e saj përtej harrimit dhe eshtrat e këtij patrioti më në fund po prehen të qeta në përjetësinë e tyre të dheut.
Por për hirë të së vërtetës, duhet thënë se e njëjta heshtje, ka shoqëruar për dhjetra vjet, edhe aktivitetin heroik të Qazim Çepeles. Është e trishtë të mendosh se gjaku i Qazimit, i derdhur nga plumbat e komandantit të Ballit, publikisht para burrave të këtij fshati në çastet më të egra të terrorit ballist, u la të humbiste në baltovinat e mentaliteteve primitive të kohës, pa u respektuar e pa u nderuar nga të gjallët. Ky martir, me aktin e tij sublim, në funksion të LANÇ-it, ka meritën të ishte shpallur prej kohësh dëshmor i atdheut. Por nuk u shpall, as në kohën e socializmit dhe as më vonë. Mungesa e një nderimi të tillë përbën një tjetër mëkat social në trevën e sotme të Roskovecit dhe një tjetër thirrje për korigjim.

Mire e psoi Jashar Çepele. Vete luftoi per vendosjen e komunizmit, qe e torturoi dhe e persekutoi me gjithe familje.
Nje histori sa e lavdishme per fisin Cela,aq e trishtueshme mbas clirimit. Nje goje e lige , solli aq peripecira. Po demokrati i “madh” Allajbeu, i di veprimet e dajes se tij ballistit Isa Toskes ?
Shoqeria e ngushte dhe besa e dhene midis myzeqareve dhe skraparlinjeve qenka e kalitur qush ne periudhen e LANC. Edhe sot shoqeria midis Myzeqareve dhe skraparlinjeve eshte e pa lekundur. Jemi krenar qe mbajme shoqerine dhe pime kafen me Myzeqar. RRofshim dhe e trashegofshim brezpas brezi respektin e dashurine myzeqar e skraparlinj.
Ka shume krahina qe kan pothuaj zakone e tradita te njejta sidomos ne juge ,ku njiher besa e nderi .
Isa Toska dhe Mehmet Shehu ishin e njejta prerje kriminale,prandaj forcat e xhandarmerise se Beratit kane nxjerre urdher arresti per te dy kriminelet.
Krimineli Mehmet Shehu shpetoi duke u shperngulur ne zonen e Korces,sepse shpetoi nga dora e Kadri Cakranit,qe e futi nagantin ne bres nga nderhyrja e xhaxhait te tij Bektash beu..Kurse krimineli tjeter bi Mallakastres Isa Toska bashke me ceten e tij dhe shume te pafajshem u asgjesua nga xhandarmeria e Fierit ne bashkepunim me komanden gjermane.
Ngjarja ka ndodhur ne pazarin e Fierit ne 13 shtator 1943 Vetem partizane ,komuniste,internacionaliste,enveriste,nuk ka pasur aty.
Meritat e partizaneve per vrasjen e Isa Toskes jane nje 0 me xhufke,si e kane zakon veteranet enverhoxhiste.
Cpif,cpif,se dicka do te mbetet.