Institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me pasojat që po sjell zbatimi i aktit normativ nr 3. Dt 01.08.2012 të Këshillit të Ministrave.
Rasti i djeshëm në zonën pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” është një rast i rëndë që ka ndodhur pikërisht gjatë lirimit të një banese ish- pronari nga ana e përmbaruesve privatë dhe punonjësve të një policie private në prezencë të punonjësve të policisë së shtetit, ku dukshëm është përdorur jo vetëm dhunë ndaj qeramarrësve, por është arritur deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Ky nuk është rasti i vetëm që ndodh në këto kushte dhe kjo është një situatë e paralajmëruar herët nga ana e Avokatit të Popullit, i cili ka kundërshtuar që në fillim kohën dhe mënyrën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, që realisht ka krijuar dhe po krijon konflikte serioze sociale.
“Opinioni publik dhe media janë njohur tashmë me të gjitha hapat institucionalë që Avokati i Popullit ka ndërmarrë për zgjidhjen e kësaj problematike që nga shkresa dërguar Parlamentit për mosmiratimin e aktit normativ e deri tek Rekomandimi më i fundit dërguar Kryeministrit të vendit për ndryshimin dhe përmirësimin e bazës ligjore që do të mundësojë trajtimin e familjeve qeramarrëse me strehim në një kohë sa më të shpejtë.
Avokati i Popullit nuk mund të bjerë dakord që familje të tëra të ndodhen në mes të katër rrugëve.
Dëmi psikologjik që i shkaktohet familjeve në këto kushte është i pariparueshëm, jo vetëm për to, por për gjithë shoqërinë shqiptare, e cila aspiron standarde reale të ushtrimit dhe garantimit të së drejtës për strehim të çdo individi. Nuk mundet që familje të cilat kanë individë paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të moshuar të moshë të thyer, fëmijë e të rriturpa asnjë mundësi financiare për të përballuar qoftë edhe jetesën minimale, të trajtohen në këtë mënyrë.
Praktika e vendeve të tjera ka treguar dhe tregon se privimi i familjes si bërthama bazë e një shoqërie të shëndoshë demokratike nga e drejta për strehim përbën cënim të vetë jetës normale familjare, fakt që cenon edhe vlerat bazë të shoqërisë sonë.
Avokati i Popullit po e ndjek nga afër dhe me shumë vëmendje këtë proces duke trajtuar në tërësi problemin, por edhe raste individuale që lidhen me këtë problematikë, në të cilat ka vërejtur se veç çështjeve madhore të lartpërmendura, ka edhe raste ku ekziston dyshimi i bazuar se nga ana e Entit Kombëtar të Banesave si institucion zbatues i aktit normative mund të jetë abuzuar me ligjin, sikurse është një rast në trajtim e sipër nga ana jonë lidhur me ish- çerdhen numër 36, në zonën e Fushës së Zezë, Tiranë.
Për këtë qëllim i bëjmë thirrje organit të prokurorisë të fillojë ndjekjen penale dhe verifikimet e duhura rast pas rasti.
Nga ndjekja nga afër e këtij problemi na rezulton se ish- pronarët po marrin pronat e tyre, por qiramarrësit në banesat e tyre nuk mund të përfitojnë në një pjesë të madhe të tyre, as kredi me interes 0% dhe afat kohor 30 vjeçar nga shteti, as banesa sociale nga ana e pushtetit vendor dhe për më tepër qendrat e përkujdesjes për moshat e treta nuk kanë mundësi pasi nuk kanë kapacitet për të akomoduar individë të moshuar qiramarrës që duhet të lirojnë në këto kushte banesat e ish- pronarëve.
Avokati i Popullit tepër i shqetësuar nga kjo situatë i bën thirrje qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të miratojnë shumë shpejt bazën ligjore, e cila do të mundësojë trajtimin individual, specifik për secilën familje qiramarrëse në banesat e ish-pronarëve.
Në të njëjtën kohë ftojmë qytetarët dhe forcat e rendit të ruajnë gjakftohtësinë për të mos krijuar situata të rënda konfliktuale, të cilat nuk zgjidhin gjendjen, por e rëndojnë atë akoma më shumë.”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.
Prokuroria ka shkuar ne drejtim te paditur. Qe pasi vuri doren qeni i terrbuar i Vicidolit edhe ne kete Institucion e qelbi edhe ata pak pune qe behej.