Çdo ditë e më tepër faqe dhe ekrane të mediave po “rënkojnë”, nga informacioni i hidhur edhe nga fusha e arsimit. Pasiguri e madhe edhe për përparimin e vlerësimin e nxënësve e të studentëve. Dallavere të pashembullta me notat shqetësojnë, revoltojnë, konfliktojnë marrëdhëniet mësues-nxënës, shkollë-familje e ato prind-fëmijë. Nxënësi derdh djersë çdo ditë për dije e edukim. Buxheti familjar rrjedh çdo ditë për këtë qëllim. Fryti: nota. Vjen fundi…. Notat…!? Dokumentacioni i x nxënësi, i x shkolle?! “Avullojnë”. Tregu i matrapazëve të pacipë po i thëthin e po i përçkëndon rezultatet mësimore të shumë e shumë shkollarëve. Testet: në kosha plehrash. Notat: në treg të “profesorëve” e të sekserëve të tyre. Shumë amza e regjistra: zhgarravina. Mjerë kurrizi i shkollarit e portofoli i familjes së tij.
Nga kl.I e deri në diplomën universitare çdo note, të përditshme o përfundimtare, e kemi patur në xhep! Sa herë që pyeteshim, me gojë a me shkrim, në tavolinën e mësuesit a të pedagogut do të vendosej “Libreza e notave”. Pa atë zor se të testonin e të vlerësonin. Kjo ishte përgjegjësi, siguri, preçision e transparencë. Mësuesi e pedagogu ta komentonte notën, pastaj ta hidhte në librezë. Vlerësimet e punëve me shkrim përpara notës kishin 4-5 fjali, vetëm me bojë të kuqe me të cilat shprehej motivimi i saj. Nuk mohojmë as debatin e rrallë, të mirëkuptimtë e frytdhënës midis palëve. Etika luante rolin e saj. Kurrë s’arrihej tek gjuha e hidhur, as tek leku. Kurrën e kurrës: tek grushtet a …brekët…! Ripërdorimi dhe rifunksionimi i “Libreza e notave” për të gjithë ata që ulen në bankat e dijes, do të ishte me leverdi të madhe. Sidomos këto kohë që “bloza”, dhe “balta” po nxijnë e fëlliqin, në disa shkolla, dokumentacionin evident të përparimit e të vlerësimit të nxënësve. Çdo nxënës e student duhet ta ketë në xhep notën e fituar e të merituar. Do ta ketë të sigurt. Si nxënësi edhe mësonjësi do të ndërgjegjësohet e përgjegjësohet më shumë për misionin që i ka vënë vetes në klasë, në auditor, në laborator e në çdo mjedis dijesh e edukimi.
Letër e nënshkruar
Enver Demishaj, mësues
