Ku ishit ju o zoti Luli kur prishej administrata? Kuadrot drejtuese e specialiste të aparatit shtetëror në çdo hallkë të tij janë pasuri kombëtare dhe duhen ruajtur e pasuruar medoemos. Por subjekti politik që ju drejtoni tani, që me ardhjen e parë në pushtet në vitin 1992, e shpërfilli këtë detyrë patriotike. Heqja e njerëzve nga puna nuk pati të ndalur. Specialistë, drejtues e kuadro të aftë e të përkushtuar në emër të reformës u flakën në rrugë krejtësisht për motive politike!
Vazhdoi kjo lloj dhune edhe pas rikthimit në pushtet rishtas në vitin 2005 e deri me 23 Qershor 2013, kur vota masive elektorale ju çoi në opozitë. Një ndër arsyet është edhe padrejtësia ndaj këtij Fondi të Artë që nëpërkëmbet. Qeveria e re e zotit Rama ka të gjithë të drejtën ligjore, humane e morale që në procesin e Rilindjes së shtetit të rregullojë edhe këtë padrejtësi që i ka shkaktuar dëme vendit e shoqërisë. Përparim Shullazi, Krujë.
