I nderuar lexues!
Gajtani është vendbanim i fortifikuar ilir i kohës së hekurit mbi një kodër të veçuar në verilindje të fshatit Gajtan 5 km në lindje të Shkodrës (gërmimet janë bërë më 1961-1962). Vendbanimi është rrethuar me një mur mbrojtës, i cili është ruajtur mirë në anën e jugut, në një gjatësi afro 90 m. Ai është ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj e mesatarë të paskalitur e me lidhje të thatë. Ka gjerësi të përgjithshme 3.5 m, nuk ka kthesa e kulla. Shtresa më e hershme kulturore i takon bronzit të vonë e fillimit të epokës së hekurit. Kjo ndiqet nga shtresa kulturore e periudhës së hekurit të zhvilluar, gjatë së cilës vendbanimi ka pasur jetë intensive. Shtresa tjetër kulturore pas shek.IV p.e.s. vjen deri në kohën e vonë antike, kur ndërpritet edhe jeta në qytezën e Gajtanit.
