I nderuar lexues! Gryka e Melgunit ndodhet në luginën e Drinit, në kufi midis rrethit të Shkodrës në veriperëndim dhe atij të Pukës në juglindje, tek fshati me të njëjtin emër dhe në veri të kalasë ilire të Dalmacës. Është formuar në gëlqerorët e triasit, të cilët kanë shkaktuar ngushtimin e menjëhershëm të luginës. Ka gjatësi 0.5 km (midis fshatrave Melgun e Gushtë), thellësi mbi 200 m dhe gjerësi të shtratit të lumit 6-8 m. Në të gjithë gjatësinë ka tiparet e një kanioni me shpate gati vertikale, me bimësi shumë të rrallë.
