I nderuar lexues! Piskova është varrezë tumulare ilire prej 4 tumash në luginën e sipërme të Vjosës përgjatë fushës së fshatrave Pacomitë, Rapckë, Grabovë e Mbrezhan të Përmetit. Gërmimet janë bërë në vitet 1978-1979. Janë zbuluar 3 tuma të ngritura prej dheu mbi një varr qendror. Shquhet tuma e parë për arkitekturën e saj fillestare, të ngjashme me atë të Pazhokut dhe tuma e tretë, për muranën e saj qendrore. Lënda arkeologjike shumë e pasur e tumave përbëhet kryesisht nga qeramika e stoli. Tumat janë të një periudhe që shkon nga fillimi i kohës së bronzit deri në fillim të kohës së hekurit. Janë ripërdorur si varreza edhe gjatë antikitetit e mesjetës. Kultura prehistorike e tyre lidhet kryesisht me atë të Shqipërisë juglindore, ndërsa kultura mesjetare ka elemente të një varianti jugor të kulturës së hershme shqiptare.