Ku punon babi? Në…televizor

redaktor

Vite më parë, gjatë sistemit mono-partiak, në një fshat të Skraparit ku punoja edhe unë si arsimtar, vinin shumë dendur të deleguar nga Çorovoda. Një ditë, nja dy nga këta të deleguar, gjetën 4-5 vajza të vogla që luanin tek sheshi pranë rrapit dhe i pyetën ç’prindër kishin. Ato u përgjigjën dhe u larguan të vazhdonin lojën, ndërsa njëri nga zyrtarët e porsaardhur iu drejtua vajzës së një shokut tim: – Moj ti flutur e vogël, ku punon babi yt? Vajza, si e hutuar nuk dinte ç’të thoshte.

– Nuk e ditke ku punon babi? Si nuk e di?! Hë, ku punon babi yt?! – Babi im punon në mbledhje,- tha e vogla dhe iku u bashkua me shoqet.

U bënë kaq vite që nuk e kam harruar këtë çiltërsi dhe naivitet fëmijëror. Tani kam përshtypjen se mbledhjet janë të rralla. Por sot ka dalë në skenë një tjetër dukuri. Ka goxha zyrtarë, femra dhe meshkuj që mbetën ekraneve të televizioneve. Na shfaqen aq dendur e vend e pa vend, sa që nuk durohen. Përse duhet të na bëjë karshillëk nëpër ekrane një ministër, një specialist, një zyrtar i thjeshtë apo një funksionar partie, kur s’ka gjë për të thënë? Personalitetet, ministrat, shefat, kanë prapa një tabor me ushtarë, zëdhënës, sekretarë e plot të tjerë dhe s’ka pse zaptojnë ekranet, pa qenë aspak nevoja.

 

Letër e nënshkruar,

Luman Caka

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *