Ku shkon rruga për Skrapar?!

Dita

Vijnë makinat me argatë
Gramshi është stacioni i parë
Shoferët po pyesin njerëzit:
Ku shkon rruga për Skrapar?

Tomoricë – pyje, lëndinë
Prit argatët se po vijnë
Po vijnë për të ndihmuar
“Ke lënë tokën pa punuar”.

Ah, moj Tomoricë e mjerë
Të erdhi fati në derë
Punon ditë e punon natë
Po mbjell drogë në çdo fshat.

Ah, e shkreta Tomoricë
Pse s’na gjete punë tjetër
Se kjo zgjidhje nuk shkon gjatë
Ku merr emrin Lazarat.

Eh, moj fusha e Leskovës
Ia more trofenë Terrovës
Ti punon me mekanik
E mbjell drogën me kubik.

Më kërko falje Terrovë
Se mbjell unë mos ki inat.
Po m’u mbaruan fidanët
Shkoj i marr në Osnat.

Qafë e Martës çon haber
Ki kujdes o Guri i Prerë.
Ulu pak në Posten
Ku droga e ka folenë.

Në Shpatanj dhe në Burranj
U ka hyrë një si merak
Mirë Trebla është pas Rromasit
A mbillet drogë në Konak?

Vallen po e heq Rehova
Mbaji iso moj Straficë
Fillo mbill në Kuç e Barç
Merrja këngës Gjokovicë.

Nga Skrapari vjen haberi
Në Dobrenj ka plasur sherri
U zunë për një copë tokë
Çfarë s’dëgjon në këtë botë!

Xha Tefiku na bën pyetje
Lajmin ku e keni marrë
Nga policia në Çorovodë
Te filxhani e kam parë.

*Në tekst ka emra fshatrash e lagjesh në Tomorricë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *