Të gjithë arsimtarët që plotësojnë vjetërsinë e kërkuar të punës në arsim në muajin prill do t’i nënshtrohen provimit për të fituar shkallën e kualifikimit, rezultatet pozitive të të cilit konfirmojnë edhe rritjen e pagës sipas grupit ku mësuesi bën pjesë. Tre janë shkallët për të cilat mësuesit do të kualifikohen përgjatë këtij viti.
Referuar këtij kushti, në këtë provim kanë të drejtë që të përfshihen të gjithë mësuesit që deri në mbyllje të dhjetorit të 2018-s, zotërojnë të paktën pesë vite pune në arsim. Kjo kategori mësuesish kualifikohet për kategorinë “mësues i kualifikuar”. Mësuesit me vjetërsi pune 10-vjeçare do të testohen për kategorinë e kualifikimit “mësues i specialist”. Ndërsa mësuesit me vjetërsi 20 vjeçare kualifikohen për shkallën më të lartë të kualifikimit që është “mësues mjeshtër”.
Kjo ndarje përcakton edhe rritjen e pagës që mësuesi siguron në rastet kur vlerësohet pozitivisht në testin me shkrim që do të zhvillojë në muajin prill. Në këto kushte rritja e pagës vijon nga 5 për qind, deri në 20 për qind për shkallën më të lartë të kualifikimit. Sipas udhëzimeve të dikasterit të arsimit. arsimtarët që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit 2020. Rezultatet negative nuk penalizojnë mësuesin me humbje të vendit të punës.
Afatet e aplikimit
“Provimi me shkrim për kategoritë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2018-2019 do të zhvillohet në datën 6 prill në orën 10:00 në njësitë e planifikuara në kryeqytet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit’, detajohet në shkresën që MASR u ka dërguar tashmë të gjitha drejtorive të arsimit në vend, mbi nisjen e përgatitjeve që duhet të bëjnë për kualifikimin e mësuesve përgjatë këtij viti.
Për të orientuar mësuesit që do i nënshtrohen këtij testimi, Instituti i Zhvillimit të Arsimit ka zbardhur programet orientuese për secilën lëndë, në të cilat detajohen objektivat dhe tematikat rreth të cilave do të hartohen pyetjet e testit final. Janë 22 programet orientuese me temat që duhet të përvetësojnë për testimin e kualifikimit mësuesit e arsimit parashkollor, fillor, arsimit special, lëndës së artit pamor, biologjisë, edukimit fizik, ekonomisë, filozofisë, arsimit profesional, gjuhëve të huaja, fizikës, gjeografisë, letërsisë dhe gjuhës shqipe, historisë, kimisë, matematikës, muzikës, psikologjisë, qytetarisë, sociologjisë, shkollave artistike, si dhe Informatikës.
Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme
Kushtet për të hyrë në testim
Para hyrjes në testim secili mësues duhet të sigurojë edhe pikët e portofolit profesional, në të cilën detajohen nëpërmjet dëshmive përkatëse të gjitha arritjet që mësuesi ka fituar përgjatë kohës së ushtrimit të profesionit. Mësuesit kandidat për provimet e kualifikimit duhet që të plotësojnë duhet të paraqiten pranë drejtorive të arsimit që mbulojnë njësinë e tyre për të plotësuar formularët e aplikimit për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit, si dhe të dorëzojnë portofolët e tyre profesionalë sipas profileve përkatëse.
Plotësimi i këtij formulari dhe dorëzimi i portofolit lejohen deri në datën 4 shkurt. Lista e kandidatëve për provimet e kualifikimit së bashku me vlerësimet e marra nga portofoli zbardhen në datën 12 shkurt. Të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret për të hyrë në testin e kualifikimit, duhet të kenë kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit, të cilat janë të barasvlershme me 18 orë trajnimi të pasqyruara me 6 kredite.
Gjithashtu bëhet e ditur se për punonjësit, të cilët mund të kenë mospërputhje sa i takon vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, ata duhet të kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende.
Si do jetë provimi me shkrim
Sikundër ka ndodhur edhe gjatë viteve të shkuara, edhe për 2019-n, testi i kualifikimit për secilën lëndë përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënësit e tij. Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme.
Një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të testit kanë të bëjnë me njohjen e urdhrave, udhëzimeve, ligjeve dhe dokumenteve të tjera ligjore në funksion të veprimtarisë mësimore. Sa i takon gramatikës, mësuesi duhet të dëshmojë në test njohjen e rregullave të drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe.
Ndërsa në pyetjet rreth etikës mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.
Kushtet për tre kategoritë e kualifikimit
- Për kategorinë “Mësues i kualifikuar”, kandidatët duhet të kenë të paktën 5 vjet punë, deri në datën 31 dhjetor të vitit 2018.
- Për kategorinë “Mësues specialist”, të paktën 10 vjet punë, dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues i kualifikuar”.
- Ndërkohë që, për kategorinë “Mësues mjeshtër”, çdo kandidat duhet të ketë të paktën 20 vjet punë dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues specialist”
Portofoli personal i mësuesit duhet të përfshijë këto dokumente:
- “Curriculum me fotografi
- Vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor.
- Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite.
- Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve, apo gradave shkencore (nëse ka).
- Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja që di dhe që i ka të faktuara.
- “Një plan i një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare.
- Një test përmbledhës sipas profilit përkatës, objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar).
- Një planifikim të një mësimi model (ditar), duke u bazuar në mësimdhënien që ka në qendër nxënësin, si dhe një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
Vlerësimi me pikë i portofolit personal të mësuesit
- Komisioni i vlerësimit të Portofolit të ngritur nga titullari i Drejtorisë Rajonale të Arsimit vlerëson me 1 deri në 3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional.
- Kandidati që nuk fiton të paktën 5 pikë nga portofoli profesional, ose që nuk dorëzon të paktën një përbërës të tij, përjashtohet nga e drejta e pjesëmarrjes në provim
- Kandidati fiton 5 pikë bonus kur :Ka diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite, apo doktoraturë) e fituar në fushën e mësuesi. Këto pikë bonus do të shkojnë vetëm për ata kandidatë që janë diplomuara para janarit të 2011-s. Nëse diploma master është fituar pas janarit të 2011-s duhet të jetë e njohur nëpërmjet provimit të shtetit.
- Gjuha e huaj e mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës do të shoqërohet me pikë plus për të gjithë mësuesit që janë diplomuar para janarit të 2010-s. Nëse mësuesi ka siguruar të paktën shtatë kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara.
- Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, të cilat mblidhen nga portofoli i mësuesit dhe bonuset (30 pikë), si dhe pikët e testit (70 pikë).
p.k/ dita
