1.
O ti m’i pasuri në botë!…
O ti m’i pasuri në botë,
Që rron në luks e blind,
Diku i fshehur ndënë tokë,
Të pret një goxha krimb.
As emri yt me germa ari,
As jotja pasuri,
S’e pengon krimbin që së mbari
Të shtrohet në gosti.
Dhe s’do kuptojë aspak i mjeri,
Kur ty do të përlajë,
Në është mish miliarderi,
A mish prej fukarai.
O ti m’i pasuri në botë,
Në dukje i magjishëm,
Do kesh njëlloj si çdo idiot
Një fund të palavdishëm…
2.
O ti m’i fuqishmi në botë!…
O ti m’i fuqishmi në botë,
Tiran a prijës i plebejve,
Diku do biesh se s’ke gjunjë,
Gjunjë çelik si të hamejve.
Por po të jesh hamall vërtet,
Ngarkuar hallet njerëzore,
Do të sundosh në këtë jetë,
Njëlloj si Zoti me brerore.
Porse kularin, si një kau,
Po ia shtrëngove njerëzisë,
Në mes të udhës do gremisesh,
Mu në humnerë të historisë.
3.
O ti m’i mençuri në botë!…
O ti m’i mençuri në botë,
Të ulem gjer në tokë,
Se pasuritë e gjithësisë
I ke brenda në kokë.
O ti m’i mençuri në botë,
Tek ti s’afrohet gjëma,
Dhe po të ikësh ndonjëherë,
S’ka varr që të mban brenda.
O ti m’i mençuri në botë,
S’të qaset pikë e lotit.
Dhe po të ikësh ndonjëherë,
Do të shkosh në gji të Zotit.
Ndaj, ti m’i mençuri mbi dhe,
O mençuri e zjarrtë,
Pavdekësinë e ke atje,
Atje te Fron i Lartë!…
4.
O ti m’e bukura në botë!…
Dhe ti m’e bukura në botë,
Që ndrin e farfurin,
Si unë kusure ke ti plot,
Si unë ti gogësin.
O ti m’e bukura në botë,
Që ndrin e farfurin,
Si unë kusure ke ti plot,
Si unë ti hundët shfryn.
Dhe ti m’e bukura në botë,
Që vret me sy e vetull,
Si unë kusure ke ti plot
Fsheh djersën ndënë sqetull.
O ti m’e bukura në botë,
Perri me të vërtetë,
Si unë kusure ke ti plot,
Në banjë e tualet.
O ti m’e bukura në botë,
Një valëz përmbi lumë,
Si unë kusure ke ti plot,
Ç’të them tani më shumë?!…
Ndaj gjysmë shekulli që rroj,
Siklet s’i vura zemrës.
Këto të gjitha kur kujtoj,
S’marrosem kurrë pas femrës!…
Tiranë, 2001

Respekt Arben Duka !
Pena TOP dhe DASHURI !