Duke filluar nga data 14 janar, për herë të parë të gjithë banorët e Kubës mund të kenë një pasaportë për të udhëtuar përtej kufijve. Sportistët, ushtarakët, shkencëtarët dhe disidentët do ta kenë të vështirë, në mos të pamundur
Sinjali i lirisë i shumëpritur nga populli kuban, i cili ishte shpallur tetorin e kaluar nga kryeministri i Kubës, Raul Kastro, hyri në fuqi më 14 janar, nën kornizën e reformës mbi emigracionin. Duke filluar që nga kjo datë, pjesa më e madhe e banorëve të ishullit kanë mundësinë e marrjes së një pasaporte thjesht dhe vetëm duke bërë kërkesë në njërën prej dyqind zyrave të hapura nga shteti.
“Një pasaportë për t’u hedhur në det”, ironizojnë disa, sepse marrja e një vize për të shkuar në një vend tjetër për shumicën e kubanezëve mbetet vetëm një mirazh.
Shteti deklaron se porta është e hapur. Regjimi nuk i mohon më askujt aventurën e një udhëtimi jashtë vendit, por me kusht rikthimin. Ligji i ri, megjithatë, ka rezervuar disa masa. Do ta kenë të pamundur që të marrin një pasaportë disidentët politikë, të dyshuar se dëshirojnë të udhëtojnë në vendet perëndimore vetëm që të mbledhin fonde për të bërë propagandë kundër shtetit komunist. Por edhe lojtarët e bejsbollit dhe të basketbollit, të joshur nga ekipet e SHBA-së, do ta kenë të vështirë të kalojnë përtej kufijve, qoftë edhe për pushime. Ushtarakët dhe shkencëtarët e lartë kanë fat të ngjashëm me sportistët: për ta, klauzolat e ligjit i mbyllin mundësitë.
Ndikimi i lajmit për këtë ligj të ri mund të vlerësohet vetëm me kalimin e kohës, por të gjitha gjasat janë që ai të ketë ndikime pozitive në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, vend i cili ende u ndalon qytetarëve të saj të udhëtojnë drejt Kubës.
Që nga eksodet e mëdha të viteve të para post-revolucionare, largimi nga Kuba ka bërë që mijëra familje të humbasin gjithçka. Ata që largoheshin nga vendi, hynin në rrethin e “tradhtarëve” të revolucionit dhe cilësoheshin si ‘gusanos’ (krimba). Por gjithashtu hiqnin dorë nga kombësia, nga shtëpitë e tyre, të cilat u konfiskoheshin menjëherë dhe nga çdo shpresë për rikthim.
Në vitet ‘60, në pikat e kontrollit në aeroport rojet u konfiskonin stolitë zonjave të borgjezisë dhe u kontrollonin valixhet në kërkim të dollarëve dhe sendeve të tjera me vlerë. Ishin miqtë e diktatorit Batista që largoheshin dhe, nga ana tjetër, revolucioni që kishte pushkatuar shumë prej tyre, mund t’i lejonte vetes çdo padrejtësi.
Në vijim procedurat nuk ndryshuan dhe për më shumë se 50 vjet rregullat kanë qenë të rrepta. Bashkë me vajzat që martoheshin me të huaj, vetëm anëtarët e nomenklaturës, artistë, sportistë dhe mjekë me misione të caktuara kishin privilegjin e hyrjes dhe daljes nga kufijtë. Për gjithë të tjerët kartela e bardhë, tesera që shteti e lëshonte me pikatore vetëm për të zgjedhurit e tij, e që të jepte të drejtën të lëvizje përtej oqeanit, ishte kthyer në obsesion./Dorina Gjuzi
Somario: Bashkë me vajzat që martoheshin me të huaj, vetëm anëtarët e nomenklaturës, artistë, sportistë dhe mjekë me misione të caktuara kishin privilegjin e hyrjes dhe daljes nga kufijtë