Ka vërtet diçka ngushëlluese kur pranojmë se korrupsioni ekziston kudo, edhe në botën e zhvilluar, por kjo nuk vlen për Shqipërinë. Korrupsioni i këtushëm është llahtarë, nga vetë dukshmëria që ka, qartësia, efektet e prekshme në realitetin e përditshëm.
Si shembull për këtë, vlen rasti më i fundit me ujësjellësin e Kukësit, ku aktet korruptive të disa zyrtarëve të atyshëm, nuk është se kanë devijuar një sasi të konsiderueshme fondesh drejt xhepave të tyre – siç aludohet – por në finale kanë lënë qytetin pa ujë. Ky nuk është korrupsion, që në thelb ka të bëjë me abuzime financiare, por një akt kriminal.
Dhe pothuajse nga ky lloj “kriminaliteti” (në daçi dhe pa thonjëza), kemi përfunduar këtu ku jemi: Në një grusht njerëzish me miliarda, në truallin me të varfër dhe më mizerabël të Europës! I vetmi lloj korrupsioni që do na ngushëllonte – siç e pranojmë që ekziston dhe gjetkë në Perëndim – do ishte ai ku, siç në rastin e projektit të ripyllëzimit të vendit dhe akseve rrugore, vërtet tenderi mund t`i jepet dikujt afër qeverisë, por të paktën pyllëzimi është aty, real, i prekshëm, faktik, cilësor; e jo si në rastin e Kukësit – rast që gërthen gjithë masakrën korruptive që i është bërë këtij vendi në dy dekada – ku grykësia e ndocave, u ka tharë tërësisht gurmazin mijra të tjerëve.
P.S. Ky me ujin dhe me zyrtarët e Ujësjellësit të Kukësit, është ndër të rrallat raste, ku jo ëndrrat, por legjendat bëhen realitet; ajo e kuçedrës pra që ndali ujin. Kuçedër, në Shqipëri ‘korrupsion’ ta thonë emrin!

E di qe eshte pak jashte teme por dua te them se ne Itali reth nje e treta e zgjedhesve, te cilet jane reth 11miljone njerez, nuk paguajne taksat, ky eshte edhe shkaku qe partite politike italjane nuk jane te interesuar qe te bejne ligje te forta kunder tyre sepse ata jane rezervuar votash ( 11miljone ). Kam frike se ndoshta edhe qeveria e re ka frike te shkoje shume larg me reformta kunder informalitetit dhe korrupsionit qe te mos humbi votat. Ne fund te fundit pas kater vjetesh, vetem votat jane ato qe mund te largojne qeverine nga pushteti dhe ky eshte edhe problemi qe ka demokracia ne te gjithe Voten, pra zgjedhjet jane ato qe detyrojne qeverite qe te bejne reforma te thella.