Pirro Loli*
Bisedime të ndërprera, gojë pa gjuhë. Vitet rrokullisen vetëm me një stinë, vetëm vjeshtë ,vjeshtë dhe erë nëpër gjethe të shkelura.
Piramida gjaku. Shekullore. Parime të patundura. Të pa kapërcyeshëm pa njohjen reciproke. Dhe takimi i radhës me gjethe të rëna do vendosi t’í shtyjë bisedimet për vjeshtën që do vijë. Nëpër tavolina të zeza e të bardha projektohen ambasadorët e parë. Më të çuditshmit në botë. Kokëprerë…
Nga pala jonë u shtua dhe një kusht i ri, -Të mos pranohen ata magjistarë që me syze të zeza lexojnë llumin e zi të kafesë në filxhan të bardhë. Drita u fik. Bisedimet përsëri u ndërprenë. Të palodhur diplomatët sërish e sërish i varën këmishët nëpër zyra sekrete. Nëpër pasqyra krehin flokët, parketeve luksoze u shkasin këpucët. Mureve të bardhë koka e kobrës zbukuruar. Gotat e kristalta nëpër tavolina luksoze të pikëlluara heshtin. Të gatshme të krisen nga një e qeshur krrak.
Retë në qiell , copa copa hedhin shira të akullt dhe pemët kanë ngrirë. Në një xhep të thellë fshehur vazhdimisht një propozim diplomatik që nuk shqiptahet – na kërkojnë ta mbjellin paqen si pataten në gropa.. .Zgjidh e merr na thonë pylli ka hyrje dhe dalje më të errta; rrugë me bar të pashkelur dhe shtigje të parrahura nga shkon dhelpra. Paqja është më e komplikuar na thonë , zgjidh e merr, nga zjarri, uji e ngrica apo nga ndarja copa copa…(Të parët e mi, zgjidhnin zjarrin më mirë .se e njihnin njeri tjetrin. Me prushet e vullkanit luanin , hidh e prit paqen në dorë…
***
Politikanë servilë me maska e pa maska – majmunë me lesh dhe pa lesh në faqe , thonë se origjinën e kanë nga njeriu. Dhe dialogt i fundit u çel me buzëqeshje dhe një foto treshe porno ….; na thonë ta djegim të vërtetën si letër, shkrumbi i mbetur paska më tepër vlerë. Se armiku na qenka bërë kohë e shkuar. Mos e mbylleni derën .Vetmia nuk pret. Dhe miku nuk ka gojë as flet as hesht.
2.
Kate kate varret. Të vjetër e të rinj. Ata ngrihen nga zemra e tokës; u ndrit fytyra nga dielli. E kapërcejnë vdekjen pas erës së gjakut. Mbi ballë u vetëtin amaneti i rëndë i flamurit: Asnjë yll të mos lëvizi nga Kashta e Kumtrit. Asnjë. Fantazma të gjalla- Dëshmorët – pjesë e bisedimeve , natën në gjumë , ushtarë e kufitarë të përjetshëm kanë ngritur shtabet e tyre. Ngrihen, mënjanojnë baltën e varrit, dhe zënë vend ku kryqëzohen kufijtë e gjakut. Fashat e shiut u rrahin në eshtra por nuk ua shuajnë dot prushin nga syri. Nëpër thasë të zinj celofani mbartin koka të prera që kërkojnë trupin; flokë të përgjakur. Gjak i ngrirë. Sy të pambyllur,
harruar. Krahë të këputur kërkojnë krahun tjetër……Varre masivë skelete pa emër. Kreshpërohen eshtrat retë e argjenta çahen nga vetëtimat.
***
Ata bllokojnë të gjitha shtigjet netpasnete ringjallen këputen si yje nga qielli, vigjëlojnë nëpër kurthe dialogjesh, në pllaka mermeri e kryqëzime varresh. Ata, të përjetshmit kthehen pastaj të qetë të digjen në heshtje tejpërtej honeve të vdekjes.
Liria pikturon vetveten në lule krizantemash Në flamur. Dhe në mermer. Ata që mungojnë janë tanët. S’ ka të tjerë veç atyre që humbasim.
***
Ishte shumë e ngatërruar lufta e fundit
u zhdukën zogjtë e qiellit
u dogjën vreshtat
u vranë gurët
u përgjakën jargavanët
u përdhunuan pemët tharë gjer në majë…
***
Gërmoni këtu , këtu.
Këtu ku toka ka lëshuar lule te verdha
Këtu ka trupa të patretur me dritën e hënës në eshtra;
Këtu ka dhe koka të prera. Merrini, bashkojini me trupat e tyre. Tregojuani ambasadorëve të huaj…Ishte shumë e ngatërruar lufta e fundit. Dhe gjaku akoma s’ka ngrirë …
3.
Kuq e zi. E frikshme kjo shpellë
ku digjen lulëkuqet e zogj historikë krahë thyer, kanë ngrirë nga e pathëna…Kuqezi qielli ynë. Një e kuqe e nxehtë mbi të zezën valë. I rëndë ky bekim qiellor me flatra shqiponje mbi mua – ngjitur me vdekjen, rrethuar nga hije e statuja.
Burra kuvendi zbresin nga eposi mustaqet përdredhur supeve ,përplasin grushtin në mes të një pazareve të pista. Unë jam lis i Dodonës me palcë mitike, me gjethet e çdo stine; Jam shkëmb me rrënjë e dhëmballë prejhistorike dhe dua të flas vetëm me burra, jo me hije që nuk e kanë kokën mbi supe…..
**
Hëna i mbush kafkat e tyre me dritë të verdhë Ata
lëshojnë një britmë të harbuar ushtari. Është Gjergji, Nënë Tereza, Azemi . Janë kombi i rëndi. I pabëri. I copëtuari. Vetvetja. Qielli, Toka dhe Deti …As Zoti nuk e ndalon dot diellin të çeli ; as ai që komandon detet nuk i ndalon dot dallgët
të puthin brigjet e mia cep më cep nga Jugu në Veri .
***
Kam zbritur nga eposet, jam ngritur nga baladat dhe varret.
Dua të jem i zakonshëm, i natyrshëm – të kuptohet ADN-ja ime, njeriu me njeriun. Deri tek ylli, deri te buka deri tek e vërteta deri te Zoti .
4.
E njoh kokën e kobrës zbukuruar me ojna
Luciferi paska ndryshuar lëkurë
Agresorët qenkan lodhur nga vrasjet dhe buzagaz duan të bisedojnë…
Ia njoh kokën dhe zorrën akrepit , s’ka pikë gjaku në damar.
Helmin e kobrës fshehur majë bishtit
Mbi trup e rrotullon si radar.
(Përtej vetvetes shekujve të shkuar kërkon një copë zemër Një copë djep.
Racë e zgjedhur . . Sufiksa agresorë oc Ic, hic.
Serb, Dhe kobër. Dhe akrep.
***
Në errësirë, shkrepin xixa ndizen e fiken vetëtima;
E njoh mirë gjarprin e madh që mbyti Laokontin. Që të pranohej kali. Të digjej Troja. Troja dhe Kosova ime copa copa.
Ti që Zoti të hodhi në këtë Gadishull, afër e afër me mua,
Nëse do të jesh e sotshmja, Çlirohu nga unë
Ti, dikushi. Ti, askushi. Ti, humbësi.
Në mos , rrotulloju rreth vetes kobër e plagosur që kafshon bishtin e vet . Ndoshta helmi ikën me helm…
5.
S’ka heronj të gjallë. Janë ndryshkur dekoratat. U është zbehur drita në ballë…I braktisën krahët e tyre disa zogj nga tanët
I ngushtuan udhët e qiellit. Dhe ranë. Me pupla mbrapsht . Të lagur. Vendimi dihet:
Të lidhen pas bishtit të Ibrit.
Të harrohen.
Lumi t’i marrë…
Vertebrat veri jug lëshojnë lëng limfatik
Mu në mes – atje – ku po këputen e bashkohen stalaktide e stalakmite vetvetiu pëlcet plazma vertikale prej gjaku mpiksur
kockave të bardha stërgjyshore. Mbushen vertebrat.
Lumi Ibër rrjedh në shtrat të florinjtë. Përmallshëm.
Të puthen dy buzë. Qëkur është krijuar bota ADN-ja e njëjtë.
6..
Nuk na u shkulën as pseudo shpëtimtarët; petale tharë tashmë kanë mbetur vetëm gjemba paqësorë, disa as të puthin as të shpojnë, as të lëshojnë. Na u bënë si të shtëpisë e këmbëngulin për paqe të përgjithshme. Traktate e kushtetuta përpiluar nga Evropa….
Barbarët erdhën, vranë, plaçkitën ,por ata e morën me vete ditën e ikjes dhe harrohen, ikin shporren. Qenia ime lidhur në skaje trekëndëshi si shpresë në emër të dikujt që më rri këmbëkryq në mes të shtëpisë dhe nuk e di , a e kanë beben e syrit pas syzeve me skelet të florinjtë?
Unë e pres atë ditë t’i lutem me zemër në dorë Zotit :
o Zot, o Zoti im, nga pseudo shpëtimtarët
kur do më shpëtosh ?….
7.
E pres atë ditën e madhe të Çlirimit, të Shpëtimit të Bashkimit … Petale gjaku do bien nga yjet , kuaj të bardhë do hingëllinë nëpër balada dhe nga zemra e fund dheut do shpërthejnë shatërvanë të kaltër; zogjtë do ngrihen përnjëherësh në ajër e pemët do veshin kostum nusërie; Mbi lumin Ibër do vozitin mijëra barka të bardha fëmijësh. Deti nga veriu në jugë do trazohet atë ditë e batalione dallgësh në breg do hidhen ngarkuar me pulëbardha , Korpuset e lisave dhe bredhat e vrarë si reparte martirësh në paradë do nderojnë në rresht.
E dimë, komisionet e bisedimeve , diplomatët do kenë vërejtje për fijet e barit pse janë kaq të blertë, dikush do frikësohet nga zogjtë që, kur të ngrihen në ajër, krahët të mos i hapin krejt..
Sidoqoftë ,
Nata pas perdeve të trasha le të përdridhet si gjarpër .Të hajë vetveten. Askush nuk mund t’i ndalojë të ndërrohen stinët. Të bjerë bora e argjentë; Të çelin trëndafilat. Dhe viti që vjen dhe tjetri e tjetri, të bëhen me pesë stinë, Dekori shqiptar do të jetë po ai, Kuq e zi. Kuqezi.
*Mjeshtër i madh
Shume bukur,e qendisur.Ka ende shqiperues atdhetare ne memedheun Tone.