Kufiri detar dhe gjiret historike

redaktor

Si specialist i lundrimit detar, kam ndjekur të gjitha mendimet e debatet e dhëna në mediat pamore e të shkruara, nga specialistë e jo specialistë, lidhur me marrëveshjen aq të përfolur me palën greke për kufirin detar. Së fundi, te gazeta ime e parapëlqyer lexova edhe shkrimin e datës 16 maj “Ja si ndahet kufiri detar me Greqinë” të z.Beqir Gërbi. Me mendimet që jep autori i këtij shkrimi unë pajtohem plotësisht. Lidhur me përmbajtjen e shkrimit në fjalë, dua të shtoj dy-tre mendime të miat për çështjen e kufirit detar me Greqinë dhe me “gjiret historikë”.

Kam dëgjuar e lexuar mendime të ndryshme, sidomos nga njerëz inkompetentë, jo specialistë të detarisë, si, p.sh., ka pasur apo s’ka pasur kufi detar me Greqinë, pse u përdor hartë detare greke e jo shqiptare, dhe aq më keq, shoh mosnjohje të konceptit “gji historik”, duke e lidhur këtë term me objekte arkeologjike që mund të ketë një gji, emërtim që s`ka lidhje fare me objekte të tilla. Pikërisht për këto çështje dëshiroj të bëj sqarimet vijuese.

Lidhur me kufirin detar. Në shkurt të vitit 1958, me cilësinë e anëtarit të delegacionit qeveritar shqiptar, kam marrë pjesë në bisedimet që u zhvilluan në Korfuz me delegacionin qeveritar grek për kryerjen e përbashkët të çminimit të ngushticës së Kurfuzit që mbahej e mbyllur për lundrim që nga koha e Luftë së Dytë Botërore. Për këtë çminim më e interesuar ishte pala greke.

Gjatë zhvillimit të bisedimeve zyrtare, delegacioni grek, përveç deklarimit se ngushtica e Korfuzit ishte minuar nga gjermanët në verën e vitit 1944 dhe për këtë kishin dokumente, pranuan edhe ndarjen e ujërave detare sipas parimit të përgjysmimit të pingules që bashkon dy vijat bazë përballë njëra tjetrës. Se ç’është vija bazë, z.Beqir Gërbi e shpjegon shumë mirë në shkrimin e sipërpërmendur. Pra, pala greke e njihte dhe e pranonte se vija ndarëse e baraslarguar nga të dy brigjet, shqiptare e greke, ishte de facto kufiri detar shqiptaro-grek. Kryetari i delegacionit grek ishte një specialist dhe ekspert i njohur i fushës së detarisë, jo vetëm në Greqi por edhe jashtë saj. Ai i njihte mirë konventat ndërkombëtare dhe të drejtën detare se si ndahen ujërat kufitare. Përveç kësaj, edhe në hartat detare të huaja ky kufi në atë zonë shënohej me pikë-vijë dhe grekët nuk mund ta shpërfillnin një fakt të tillë. Pra, kufiri detar midis vendit tonë e ishujve grekë të Jonit verior faktikisht ekzistonte. Prandaj, pala greke s`kishte si të kërkonte dhe nuk kërkoi më shumë hapësira ujore për t`i çminuar se sa i takonin shtetit grek. Mbi këtë bazë u orientua edhe marrëveshja e përfunduar dypalëshe për çminimin e ngushticës, duke mos i marrë njëra tjetrës asnjë metër hapësirë.

Lidhur me hartat. Harta bazë e lundrimit detar në të gjithë botën është harta me projektim cilindrik barazkëndësh (konformë) e Merkatorit. Këto lloj hartash, të botimit të kujtdo shteti qofshin, janë të njëjta. Këto ndryshojnë nga hartat topografike që janë me projektim të Gausit dhe nuk mund të gjejnë përdorim në det.

Lidhur me “gjiret historikë”. Bazuar në fjalorët enciklopedikë detarë të disa shteteve të huaja, historikë quhen ata gjire në territorin e një shteti që kanë një gjerësi hyrjeje të madhe deri në 100 milje detare (deri rreth 1850 km), të cilët për traditë historike shumëvjeçare quhen ujëra të brendshme. Të tillë quhen në Francë gjiri Kankal, në Norvegji gjiri Varangerfiord, në Angli kanali i Bristolit me 100 milje gjerësi hyrjeje, në SHBA gjiri Fend me 65 milje gjerësi të hyrjes në të, në Kanada gjiri Hudson (75 milje gjerësia e hyrjes), në rusi detet tip gjiri: Karsk, Laptjev dhe Deti lindor Siberian etj. Pra këtyre tradicionalisht u ka mbetur emri historik dhe jo se ka ndonjë vendim apo shpallje qeveritare për t`u quajtur të tillë. Ky emërtim nuk ka lidhje me vlera objektesh arkeologjike në to apo rreth tyre, siç ndonjëri ka shfaqur mendimin, por me traditën historike. Prandaj, mikrogjiri i Sarandës me ato përmasa që ka, s`ka bazë për t`u quajtur historik sepse as e trashëgon një emërtim të tillë në rrjedhën e historisë. Po të ishte i lidhur ky emërtim me vlerat arkeologjike, mos vallë gjiri i Durrësit e i Vlorës, shumë më të mëdhenj se gjiri i Sarandës, kanë më pak objekte të tillë, që nuk quhen historikë?

Edhe mendimi i hedhur nga ndonjëri se gjiri i Sarandës fillon nga kepi i Qefalit në veriperëndim dhe deri te kepi i Varesë në jug, nuk qëndron. Nuk qëndron sepse gji detar quhet ajo pjesë e detit që futet thellë në tokë ndërmjet dy kepave tokësorë që formojnë hyrjen e gjirit. Dhe për gjirin e Sarandës si kepa të hyrjes janë kepi i Paladhës nga veriperëndimi dhe kepi i Dentës nga jugu. Vija bregdetare nga kepi i Qefalit deri te kepi i Paladhës nuk formon kurrsesi gji, sepse është pothuajse e drejtë, pa përthyerje të theksuara që mund të futej deti në tokë e të formonte ndonjë gji sado pak të rëndësishëm, përveçse grykëza të vogla. Kështu që ky segment i bregdetit nuk mund të quhet pjesë e gjirit të Sarandës, ai është vetëm pjesë e ngushticës së Korfuzit.

 

*Ish-kryespecialist lundrimi i Forcave detare, sot pensionist

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *