Kufiri Shqipëri-Greqi me patrulla të përbashkëta policore

Leda Hysa

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako është takuar në Athinë me homologun e tij grek, Kostandinos Cukalas.

Në takim, dy drejtorët rikonfirmuan nivelin mjaft të mirë të bashkëpunimit mes dy dikasterve.

Lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike ka qenë kryeradha e bisedimeve në Athinë.

Të dy palët ranë dakord për koordinimin edhe më të mirë të punës mes dy policive, ku në fokus të veçantë do të jetë edhe krimi ndërkufitar.

Për një koordinim edhe më të mirë të luftës kundër krimit,u vendos që mes dy vendeve të ketë patrullim të përbashkët në të dy anët e kufirit dhe vendosjen e pikave të kontaktit, ku patrullat do të këmbejnë informacione të shpejta mes tyre lidhur me problematikat gjatë operacioneve të përbashkëta.

Përpos kësaj, të dy policitë ranë dakord për këmbimin e vizitave të ndërsjellta të ekspertëve teknikë, si dhe të intensifikohet puna për parandalimin e krimit.

Një vend të veçantë të dy kryepolicët i dhanë edhe shkëmbimit të të dhënave në kohë reale mes dy policive për personat e dyshuar si autorë të veprave penale dhe trafiqeve të ndryshme.

Gjatë vizitës dyditore në Athinë, Çako pati edhe një takim me Ministrin Plotësues për Çështjet e Rendit të Greqisë, Nikos Toskas.

Edhe në këtë takim, palët shprehën vullnetin dhe vendosmërinë e tyre për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Pas përfundimit, të dy drejtorët e policisë thanë se takimi i i ardhshëm do të zhvillohet në muajt në vazhdim në Tiranë, ndërkohë që në mënyrë konstante do të vazhdojnë takimet e përmuajshme të drejtorëve të policisë së qarqeve të Greqisë së Veriut me homologët e tyre në Qarkun e Korçës, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *