Pijet me gaz e rrisin rrezikun e shfaqjes së diabetit me 60 për qind. Një studim i kohëve të fundit, për të cilin u testuan 66 mijë gra, tregon se pijet e gazuara në versionin dietik nxisin shfaqjen e diabetit më shumë sesa versioni i zakonshëm i këtyre pijeve.
Ndikim në këtë rezultat ka edhe fakti se duke menduar që është pije me fare pak kalori dhe me ëmbëlsues artificial, konsumatori mund të abuzojë me sasinë. Studimi është kryer në Francë nga Instituti i Kërkimeve Shëndetësore.
Efekti negativ në shëndet i pijeve me gaz është paralajmëruar prej kohësh nga mjekët, por studimi francez nxori në pah një tjetër gjë që nuk dihej. Versioni dietik i këtyre pijeve ndikon akoma më shumë në shfaqjen e diabetit. Personat që pinë 500 ml në javë e rrisin me 15 për qind rrezikun e diabetit, ndërsa për ata që konsumojnë 1.5 litër, kjo shifër shkon në 60 për qind.
Studiuesit paralajmërojnë konsumatorët që të mos mashtrohen nga mbishkrimi “DIET” apo “LIGHT” në kanaçe dhe shishe, pasi në aspektin e shfaqjes së diabetit, këto lloj pijesh janë akoma më të dëmshme.
Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se 347 milionë njerëz vuajnë nga diabeti në të gjithë botën. Me kalimin e kohës, diabeti dëmton zemrën, vazat e gjakut, sytë, veshkat dhe nervat, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, atyre të veshkave, goditjeve në tru apo verbërisë. Përgatiti: Gazmira Sokoli