Dhjetë minuta nën rrezet e solarit janë dyfish më të dëmshme se dhjetë të tilla nën diellin mesdhetar. Rritja dyfish e rrezikut të prekjes nga kanceri i lëkurë, kur marrim rreze në qendrat estetike, i detyrohet nivelit të lartë të rrezeve ultravioletë që lëshohen nga aparaturat për nxirjen artificiale.
Për të ilustruar këtë mjafton të sjellim shembullin e Britanisë së Madhe, ku çdo 13 mijë persona preken nga melanoma (kanceri i lëkurës). Alarmi për rrezikun që sjellin rrezet e solarëve, të klasifikuar si faktorë kancerogjenë njësoj si cigarja nga OBSH, është ngritur nga prof. Harry Moseley nga Universiteti Dundee, pas një studimi të kryer mbi 4023 aparatura të nxirjes artificiale. Studimi i publikuar në “British Journal of Dermatology” del në përfundimin se 9 në 10 aparatura emetonin nivele rrezatimi mbi normën e lejuar.