Mjekja Ilda Xhelili tregon format se si zhvillohet ky çrregullim, simptomat që shfaqin fëmijët dhe të rriturit, si dhe testet e nevojshme për diagnostikimin e hershëm tw sëmundjes
Gjendja hiperaktive, e cila shoqërohet me vështirësi në përqendrim, impulsivitet, etj është një problematikë e shpeshtë, që haset jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek moshat e rritura. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit se cilat janë shenjat dalluese të kësaj patologjie, faktorët që ndikojnë, si dhe kujdesin që duhet të tregojmë në trajtimin e saj. Mjekja thekson se sa më herët të trajtohet kjo patologji, aq më të lehta do të jenë edhe simptomat e saj, si dhe ndërlikimet me të cilat përballemi. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar gjithçka që duhet të dini rreth trajtimit të kësaj patologjie.
Çfarë duhet të kuptojmë me çrregullime të vëmendjes dhe hiperaktivitetit?
Çrregullimi i vëmendjes dhe hiperaktivitetit është një gjendje e sjelljes që karakterizohet nga mungesa e vëmendjes, e përqendrimit dhe impulsiviteti, ose siç mund të themi ndryshe gjendja hiperaktive. Kjo mund të rezultojë në vështirësi të kryerjes së punëve të përditshme, të studimeve, të marrëdhënieve sociale (shoqërore) dhe familjare. Ky lloj çrregullimi që në gjuhën mjekësore cilësohet si ADHD prek rreth 2-6 për qind të të rriturve dhe në mënyrë të barabartë, si femrat ashtu edhe meshkujt.
Në çfarë formash prezantohet?
Tre janë format më të shpeshta të shfaqjes së këtij çrregullimi. E para ka të bëjë me prezantimin me mungesën e vëmendjes dhe të përqendrimit. Ndërsa forma tjetër është ajo e prezantimit impulsiv dhe hiperaktiv. Forma e tretë është ajo e kombinuar, çka do të thotë se në të njëjtën kohë kemi mungesë vëmendje dhe impulsivitet. Statistikat referojnë se rreth 90 për qind e të rriturve që vuajnë nga ky çrregullim kanë vështirësi në përqendrim dhe fokusim, kurse mbi 50 për qind e të prekurve paraqesin hiperaktivitet. Megjithëse vlerësohet se rreth 2-6 për qind e të rriturve kanë këtë lloj çrregullimi, sëmundje e cila fillon që gjatë fëmijërisë.
Cilët janë faktorët e rrezikut për zhvillimin e këtij çrregullimi?
Sëmundja nuk ka akoma një shkak të mirëfilltë, por ekzistojnë një sërë faktorësh biologjikë e socialë që rrisin mundësinë e zhvillimit të saj. Tek personat e prekur nga ky çrregullim janë gjetur çrregullime të neurotransmetuesve kimikë (dopamina), të cilat nuk janë të pranishme tek njerëzit që nuk e kanë këtë çrregullim. Studimet tregojnë se një rol të madh në zhvillimin e kësaj sëmundjeje luajnë edhe shumë faktorë para lindjes, të tillë si stresi i nënës, pirja e duhanit gjatë shtatzënisë, lindja para kohe dhe pesha e ulët në lindje. Po ashtu personat që kanë në rrethin e tyre të afërt persona të prekur nga ky çrregullim, janë më të predispozuar ta zhvillojnë atë. Një rol të madh mendohet të luajnë edhe një sërë faktorësh familjare e social (ekonomia e dobët, niveli i ulët kulturor, prindër me vese).
Cilat janë simptomat klinike të këtij çrregullimi tek të rriturit?
Të rriturit mund të kenë pak, ose aspak shenja të hiperaktivitetit dhe ato mund të duken më tepër si shqetësim dhe një tendencë për t’u mërzitur lehtë. Këto shenja janë më të prirura të shfaqen dukshëm tek adoleshentët. Sidoqoftë, mënyra se si shfaqen këto shenja klinike janë të prirura të ndryshojnë me moshën. Të rriturit shpesh bëjnë në punë gabime nga pakujdesia dhe nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur problemeve. Ata nuk janë në gjendje të plotësojnë udhëzimet, detyrat e punës dhe shpesh janë të ç’organizuar, duke u përpjekur të realizojnë një aktivitet. Kanë gjithashtu një tendencë për t’iu shmangur dhe shtyrë aktivitetet që kërkojnë një vëmendje të vazhdueshme. Hiperaktiviteti edhe pse shpesh nuk është gjithmonë i qartë për t’u evidentuar, në rastet e prekura shprehet me zemërim, lëvizje duarsh ose këmbësh (si tike nervore). Këta persona kanë një tendencë të jenë të shqetësuar vazhdimisht (edhe për probleme të vogla), mund të kryejnë aktivitete të shumta në të njëjtën kohë (pra pa përfunduar njërin fillojnë tjetrin), shpesh ndërpresin të tjerët pa kuptim kur janë duke folur.
Po kushte të caktuara mjekësore a mund të ndikojnë në shfaqjen e shenjave të këtij çrregullimi?
Shenjat dhe simptomat e këtij çrregullimi tek të rriturit (por jo vetëm) shpesh mund të shkaktohen edhe nga shumë kushte mjekësore ose mund të jenë produkt i efekteve anësore të medikamenteve të caktuara. Është mjeku specialist ai që vlerëson gjendjen konkrete të pacientit, duke përcaktuar edhe shkakun e shfaqjes së këtij çrregullimi.
Si vendoset diagnoza?
Prandaj testet e gjakut bëhen shpesh pjesë e vlerësimit fillestar të pacientit. Po ashtu mund të lindë nevoja edhe e ekzaminimeve radiologjike (Ro-grafi, skaner, rezonance magnetike, eko). ADHD mund të shoqërohet gjithashtu edhe me kushte të tjera të shëndetit mendor si depresioni, çrregullimet bipolare, çrregullimet obsesive-kompulsive, çrregullime të spektrit të autizmit. Në diagnozën diferenciale, si pjesë e vlerësimit të individit mund të parashtrohen pyetje sipas një pyetësori të standardizuar që ndihmon në përcaktimin e diagnozës. Këto pyetësorë ndihmojnë edhe në përcaktimin e shkallës së ADHD.
Si trajtohet çrregullimi ADHD?
Në varësi të shenjave klinike që paraqet pacienti dhe kombinimet me sëmundje të tjera të shëndetit mendor, trajtimi medikamentoz nga mjekët psikiatër merr një rëndësi të veçantë. Njerëzit me këtë çrregullim kanë më shumë gjasa të zhvillojnë çrregullime të humorit, prandaj në këto raste ata do të mund të përfitonin nga terapia medikamentoze.
Në të gjitha rastet është e nevojshme terapia medikamentoze?
Megjithatë, ka edhe forma të lehta të këtij çrregullimi që nuk kërkojnë terapi medikamentoze. Terapia e këtyre pacientëve përfshin gjithashtu edukimin për sëmundjen në grupe mbështetëse, trajnimin mësimor për një numër çështjesh duke përfshirë këshillimin e karrierës, ndërtimin e aftësive organizative, këshillimin e prindërve. Shumë njerëz që vuajnë nga kjo sëmundje mund të përfitojnë nga terapia e sjelljes njohëse, një formë e psikoterapisë që kërkon të ndihmojë individët të ndryshojnë modelet e të menduarit që mund të ndërhyjnë në funksionimin e jetës së tyre. Ndryshimet e jetesës janë gjetur të jenë të dobishme në reduktimin e disa simptomave të ADHD. Këtu përfshihen aktivitetet fizike dhe përmirësimi i gjumit të natës.
Cilat janë ndërlikimet tek të rriturit?
Të rriturit e prekur nga ky çrregullim kanë më shumë gjasa të kenë vetëbesim të ulët, depresion, ankth, kanë vështirësi në menaxhimin e zemërimit, janë të prirur të zhvillojnë sjellje antisociale (veçanërisht nëse nuk trajtohen). Këta zakonisht nuk kanë rezultate të mira në shkollë dhe janë të prirur drejt përdorimit të duhanit apo drogave. Të rriturit kanë gjithashtu tendencë të kenë probleme martesore, familjare si edhe probleme që lidhen me kolegët dhe sidomos eprorët. Prandaj këta individë kanë potencial të izolohen shoqërisht. Ata shpesh humbasin vendin e punës dhe janë të interesuar për karrierë dhe për vende pune që sjellim fitime të menjëhershme.
Cila është prognoza e të rriturve me ADHD?
Prognoza e këtij çrregullimi duket të jetë e ndikuar nga ashpërsia e simptomave, rezultatet e testeve të inteligjencës, nëse ndërthuren edhe probleme të tjera të shëndetit mendor, nëse ka familjarë të prekur nga ky çrregullim, si edhe nëse pacienti merr trajtim. Studimet tregojnë se trajtimi stimulues i kësaj gjendjeje shpesh përmirëson prognozën për të rriturit, duke zvogëluar rrezikun për zhvillimin e problemeve të tjera psikiatrike, dështimin në shkollë dhe në sferën e punës.
A është e mundur të parandalohet ky çrregullim?
Hulumtimet tregojnë se ushqyerja me gji deri në gjashtë muaj e fëmijës mund të ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit të ADHD. Meqenëse problemet sociale si përdorimi i drogës nga nënat shtatzanë, çrregullimet emocionale rrisin gjasat e zhvillimit të kësaj gjendjeje, parandalimi ose trajtimi i këtyre çështjeve mund të ndihmojë në parandalimin e ADHD. Përveç kësaj, trajtimi i hershëm i fëmijëve me ADHD mund të ulë ndikimin që ka sëmundja në moshë madhore.
Intervistoi: Pranvera Kola / Dita

Pershendetje un i kam keto simptoma dhe jam vetem 15 vjeq