Kujdesi për efektet anësore që shkakton trajtimi i kancerit të gjirit

Ornela

Pranvera Kola

Trajtimet e kancerit të gjirit mund të shoqërohen edhe me efekte anësore, që në gjuhën mjekësore njihen edhe limfedema, e cila ka të bëjë me grumbullimin e lëngjeve duke shkaktuar enjtje në zonat e prekura. Në vijim të shkrimit, mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita” se në cilat raste zhvillohet më shpesh limfedema, simptomat që e shoqërojnë, format se si zhvillohen, testet që duhet të bëni për ta diagnostikuar në kohë, si dhe këshillat që duhet të ndjekim për ta mbajtur nën kontroll.

Çfarë është limfedema (lymphedema)?

Limfedema nënkupton grumbullimin e lëngjeve duke shkaktuar enjtje (edema), si rezultat i dëmtimit të enëve, ose të nyjeve limfatike. Më shpesh edemat limfatike zhvillohen në krahë, ose ne këmbë. Edema limfatike mund të jetë parësore, ose dytësore. Limfedemat parësore janë shumë të rralla dhe shkaktohen nga mungesa ose anomalitë e lindura të enëve limfatike, ose të nyjeve të caktuara limfatike. Ndërsa limfedemat dytësore ndodhin si rezultat i një bllokimi, ose ndërprerjeje që ndryshon rrjedhjen e limfës nëpër sistemin limfatik. Enët limfatike dhe nyjet limfatike janë pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar të organizmit tonë. Edema limfatike sekondare mund të zhvillohet si rezultat i infeksioneve, sëmundjeve malinje, traumave të ndryshme, trombozave të indeve të thella (mpiksje gjaku në venat e thella), rrezatimi ose trajtimet e tjera të kancerit.

Cilët persona janë në rrezik për zhvillimin e limfedemës?

Personat, të cilët kanë pasur ndonjë nga procedurat e shpjeguara në vijim janë më të rrezikuar për zhvillimin e limfedemës. Mastektomia e thjeshte në kombinim me heqjen e nyjes limfatike aksilare që nënkupton heqjen komplet të indit të gjirit duke ruajtur muskujt e thellë përreth tij në kombinim me heqjen e nyjes limfatike të sqetullës. Të rrezikuar janë edhe ata që kanë bërë lumpektomia (heqja vetëm e masës tumorale në gjëndrën e gjirit) në kombinim me heqjen e nyjes limfatike të sqetullës. Po ashtu të rrezikuar janë edhe ata që kanë kryer Terapinë kirurgjikale të kancerit të kombinuar me terapinë me rrezatim në një rajon të nyjevetlimfatike (të tilla si qafë, sqetull, zona e ijeve ose e barkut). Kujdes duhet të bëjnë edhe ata që i janë nënshtruar terapisë së rrezatimit në një rajon të nyjeve limfatike.

Si zhvillohet limfedema?

Limfedema mund të ndodhë brenda disa ditësh, disa muajve, ose viteve pas operacionit. Një edemë e lehtë, ose mesatare (enjtje) është normale për katër deri në gjashtë javë pas operacionit. Limfedema zhvillohet pas operacioneve të gjirit sepse ndodh një ndryshim i drenimit (kullimit) të lëngjeve limfatike (që janë përgjegjëse për sistemin imunitar të organizmit tonë). Mund të ndodhë në çdo kohë pas operacionit dhe nëse nuk trajtohet, situata mund të rëndohet shumë. Prandaj, pas operacioneve të tilla duhet të bëhen ekzaminime të vazhdueshme dhe matje të përmasave të krahut. Ndonjëherë mund të ketë skuqje, ose dhimbje të krahut që janë shenja të inflamacionit (infeksionit). Në varësi të simptomave tuaja mjeku do të marrë në konsideratë opsionet e trajtimit.

Si prezantohet klinikisht limfedema?

Sigurisht shenja kryesore është enjtja që mund të përfshijë krahët, duart, gishtat, supet, gjoksin dhe këmbët. Enjtja mund të ndodhë për herë të parë pas një ngjarjeje traumatike (siç janë shembjet, prerjet, dëmtimet nga dielli, apo dëmtimet sportive); pas një infeksioni në pjesën e trupit që u trajtua për kancer ose edhe pas një udhëtimi me avion që zgjat më tepër se tre orë. Përveç enjtjes mund të kemi ndjesinë e rëndimit të krahëve ose të këmbëve, sikur nuk i komandojmë dot, apo edhe ndjesinë e shtrëngimit të lëkurës. Mund të vëmë re gjithashtu se veshjet na rrinë të ngushta, ose vështirësi në mbajtjen e unazave, byzylykëve që më parë nuk na rrinin të ngushta.

Si vendoset diagnoza e kësaj patologjie?

Limfedema diagnostikohet pas një vlerësimi të kujdesshëm të historisë suaj mjekësore, përfshirë operacionet dhe trajtimet e kaluara, një vlerësimi të medikamenteve që përdorni, simptomave të tanishme klinike dhe një ekzaminimi të plotë fizik. Ndonjëherë mund të jenë të nevojshme edhe teste shtesë, në mënyrë të veçantë për një diagnozë të saktë diferenciale.

Si trajtohet limfedema?

Trajtimi i limfedemës ndryshon në varësi të fazës dhe shkakut të sëmundjes. Nëse shenjat fillestare dhe simptomat e enjtjes janë të shkaktuara nga infeksioni, mund të përshkruhen antibiotikë. Trajtime të tjera mund të përfshijnë fashat e kompresionit, çorapet e kompresionit, ushtrimet për kullimin manual të limfës, masazhimet e lëkurës, por edhe dietat ushqimore. Kujdes i veçantë duhet treguar për parandalimin e infeksioneve dhe dëmtimin e indeve. Lani duart shpesh me ujë të ngrohtë dhe me sapun sidomos para përgatitjes së ushqimeve dhe pasi të keni përdorur tualetin. Shmangni prerjen e kutikulave (lëkurës) kur manipuloni me thonjtë tuaj. Mbroni lëkurën tuaj nga gërvishtjet, plagët, djegiet dhe irritimet e tjera që mund të çojnë në infeksion

Në lidhje me kujdesin që duhet të tregojmë me regjimin ushqimor, çfarë mund të këshillojmë?

Dietat duhet të jenë të orientuara me sa më pak kripë dhe yndyrë. Vini re me kujdes etiketat e ushqimeve për të parë sasinë e kripës (në mënyrë të veçantë ushqimet e konservuara). Hani ushqime të pasura me fibra të tilla si drithëra, bishtajore, fruta e perime. Pini ujë vazhdimisht dhe mundohuni të ruani një peshë ideale. Shmangni pijet alkoolike dhe ushtroni aktivitet të rregullt fizik në përputhje me situatën individuale shëndetësore sipas këshillave të mjekut. Bëni kujdes me ngritjen e peshave.

A mund të shërohet?

Limfedema nuk mund të shërohet por, me kujdesin e duhur gjymtyrët e prekura mund të rikthehen në një madhësi dhe formë normale. Përveç kësaj, limfedema mund të trajtohet dhe të kontrollohet në mënyrë që të mos përparojë më tej. Nëse përparon, limfedema mund të çojë në forcim të indit, duke rezultuar në ulje të funksionit dhe lëvizshmërisë në gjymtyrën e prekur.

Qëndroni vigjilentë për shenjat e infeksionit të tilla si:

  • Ethet dhe temperature mbi 38 gradë C.
  • Skuqje e lëkurës, dhimbje, butësi ose enjtje.
  • Dhimbje fyti, djegie, gërvishtje, dhimbje e mollëzave të faqeve, dhimbje koke shoqëruar me hundë të zëna, gjendje rrufe.
  • Plagë ose e prerë që nuk shërohet lehtë.
  • Kolla që zgjat më shumë se tre-katër ditë.
  • Probleme me urinimin (urinim i shpeshtë, me dhimbje, me djegie ose me gjak).
  • Bëni kujdes të vishni tesha të lirshme dhe jo të ngushta. Po ashtu edhe këpucët duhet të jenë të rehatshme, bizhuteritë jo të ngushta.
  • Mbani lëkurën të thatë, veçanërisht midis palave dhe midis gishtave.
  • Kur uleni ose shtriheni mbani krahun ose këmbën e prekur të ngritur me jastëk.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *