Kujdesi për sëmundjen që bllokon mushkëritë

Ornela

Pranvera Kola – DITA

Përdorimi afatgjatë i duhanit, prania e infeksioneve bakteriale apo virusale, qëndrimi në ambiente të ngarkuara nga pluhurat, polenet, gazrat e makinave, si dhe faktori gjenetik janë ndër shkaqet më të shpeshta që dëmtojnë mushkërinë, duke e rrezikuar atë nga sëmundje të ndryshme.

Një ndër më shqetësueset është edhe ajo që njihet si sëmundja obstruktive pulmonare. Mjekja Ilda Xhelili, tregon për “Dita”, simptomat që shoqërojnë këtë sëmundje, si dhe masat që duhet të merren për parandalimin e pasojave të rënda që sjell në shëndetin e pacientit.

 Çfarë është sëmundja obstruktive pulmonare?

COPD është shkurtesa për sëmundjen pulmonare (mushkërore), obstruktive (bllokuese) kronike. COPD është një sëmundje e mushkërive që rezulton nga pengesat në aparatin e frymëmarrjes dhe që çon në problem të frymëmarrjes.

Edhe pse është një sëmundje progresive, diagnoza e hershme dhe trajtimi i duhur mund të ngadalësojnë përparimin e saj.

Dëmtimi i indit mushkëror gjatë kohës shkakton ndryshime fizike në mushkëri dhe rrugët e frymëmarrjes bllokohen me mukus të trashë (gëlbazë të trashë). Si pasojë e dëmtimit të indit mushkëror, dëmtohet aftësia e tij për t’u zgjeruar (dobësohet elasticiteti).

Kjo do të thotë që oksigjeni nuk mund të arrijë në hapësirat ajrore ku ndodh shkëmbimi i gazeve oksigjen dhe dioksid karboni. E gjithë kjo situatë provokon kollitje për të larguar mukozën e trashë dhe përfundimisht çon në vështirësi të frymëmarrjes.

Cilat janë simptomat klinike konkrete të COPD?

Simptoma kryesore e COPD është vështirësia e frymëmarrjes. Kjo ndodh në aktivitetet e përditshme gjatë ecjes, punëve të shtëpisë, pra edhe gjatë ngarkesave të vogla. Simptoma të tjera mund të përfshijnë: vështirësi, ngushtësi në gjoks dhe kollë kronike.

Individi i prekur mund të lodhet lehtë, të preket shpesh nga gripi dhe infeksione të tjera të rrugëve respiratore (të frymëmarrjes) duke prodhuar me tepër mukus dhe pështymë.

Simptomat e COPD përkeqësohen ngadalë dhe më pas pacientët mund të bëhen obezë nga mungesa e aktivitetit fizik, gjithashtu kanë humbje të masës muskulore, dhimbje koke në mëngjes, kanë një ngjyrë të kaltër në gri të thonjve dhe buzëve për shkak të uljes së nivelit të oksigjenit në gjak.

Anasjelltas mund të ndodhë që disa pacientë me këtë sëmundje dhe emfizemë mund të humbasin në peshë.

 

Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundjeje?

Pirja e duhanit dhe qëndrimi në ambiente me tym duhani (pirja pasive) luan një rol të rëndësishëm në shkaktimin e kësaj sëmundjeje.

Rreth 85-90 për qind të të gjitha vdekjeve prej kësaj sëmundjeje, lidhen me pirjen e duhanit. Shkaqet e tjera janë të lidhura me ngacmuesit mjedisorë, siç është ndotja e mjedisit që luan rol shumë të rëndësishëm.

Gati gjysma e të gjithë përkeqësimeve të COPD shkaktohen nga infeksionet bakteriale, ose virale, ndërsa pjesa tjetër përfaqësohen nga faktorët mjedisorë (tymi i duhanit, pluhurat, polenet, gazrat e makinave, aromat e forta, ekstremet e temperaturave të mjedisit qoftë të nxehta, qoftë të ftohta).

Shumë pacientë me këtë sëmundje zhvillojnë edhe bronkit kronik duke manifestuar një kollë që ndodh çdo ditë, dhe shkakton inflamacion (infeksion) të rrugëve të frymëmarrjes dhe mbiprodhim të mukusit. Trajtimi i bronkitit kronik mund të përfshijë zgjeruesit e bronkeve (bronkodilatatorët), kortizonët dhe terapinë me oksigjen.

Jo pak pacientë me COPD zhvillojnë emfizemën pulmonare. Në emfizemë dëmtohen aveolat, të cilat janë qese të vogla ajri, ku gjaku lë dioksidin e karbonit dhe merr oksigjenin për ta shpërndarë në të gjithë trupin. Kështu, alveolat vdesin duke lënë vrima në mushkëri dhe ulje të elasticitetit të saj. Simptomat e emfizemës rezultojnë me gulçim dhe kollë.

Për trajtimin e saj mund të përdoren bronkodilatatorë, kortizonikë, antibiotikë dhe oksigjen. Ndalohet rreptësisht pirja e duhanit dhe qëndrimi në ambiente të tilla.

Si trajtohet kjo sëmundje?

Natyrisht që kjo është një sëmundje komplekse dhe kronike, e cila kërkon një trajtim të specializuar dhe të vazhdueshëm nga mjeku përkatës.

Këta pacientë duhet të kenë shumë kujdes gjatë gjithë jetës së tyre për të kryer ekzaminimet e duhura sipas protokolleve të përcaktuara, si dhe të marrin në mënyrë të rregullt dhe vazhdimisht mjekimet e përshkruara nga mjeku.

Sipas studimeve, është e mundur që të ndalohet progresi i COPD-së nëpërmjet rehabilitimit të pjesshëm të mushkërive.

Konkretisht çfarë përfshin ky rehabilitim?

Ky rehabilitim përfshin menaxhimin e stresit dhe teknikat e frymëmarrjes. Këto teknika sqarohen nga mjekët specialistë, duke ndihmuar në përmirësimin e gjendjes fizike dhe menaxhimin më të mirë të sëmundjes.

Rehabilitimi i mushkërive synon të edukojë pacientët mbi teknikat e frymëmarrjes, medikamentet, ushqyerjen, relaksimin, oksigjenin dhe si të shmang përkeqësimin e sëmundjes. Së pari, këta pacientë duhet të mos bëjnë ecje të  gjata dhe aktivitetet fizike që i lënë pa frymë.

Teknika e frymëmarrjes që rekomandon mjeku në trajnime të posaçme, synon të rrisë nivelet e oksigjenit në gjak nëpërmjet teknikave individuale të frymëmarrjes. Kur COPD përparon, ulet niveli i oksigjenit në gjak duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje edhe gjatë kryerjes së detyrave të thjeshta të përditshmërisë, si përshembull gjatë ecjes, edhe pas disa hapave, ose edhe duke qëndruar pak në këmbë.

Prandaj përdorimi i oksigjenit në shtëpi për 15 orë në ditë mund të rrisë cilësinë e jetës dhe të ndihmojë pacientët me COPD të jetojnë më gjatë. Kujdes duhet treguar me bombolat e oksigjenit që mbahen në shtëpi sepse përbëjnë rrezik zjarri. Të mos pihet duhan dhe të mos ndizen qirinjtë në dhomën ku mbahet oksigjeni dhe ku përdoret ai.

Po aktiviteti fizik si ndikon në frenimin e pasojave të kësaj sëmundjeje?

Edhe pse mund të duket e çuditshme, aktiviteti fizik luan rol të rëndësishëm në pacientët me COPD, por natyrisht në përputhje me situatën individuale shëndetësore.

Rekomandohen lëvizje të lehta në shtrat, si lëvizje (shtrirje-mbledhje) të duarve dhe këmbëve për të përgatitur muskujt për aktivitete fizike, por edhe për të parandaluar dëmtimin dhe tendosjen e tyre.

Pastaj mund të bëhen shëtitje të lehta në këmbë, por edhe me biçikletë, patinazh, ski. Si rezultat i ushtrimeve fizike përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe organizmi e përdor më mirë oksigjenin dhe rrjedhimisht përmirësohet edhe puna e zemrës.

Përmirësohen, gjithashtu edhe situatat emocionale, largohet stresi, ankthi, depresioni, përmirësohet gjumi dhe i sëmuri ndjehet më i relaksuar. Por, duhet theksuar përsëri që para se të fillojë një program stërvitje, i sëmuri duhet të konsultohet me mjekun që ndjek ecurinë e sëmundjes së tij.

Cila është prognoza e COPD?

Prognoza e sëmundjes varet nga faza e saj dhe gjendja shëndetësore e pacientit. Sa më herët të fillojë trajtimi i saj dhe sa më herët të lihet duhani, aq më mirë është ecuria.

Në kohët e sotme jetëgjatësia e këtyre pacientëve është rritur shumë, sidomos nga përdorimi i oksigjenit në kushtet e shtëpisë, që përveç jetëgjatësisë, ka përmirësuar dukshëm edhe cilësinë e jetës së pacientëve që vuajnë nga COPD.

Simptomat

  • Simptoma më e shpeshtë është vështirësia në frymëmarrje.
  • Pacientët ndjejnë vështirësi dhe ngushtime në gjoks.
  • Një tjetër simptomë karakteristike është edhe kolla kronike.
  • I sëmuri preket lehtë nga gripi dhe infeksione të tjera respiratore.
  • Pacientët mund të bëhen obezë nga mungesa e aktivitetit fizik.
  • Shoqërohet me humbje të masës muskulore.
  • Mjaft e pranishme është edhe dhimbja e kokës në mëngjes.
  • Thonjtë dhe buzët marrin ngjyrë të kaltër në gri.
  • Humbje të pashpjegueshme në peshë, etj.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *