Anemia nga mangësia e hekurit është forma më e shpeshtë e anemisë. Rreziku për këtë anemi është më i lartë në disa periudha të rritjes intensive gjatë jetës si: fëmijëria dhe adoleshenca, kohë kur nevojat për hekur janë shumë të larta për shkak të rritjes intensive.
Në fëmijëri, vetëm foshnjat e moshës 0-6 muajsh nuk rrezikojnë për këtë anemi, pasi kanë depozita të mjaftueshme të hekurit të marra nga nënat. Kërkesa e shtuar për marrjen e hekurit, pakësimi i marrjes, ose humbja e madhe e tij prej organizmit shoqërohet me rrezik të madh për shfaqje të anemisë ferrodefiçitare.
Organizmi rrezikon më shumë për anemi kur kemi të bëjmë me: “Periudhat e rritjes së shpejtë, lindjet me peshë të ulët, ose premature, marrja të pakët të ushqimeve që përmbajnë hekur si mishi i kuq, peshku, pula, ose ushqime të pasura me acid askorbik, dietat makrobiotike dhe vegjetariane”.
Po ashtu rrezikojmë edhe nga konsumi jo i përshtatshëm i qumështit të lopës (fëmijët nën 12 muajsh, nuk duhet të marrin aspak qumësht lope, ata mbi 12 muajsh nuk duhet të marrin më shumë se 600 ml), nga përdorimi i qumështit të formulës, i cili nuk është i pasuruar me hekur, nga vazhdimi i ushqyerjes ekskluzive me qumësht gjiri edhe mbasi foshnja ka mbushur 6 muajsh, pa shtuar ushqime të tjera që përmbajnë hekur, nga mos ngrënia e rregullt e vakteve, nga shtatzënia, apo periudha menjëherë pas lindjes, si dhe nga pjesëmarrja në sporte intensive dhe për kohë të gjatë si vrapimet e gjata, nga humbje gjaku të kohëve të fundit për shkak të menstruacioneve, apo plagëve, parazitozat, apo edhe përdorimi kronik i aspirinës, apo anti-inflamatorëve josteroidë, si: ibuprofeni. P.K/ DITA
