Seit JONUZAJ*
Çështja e zgjidhjes së kufirit detar midis Shqipërisë e Greqisë po bëhet tërkuzë ca nga politika e ca nga padija. Kjo gjë ka krijuar çoroditje e paqartësi në opinionin e gjerë publik. Si specialist i lundrimit detar dhe si anëtar i delegacionit shqiptar në bisedimet e vitit 1958 për çminimin e kanalit të Korfuzit, po paraqes shpjegimet e mia për dy-tri çështje të lidhura me këtë problem.
Me gjithë sqarimet e shumta, të bëra herë pas here me argumente nga personalitete kompetente për çështjet e kufirit detar, përsëri nuk resht politizimi, duke e fryrë problemin në mënyrë të tejskajshme, veçanërisht pas deklarimit të qeverisë greke për shtrirjen e kufirit detar deri në 12 milje detare. Arrihet deri në absurd se si qeveria greke merr një vendim të tillë pa u marrë vesh me qeverinë shqiptare. Harrojnë apo nuk e dinë mëtuesit “patriotë” që e drejta për shtrirjen e kufirit detar deri në 12 milje nga çdo shtet bregdetar buron nga ligji ndërkombëtar i Montego Bay-t mbi të Drejtën detare, i vitit 1982, dhe kjo e drejtë zbatohet në drejtim të detit të hapur, ku ka hapësirë ujore dhe jo në ngushtica, siç është edhe ajo e Korfuzit midis bregdetit tonë dhe atij grek. Për ndarjen e ujërave të ngushticave zbatohen rregulla të tjera, duke arritur në marrëveshje përmes bisedimeve ndërmjet palëve të interesuara, ashtu siç po veprohet edhe në rastin tonë. Mirëpo edhe për këto bisedime të ndërprera përkohësisht për shkaqe të njohura, ka shpërthyer ditët e fundit një stuhi tjetër vetëtimash e bubullimash, lidhur me idenë e hedhur nga kryeministri shqiptar në Athinë për një arbitër të paanshëm në bisedimet midis Shqipërisë e Greqisë. Precedentë të kësaj natyre nëpër botë nuk mungojnë. Prandaj, pajtohem me arsyetimet e gazetarit e publicistit të njohur Skënder Minxhozi në shkrimin e datës 19 shtator te DITA.
Siç dihet, Shqipëria e ka vendosur prej kohësh kufirin detar prej 12 miljesh detare dhe për këtë vendim nuk i mori dorën askujt nga shtetet fqinjë, vetëm e publikoi. Atëherë, pse Greqia duhet t`i marrë leje Shqipërisë për këtë gjë?! “Frika” që i ka zënë “atdhedashësit” tanë është se 12-milëshi grek do të pushtojë ujërat shqiptare. Sipas kësaj logjike edhe Greqia duhet të “tmerrohet” se 12-milëshi shqiptar, duke u nisur nga bregdeti i Ksamilit duhet të “pushtojë” gjysmën e ishullit të Korfuzit se 12 milje ujërash midis Ksamilit e Korfuzit nuk ka. Kështu që gjykojmë se pretendimet që ngrihen në vijimësi, së pari e kryesisht kanë prapavijë politike; së dyti, padija, mosnjohja e ligjeve ndërkombëtare të detit i bën një pjesë të njerëzve t`u besojnë broçkullave të “patriotëve” tanë.
Vërtet që çështja e kufijve është shumë e ndjeshme dhe detyra e çdo qeverie është ta mbrojë me çdo kusht tërësinë tokësore të shtetit. Por kjo nuk mund të arrihet me përçartje “patriotike”, po vetëm duke njohur mirë përmbajtjen e disa koncepteve themelore nga kuptimi i duhur i të cilave varet zgjidhja e drejtë e problemit. Dhe të tilla janë konceptet “gji”, “gji historik” e “arkipelag”, që duhen interpretuar shkencërisht.
Duke nisur me konceptet e “gjirit detar” dhe të “gjirit historik”, me gjithë konsideratën tonë për kolonelin-topograf Myslim Pashaj, si luftëtar aktiv për mbrojtjen e tërësisë territoriale, na duken të gabuara interpretimet e këtyre dy koncepteve prej tij. Megjithëse kemi pasur rast të flasim drejtpërdrejt e t`i sheshojmë mendimet për to, duke gjetur mirëkuptimin e duhur, prof. Pashaj ditët e fundit i është rikthyer përsëri kuptimit të tij për to. Së pari, nuk është normale të quash gji bregdetin verior të ngushticës së Korfuzit që nga kepi i Qefalit në veri e deri te kepi i Mërtesës në jug. Gji quhet pjesa e detit që futet thellë në tokë dhe mund të jetë e mbrojtur nga erërat dhe dallgët për qëndrimin e anijeve. Në këtë hapësirë bregdetare, deti futet në tokë vetëm përballë qytetit të Sarandës, midis kepit veriperëndimor të Paladhës dhe kepit të Dentës në jug, duke formuar një gji jo të madh, në krye të të cilit ndodhet porti detar me infrastrukturën e nevojshme. Një mikrogji me emrin Limjon krijon futja e detit në tokë edhe midis kepit të Paladhës dhe kepit perëndimor të Varesë. Ndërsa vija bregdetare nga Ksamili deri në grykëderdhjen e lumit të Bistricës në Çukë dhe nga kepi i Paladhës deri në kepin e Qefalit ka një shtrirje pak a shumë drejtvizore. Pra, në këtë zonë nuk ka ndonjë gji tjetër për t`u përkufizuar e shënuar si i tillë (shih Udhëzues Lundrimi për detin Adriatik e Jon, Bregdeti shqiptar, Përshkrimi gjeografiko-lundrimor, botim i Shërbimit hidrografik të Forcës detare, Tiranë 1967, f. 69-81).
Sa i përket konceptit të dytë, nuk ka bazë për t`u quajtur një gji i vogël, siç është ai i Sarandës, gji historik dhe që u dashka vendosur me vendim qeverie. Në bazë të Fjalorëve enciklopedikë e terminologjikë detarë, “gjire historikë” quhen gjiret me gjerësi të madhe hyrjeje (deri në 100 milje detare) që ndodhen brenda territorit të një shteti, të cilët, për hir të traditës, quhen jo vetëm ujëra detare të brendshme, por edhe gjire historike. Të tilla janë: në Francë gjiri Kankal (gjerësia e hyrjes 17 milje detare), në Norvegji gjiri Varangerfiord (gjerësia e hyrjes 30 m.d.), në Angli Kanali i Bristolit (gjerësia e hyrjes 100 m.d.), në SHBA gjiri Fendi (gjerësia e hyrjes 65 m.d.), në Kanada gjiri Guxon (gjerësia e hyrjes 75 m.d.), në Rusi gjiret: i Petros së Madh, detet tip gjiresh Karsk, Laptiev, Siberiano-Lindor etj. Është me përmasa të tilla gjiri i Sarandës? Jo. E shumta, nëse merret si hyrje e këtij gjiri hapësira ndërmjet kepit të Varesë në veriperëndim dhe kepit të Dentës në jug, ajo ka një gjerësi prej jo më shumë se dy milje detare.
Pra, gjiret detare historike janë gjire të cilave u ka mbetur ky cilësim nga tradita e hershme historike dhe jo se janë shpallur të tillë me ndonjë dekret apo vendim shtetëror. Prandaj mendimi i hedhur gjatë debateve mbi marrëveshjen për kufirin detar Shqipëri–Greqi se “gjiri i Sarandës është historik”, duke e lidhur me praninë e objekteve arkeologjike historike në atë zonë, është pa bazë. Gjiri i Sarandës nuk i plotëson kushtet për t`u quajtur historik as nga tradita historike, sepse nuk e ka trashëguar këtë cilësim nga e kaluara e tij e lashtë dhe as ka përmasat e gjireve me cilësim të tillë në botë.
Përndryshe, edhe po të lidhej ky përcaktim me objektet historike, atëherë, po gjiret e Vlorës e të Durrësit që kanë aq shumë objekte historiko-arkeologjike mbi e nën dhe, pse nuk quhen historike?! Edhe nga pikëpamja pragmatike, çfarë përfitimi apo dobie do të kishte Shqipëria nga shpallja me vendim shtetëror e gjirit të Sarandës gji historik? Prandaj mendojmë se ringritja e kësaj çështjeje vetëm se e largon vëmendjen nga problemi kryesor.
Kurse koncepti i arkipelagut (grumbuj ishujsh) në rastin tonë, ka të bëjë me arkipelagun e Korfuzit, që është përcaktuar prej kohësh si i tillë. Dhe në arkipelag merret si bazë ishulli kryesor. Pra, Korfuzi dhe jo Barketa (një shkëmb që herë shfaqet e herë zhduket) merret si bazë për bregdetin grek. Marrja e Barketës si bazë në marrëveshjen që u hodh poshtë nga Gjykata jonë Kushtetuese, mendojmë se e kishte burimin pikërisht në inkompetencën e grupit negociator.
Ndodhemi para një problemi shumë të ndërlikuar, për zgjidhjen e drejtë të të cilit mendojmë se duhet pasur parasysh se asnjë specialist i vetëm nuk mund të japë zgjidhjen më të mirë. Zgjidhja normale e problemit do të kërkonte bashkëpunimin e specialistëve të fushave të ndryshme: të juristëve të specializuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare të detit dhe në të drejtën kushtetuese; të ushtarakëve të Flotës Detare dhe të specialistëve të lundrimit; të historianëve, arkeologëve e etnologëve; të gjeografëve e të topografëve.
Këtu do të ndihmonte edhe historia e çminimit të ngushticës së Korfuzit më 1958 nga Flota jonë Ushtarako-Detare, në bashkëveprim me Flotën Ushtarake greke. Atëherë delegacionet qeveritare të të dy palëve nuk patën asnjë mosmarrëveshje për kufirin detar, përkundrazi, kishin mirëkuptim të plotë, sepse mendimet dhe hartat e të dy palëve përputheshin. Hartat (planshetet), në të cilat u pasqyrua çminimi i ngushticës, sikurse edhe marrëveshja e arritur dhe e nënshkruar në Korfuz nga kryetarët e të dy delegacioneve, besojmë se ruhen në arkivin e Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Ky mendojmë se është një argument i fortë në bisedimet a në gjyqin që do të zhvillohet. Përveç kësaj, janë gjallë edhe disa nga pjesëtarët e delegacionit shqiptar që mori pjesë në bisedimet me palën greke.
Secili në fushën e vet të sqarojë problemin dhe pastaj të gjitha kontributet të njësohen në një platformë të vetme, që do të shërbejë si bazë për bisedime me palën greke. Kjo platformë e dalë nga harmonizimi i mendimeve të specialistëve të mësipërm do t’i bënte më të forta pozitat e ekipit tonë negociues në bisedimet e ardhshme, në mënyrë që të mos humbim asnjë metër katror nga pasuria jonë detare.
*Specialist i lartë i lundrimit detar
Shënim:
Autori i shkrimit, tani i moshuar, po shumë aktiv, është shkolluar në Rusi (6 vjet në Odesë), oficer i lartë i Marinës, shturman i anijes flamurmbajtëse të Flotës sonë Ushtarako-Detare, pedagog deri sa doli në pension në Shkollën e Detarisë dhe pastaj në departamentin e Detarisë në Universitetin e Vlorës. Ka qenë anëtar i delegacionit shqiptar në bisedimet me palën geke për çminimin e kanalit të Korfuzit, pra e njeh me rrënjë çështjen. E reja e shkrimit është se bën fjalë për harta të ngushticës të të dy palëve që nuk kishin asnjë ndryshim dhe kam frikë se këta tani nuk i hapin arkivat.

Respekte i nderuar shef Seiti. Po të drejtohem si dikur “shef” kur erdhe në Sazan dhe më dhe një libër në rusisht me tregime për veprimtarinë luftarake të katerave silurues sovjetikë në luftën e dytë botërore për ta përkthyer e për ta botuar. Më duket që e kam përkthyer si duhet megjithëse ishja i ndërgjegjshëm që nuk mund të botohej për vet faktin që në atë kohë anatemohej përvoja sovjetike. Jam vërtet i gëzuar, që megjithëse i moshuar, je aktiv dhe shqetsohesh për vëndin dhe jep kontributin tënd duke qënë kompetent në problemet që diskutohen dhe më vjen keq që qeveritarët e sotëm nuk u pyesin por mbështeten në ekspertizat e njerëzve të pa aftë dhe jo vetëm diskretitojnë vehten para të huajve por edhe kalojnë nga injoranca në akte që vijnë erë tradhëtie. Më vjen keq që njerzit primitivë që na qeverisin injorojnë një plejadë të tërë inxhinjerash, oficerash, agronomësh…… të mrekullushëm, me dije e përvojë në shumë fusha të veprimtarisë njerzore e shtetërore dhe pyeten e meren ekspert njerëz të nivelit të diplomuarve në universitetet e llojit të “Kristalit “famkeq. Shpresoj që tju kenë në konsideratë si ish shturman i FLD së dikurshme dhe me përvojën e marrveshjeve për kanalin e Korfuzit për çminimin me palën greke dhe si i moshur i shtëpisë sonë të përbashkët Shqipërisë që vetëm për respekt për vitet që mbajnë mbi supe duhet që të vjetrit e shtëpisë të pyeten dhe të dëgjohen. Kështu bëjnë burrat e shtetit kudo në botë por sikurse duket ne nuk kemi burra shteti që na qeverisin për fat të keq. Përfitoj nga kjo faqe e Ditës të përshëndes nga zëmra shef Seiti!
O njerëz, pse qeveritarët tanë të mos ulen e të pleqësojnë, sikurse thot edhe i nderuari navigator i FLD, Seit Jonuzi, me specialistët më të mirë të lundrimit detar , të hartografisë, të së drejtës ndërkombëtare ….etj, një komision a grup që mund ti komunikohet emër për emër publikut se cilët janë dhe pse jo, edhe çfarë pune po bëjnë. Pse kryeministri broçkollit si njeri që flet përçart , ç’thot sot nuk thot nesër dhe këput të trasha që janë ide primitive që janë pjellë e mëndjes së tij frut i fiksimit se ai i di të gjitha dhe e kthen këtë në një problem me natyrë konspirative, si marrveshje të fshehtë ose marrveshje pazaresh të flliqura. Pse o njerëz nuk i le specialistët të flasin, madje të jenë specialistët (jo idjotët pa kulturë të Sali Berishës që pregatitën marrveshjen turpëruese dhe me prirje tradhëtie) të informojnë në media për problemet e ndryshme që dalin dhe pasi të ndakortësohen gjërat në mënyrë institucionale ka të drejtë dhe detyrë kryeministri të bisedoj me kryeministrin e Greqisë dhe jo të improvizoj në mënyrë naive në takime ndërkombëtare si njeri që nuk i ka këmbët në tokë. Por më duket qeveritarët tanë nuk bredhin e bisedojnë për hallet e popullit dhe vëndit por bëjnë pazare për torbën e tyre të kusarisë dhe në takimet ndërkombëtare përndryshe ky problem nuk do të zdërvallesh e të bëhej çorbë mediatike nga njerzit inkompetent, sikurse jam edhe unë e shumë të tjerë, që kanë komentuar duke prer kërcunjë të trash mendimesh pa vlerë, pamvarsisht se mund të jenë shumë të mirë psh në fushën e diplomacisë ose në ndonjë fushë tjetër. Kryeministri të thoshte vetëm kaq që është një grup pune me këta specialist me emër mbiemër dhe kanë arritur në këtë pikë në punën e tyre,por kam frik se grupi i punës është vetëm mëndja universale e kryeministrit tonë të gjithëanshëm që është shumë prodhuese sidomos në pozicionin shtrirë si në video rregjistrimin ku zgurdullon njërin sy dhe thot me madhështi “What the fuck!” .Mjer ne kush na qeveris, thua pa dashur me vehte, kur shikon kryeministrin në këtë video karikaturë!!! Thonë që ja kanë tregur edhe kancelares Merkel këtë video karikaturë dhe është trëmbur dhe nuk pranon më të takoj shokun Edi.