Çfarë i ka bërë dy shefat e shtetit, njëri në njërën anë të Bulevardit dhe tjetri në anën tjetër, kaq të mllefosur, luftarakë e kërcënues? Kur iu është dashur kanë bërë marrëveshje skandaloze; kanë bërë pasuri dhe nuk kanë dhënë llogari; kanë dhënë e kanë marrë me shtetin si me mallin e babait, por vendi pak ua ka parë hajrin. Tani, çfarë kanë? Ilir Meta është në zyrën presidenciale sepse aty e dërgoi Edi Rama. Edi Rama është në zyrën kryeministrore pas ngjalave të Lalzit. Halli i të dyve, veç e veç e së bashku, nuk është halli i Shqipërisë. Fshehja pas perdes së luftës për parime është aq e dukshme dhe tashmë e pavlerë, sa që askush nuk i beson më. Ata që, në 22 vite kanë bërë kaq pazare mund t’i bëjnë përsëri, nëse mendojnë se nga lufta mes tyre mund të shkatërrohen të dy.
Nga Bedri Islami
Asnjëherë më parë, marrëdhëniet mes dy institucioneve kryesore të shtetit, presidencës dhe kryeministrisë, nuk kanë qenë kaq të acaruara, shpërthyese dhe të dëmshme për vetë vendin.
Ka pasur edhe në vite të shkuara konflikte dhe përplasje, mëri të zgjatura apo të shkurtra, inate rrugësh apo private, përplasje për një dekret të kthyer pas apo një vendim të mbrapshtë, por kurrë ata nuk kanë qenë kaq të akullzuara, për të mos thënë se tashmë kanë shkuar drejt një armiqësie të hapur, të furishme, shpesh herë të pamend dhe keqdashëse ndaj shtetit.
Më herët, në vitet e shkuara, zakonisht përplasjet kanë ardhur kur drejtuesit e lartë të shtetit kanë qenë nga forca politike të ndryshme, që shpejt bëheshin të kundërta. Zakonisht bartësi i madh i përplasjeve ishte Berisha pas humbjes së pushtetit dhe, pavarësisht se kush ishte në postin e të parit të shtetit, mëritë, sulmet, përplasjet, tallavatë politike, nuk kanë munguar.
Kanë ndodhur përplasje edhe mes të njëjtit lloj, si Nano ndaj Meidanit, Meidani ndaj Majkos, Moisiu ndaj kryeministrave të radhës, por këto kanë qenë për të mbajtur në këmbë establishmentin e vet secili nga krerët e kurrë në këtë llavë mërie, abuzimesh me pushtetin e me shtetin, sulme verbale, të hapura, gërmime arkeologjike në breza, hapje sms të dërguara privatisht e jo privatisht, letra e kërcënime, dalje në skenë të personazheve tragji-komikë dhe heroikë, tundje të vulave të haxhiqamilëve dhe të pistoletave të avnirustemëve, kërcëllitje dhëmbësh, paralajmërime burgjesh dhe shkarkimesh, tërheqje zvarrë dhe shkallime.
Llumi i përplasjeve ka shpërthyer hapur, mjerisht aq i turbullt dhe aq mizor, sa që të duket se vendi është në pragun e luftës civile, flamurët e të cilës po i tundin liderët, ndërsa populli barit i qetë në brigjet e detrave, zhuritet në rrugët e qyteteve, përjeton mundin e sigurimit të bukës së gojës, përgjërohet për një ditë më të mirë dhe më të paqtë në jetën e tij.
Çfarë i ka bërë dy shefat e shtetit, njëri në njërën anë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe tjetri në anën tjetër, kaq të mllefosur, të zemëruar, luftarakë, të mëritur, kërcënues dhe dhunëdashës, sa që askush nuk e ka pritur.
Presidenti Meta është në godinën presidenciale sepse aty e dërgoi, ndoshta edhe jashtë dëshirës së tij, shefi i sotëm i qeverisë, Edi Rama. I cili, që nga e hëna thotë se do fillojë lëvizjen më të pandodhur në historinë e pluralizmit shqiptar: largimin e tij nga godina dhe dërgimin disa qindra metra më tej, në një godinë tjetër, e cila njihet si krijesa e Metës, LSI.
Edi Ramën e dërgoi fillimisht në zyrën kryeministrore pikërisht Ilir Meta, përmes marrëveshjes së njohur të Ngjalave, ashtu si mburret tani i pari i shtetit se, disa vite më parë, e ka dërguar në zyrën e kryebashkiakut tiranas, dhe që ja hoqi, po disa vite më pas, duke ia dhënë aleatit tjetër të tij, Lulzim Basha.
Në rreth 22 vite jetë të përbashkët politike, Rama dhe Meta shpesh herë kanë qenë dashuronjës të përvëluar dhe meqenëse u përmend diku Venecia ata të kanë kujtuar dashnorët e Venedikut, e, herë të tjera, kanë pasur aq shumë armiqësi ndaj njëri tjetrit, që më pas është kthyer në një dashuri të re, për të shkuar drejt një urrejtje të radhës, e kthim në dashurinë e parë.
Kur iu është dashur kanë bërë marrëveshje skandaloze apo kanë ngulur këmbë në krijimin e dëshmive të sakta shtetërore; kanë bërë pasuri dhe nuk kanë dhënë llogari, të paktën për vilat ku jtojnë dhe që i kanë bërë “ me bukën e gojës”, për lejet e pallateve që ia kanë dhënë njëri tjetrit, për tenderët e shpërndarë sipas dikastereve që kanë mbisunduar; kanë dhënë e kanë marrë me shtetin si me mallin e babait të njërit apo të tjetrit, por vendi pak ua ka parë hajrin.
Tani, çfarë kanë?
A është mëria e tyre edhe mëria e shqiptarëve? Me siguri, jo.
Por, përmes kësaj llave armiqësie ata po futin mes njerëzve, si një injeksion të furishëm, edhe një herë, ndarjen mes njërës palë e palës tjetër, po futin e ndezin hasmëritë politike që ishin tejkaluar, futin dhunën si element të politikës, duke e kthyer jetën e vendit edhe një herë në vitin 1991…
30 qershori, i zhdekretuar nga njëri, në të vërtetë pasi dështuan përpjekjet e Kryemadhit dhe të Bashës që përmes protestave të rrëzonin qeverinë, dhe, i ndjekur nga tjetri besnikërisht, si përplasja e rradhës, që të dy në emër të Kushtetutës dhe të kushtetutshmërisë; nuk solli dhunën që kishte paralajmëruar me aq bujë një treshe e politikës, Meta, Basha, Berisha, por nuk solli as zgjidhjen vendimtare, si kishte ideuar dhe saktësuar Rama.
30 qershori nuk ndodhi se deshi Rama dhe pse e kundërshtoi Meta. Ndodhi sepse forca politike ndërkombëtare, euroatllantike, deshën të ndodhë, ata u futën në lojë jo si vëzhgues, por si aktorë të dorës së parë, ata e perceptuan të gjithë këtë si një çështje të tyre, sepse e dinin fare mirë se pas gjithë zhurnajës për një 30 qershor ishte shumë më tepër: do të dalë ky vend nga bataku ku e ka futur politika apo do të zhytet më tej.
Për të dalë nga bataku duheshin bërë, përmes dhimbjes 30 qershori dhe vazhdimi i tij. Se cili është vazhdimi të gjithë e dinë se ka lidhje me reformën në Drejtësi e ndoshta edhe me ardhjen, qoftë si ndihmës apo direkt në proces, të figurave të njohura të drejtësisë nga perëndimi.
Meta në njërin krah dhe Rama në anën tjetër , të vendosur ballë njëri tjetrit, duke pasur pas vetes taborret e tyre politike, më shumë se me njëri tjetrin e kanë me dy gjëra që lëvizin jetët e tyre: me reformën në drejtësi dhe me pushtetin.
Në Shqipëri, tash 30 vite pluralizëm, ka pasur një aksiomë : kush ka pushtetin, ka edhe drejtësinë. Drejtësia ka qenë e pushtetit. Tani, si duket, gjërat po dalin nga dora e pushtetit, por ëndrra e vjetër mbetet. Meta e ndjen më herët këtë ndryshim drastik, pasi ai e di fare mirë se si lëvizin fijet e drejtësisë, e di fare mirë se si mund të hidhet poshtë edhe një analizë e përpiktë e FBI-së; ashtu si, në anën tjetër, Rama e di mirë se vjen koha kur gjykimi për PPP-të e “ famshme”, lidhjet me botën e oligarkisë dhe të forët e pandashëm, mbyllja e syve drejt mosndëshkimit të së keqes dhe hapja rrugë e një të keqeje të re, vjen në ditën e saj.
Ditën e djeshme , presidenti Meta, si të donte të saktësonte se dhimbja e tij ishte pikërisht reforma në drejtësi filloi sulmin ndaj saj. Në kahun tjetër, si për të treguar se ai është zot në këtë lojë, shpejtoi procedurat e shkarkimit të presidentit dhe aq i ngutshëm ishte e është sa që nuk priste dot të enjten e ardhshme, por e spostoi atë në ditën e hënë. Meta thërret në ndihmë opozitën, të cilës, sipas një analisti nga Kosova, tani i prin. Si për të ndenjur në traditën e hershme të liderëve tanë që marrin pranë vetes figura me staturë të lidhur me një të djeshme të hidhur në Kosovë, edhe Meta nuk bëri përjashtim.
Reforma në Drejtësi, përmes katër shkronja fillimisht ,SPAK, dhe pastaj, përmes dy të tjerave, BKH, i ka ndezur gjakrat e politikës së lartë institucionale, gjithnjë me bindjen se e gjithë kjo do të depërtojë edhe tek ne njerëzit e zakonshëm.
Ideja e re e presidentit që, përmes thyerjeve të reja kushtetuese, me 13 tetor të bëhen njëherësh tri palë zgjedhje dhe këmbëngulja e shefit të qeverisë për t’a larguar atë nga posti i presidentit, në fakt është dëshmia e fshehtë e luftës për zhvendosje të balancave përfundimisht në njërin krah ose në tjetrin.
Halli i të dyve, veç e veç e së bashku, nuk është halli i Shqipërisë. Mëria e tyre, sherri dhe mllefi nuk është e askujt tjetër veçse e atyre. Fshehja pas perdes së luftës për parime dhe integritet është aq e dukshme dhe tashmë e pavlerë, sa që askush nuk beson më.
Ata që, në 22 vite kanë bërë pazare dhe kanë nënshkruar akte e lëvizje politike mund t’i bëjnë përsëri, nëse mendojnë se nga lufta mes tyre mund të shkatërrohen të dy.
****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë