Disa i fshin vdekja dhe bën mirë që i fshin. Disa të tjerë, me largimin nga kjo jetë, lënë keqardhje prapa ndërsa të tjerë lënë dhimbje të thellë, boshllëk të madh i cili vështirë se mund të mbushet. Në fakt të tille nuk vdesin, ata kthehen në legjenda dhe legjendat nuk vdesin kurrë. I tillë ishte Skënder Drini, i cili me largimin e tij nga kjo jetë, u bë i pavdekshëm. Drini (kështu më pëlqente t’i thërrisja) sot i mungon shumëkujt dhe shumëçkaje. Ai i mungon Karolinës së tij të dashur për të cilën ai sakrifikoi lirinë, pavarësinë, gëzimet e jetës së vet. Karolina për atë ishte idhulli të cilit ai i kishte dhuruar gjithçka. Njëherë duke pirë kafe bashkë, më tregoi historinë e dhimbshme të saj dhe unë i thashë: Drini, ti më dukesh si Krishti. Pse, më pyeti ai. Krishtin kur e gozhduan, e urdhëruan të ecte me kryq në shpinë, ashtu i kryqëzuar, dhe ai qeshi. Si guxon të qeshësh, ti pas pak do të vdesësh, i tha xhelati. Dhe Krishti iu përgjigj: “E di se do të vdes, por unë po bëj vetëm atë që më ra për pjesë”. Ku është ai burrë që do ta bënte atë që ke bërë ti për gruan tënde, që do të bënte atë që i ra për pjesë, ashtu si Krishti dhe ti, vazhdova unë.
Drini u mungon shokëve të tij të ngushtë nga të gjitha trojet dhe trevat shqiptare, të afërmve, dashamirësve, lexuesve të tij të shumtë. Ai i mungon Korçës ku u lind, i mungon Shkodrës të cilës i fali rininë e vet, i mungon Shqipërisë dhe veçanërisht asaj pjese që ne e thërrasim Kosovë. Kishte
shumë dëshirë të vizitonte Gjermaninë dhe unë e ftova. Muajt dhe vitet po kalonin dhe ai nuk po bëhej gati. Ai nuk mund t’ja lejonte vetes një kënaqësi të cilën nuk mund ta shijonte edhe Karolina.
Një ditë e pyeta: Drini, kur mendon se mund të udhëtojmë për në Gjermani. Pasi u mendua pak, më tha: “Gjermania ka qenë dhe me sa duket do të mbetet vetëm ëndërr për mua. Por unë kam një dëshirë tjetër. Nuk dua të vdes kurrsesi pa e shkelur edhe njëherë tokën e Kosovës”. Kjo është e thjeshtë fare, mund të nisemi që nesër, i thashë dhe ashtu bëmë.
Vizituam disa qytete të Kosovës, u takuam me shumë shokë dhe miq të ngushtë të tij, fjetëm një natë në Prishtinë por, përfundimisht u largua shumë i trishtuar nga gjendja politike dhe ekonomike e Kosovës. Dhe me atë trishtim u largua nga kjo jetë. Të vetmit njerëz, për të cilët ai fliste pozitivisht, pa rezerva, ishin ata që ai i mendonte patriotë të vërtetë, të guximshëm e të ditur të cilët luftonin për Kosovën dhe mbarë çështjen shqiptare.
Një ditë i thashë se në Shkodër ndodhet Bedri Islami. Ai reagoi menjëherë dhe më tha: “Si mund të takohemi me atë? Kam dëgjuar shumë për atë njeri të veçantë dhe kam shumë dëshirë ta takoj. Ai ka bërë shumë për Kosovën dhe mbarë çështjen shqiptare”.
Takimi u realizua dhe mbeti shumë i kënaqur. “Nëse e arrij, dua të shkruaj diçka për Bedriun dhe disa patriotë të tjerë nga Kosova”, më tha në një rast por, nuk arriti. Ai kishte bërë plan të shkruante një libër për rrugën e lirisë së Kosovës. Madje kishim biseduar edhe për titullin i cili mund të ishte “Kosova thyen heshtjen” (heshtjen e brendshme dhe atë ndërkombëtare). Aty ai do të fliste edhe për të diturit, patriotë dhe të guximshmit, nismëtarët dhe organizatorët e luftës për liri.
Drini i mungon letërsisë shqipe dhe pikërisht tani, në ditët më të zymta të saj. Është shumë e vështirë të flasësh për Drinin si shkrimtar pasi, të flasësh për një gjigand të tillë, duhet të jesh po aq. Si paraardhës të Drinit si shkrimtar, unë mund të mendoj Migjenin ndërsa pasardhës nuk e di nëse ka dhe ndoshta nuk do të ketë për shumë kohë. Shkrimtari lindet, letrari bëhet ose nuk bëhet fare. Drini ishte shkrimtar i lindur. Ai ishte filozof, psikolog, pedagog, letrar, biolog, ishte i të gjitha sferave të jetës ku merr frymë njeriu. Por ai nuk ishte kurrë shkrimtar i oborreve politike, demagog i ekraneve dhe medias, kobure në duart e injorantëve. Ai ishte i papajtueshëm me ligësinë dhe militant i pamposhtur i së vërtetës. Kishte neveri për politikanët dhe shpesh thoshte: “Se si më duken këta politikanët tanë, si të ardhur…”. Ai ishte kundër lavdisë personale. Lavdia sot është bërë monopol dhe jo më meritë, mendonte ai. “Për mua është shumë më mirë nëse dikush pyet: Pse nuk ka varr Skënder Drini, se sa kush ja ka bërë varrin”, mendonte ai. Lamtumirë, i dashur Drini! Shokët nuk do të të lënë të vdesësh.

Leka, urime per shkrimin. Skender Drini ishte nje personalitet i paperseritshem, bash njashtu sic e ke pervijuar ti e me gjere akoma. E kam njohur personalisht dhe ruaj kujtime te dashura per te. Poeti i shquar, Ndoc Gjetja, mik i tij, pat shkruar dikur, se dy shkrimtare e kane thurur vepren e tyre ne province: Lasgush Poradeci dhe Skender Drini!
Ne perdorim rendom shprehjen “Ka nderruar jete”. E keshtu ka ndodhur vertet me Skender Drinin! Ndersa me “vorraxhinjte”, mediokrit, ziliqaret, te paaftet, te ligjte ngjet ndryshe: atyre u shkruhet saktesisht viti i lindjes e i vdekjes se tyre. Ndersa Skenderit te madh, jo!
Flm per kete perkujdimore teper dashamirese e nderuese. Ndero te te nderojne, i dashur Leka!