Behar Gjoka
Shënime për romanin “Engjëjt e errësirës“
Romani Engjëjt e errësirës, megjithëse shënon librin e parë të autores Alda Mehmeti, menjëherë të fut në shtjellat e një bote makabër, që megjithëse jemi ndarë nga monizmi, nuk është shumë larg qenies shqiptare në këtë periudhe. Në thelbin e vetë shkrimor është një libër, që njëherit në hapësirën e tekstit projekton kujtesën dhe lirinë, në një situatë marrëdhënieje të ndërsjellë, ku marrëdhënia me kujtesën është më e fortë, gjë që të ndërmend sugjerimin e Milan Kunderës, se kujtesa është e vlertë që e keqja të mos përsëritet.
Teksti romanor, me një hapësirë të shtrirë subjektore, duke shqiptuar brenda materies letrare, dy anë të së njëjtës medalje, të një kohe të mbrapshtë, kur njeriu i ri bënte gjëma dhe marrëzira, e cila duket sikur ka ikur, ndërkohë që ende na sillet nëpër këmbë, sendërton një realitet letrar, që vetvetiu të fut në një atmosferë, të enigmës së ndërlidhjes së beftë ndërmjet kujtesës me lirinë. Kujtesa etike dhe estetike, pra më tepër një rimarrje e kohës së kaluar, kur liria mungonte plotësisht, ose përpëlitej në kthetrat e pushtetit monist që dhunonte liritë dhe të drejtat njerëzore.
Libri, duke pranëvënë kujtesën me lirinë, madje si një mungesë e theksuar dhe kërkim i saj në ferrin ideologjik, përpos tjerash, ka përçuar mesazhin e katarsës së nevojshme, për t’u ndarë përfundimisht nga bota makabër, ku njeriu ishte vegël në duart e diktaturës. Si një kthim mbrapa në kohë, një retrospektivë e mirëmenduar, në të djeshmen e hidhur, që edhe në këtë hark kohor na është ngatërruar nëpër këmbë, me shumë gjasa është një kujtesë për të mos harruar tmerrin që përjetuam, sepse ai përsëritet në një formë më të përçudnuar…
Faktikja dhe shkalla e përpunimit
Ngjarja “reale”, e cila ka të bëjë me faktiken që ka ndodhur dikur, në kohën e diktaturës, për nevojat e sistemit, është vendosja e bombës në ambasadën sovjetike, ndonëse ende sot e gjithë ditën, ky akt zhurmues ka mbetur një mister pa gjetur fajtorët e vërtetë. Po ashtu, enigmë pa asnjë përgjigje ka mbetur fajësimi pa të drejtë i njerëzve, që nuk kishin asnjë lidhje me vendosjen e bombës. Si në shumicën e herëve, diktatura e kohës gjeti dhe shpiku “koka turku” për ta mbyllur ngjarjen.
Pra, disa njerëz në atë periudhë, edhe pse të pafajshëm, morën dënimet më të rënda, me burgosje dhe internime, ndonëse pjesa dërrmuese janë ende varrehumbur. Fatet e personazheve qendrorë apo episodikë, që gjallojnë në hapësirën e tekstit, duket sikur janë marrë nga realiteti i kohës që lamë pas. Pasojat e tmerrshme që ata përjetuan pas atij momenti, i cili është vetëmse shtysa e projektimit të romanit, pra kryen funksionin e makrongjarjes, tashmë të vetë realitetit letrar të paraqitur në roman.
Nisur nga prania e faktikes dhe niveli i përpunimit autorial, ngjarja e ambasadës është vetëmse shkaku për një kthim mbrapa, sa për të hedhur një vështrim, sidomos për të kthjellur kujtesën, e kohës pa kohë, që formalisht e kemi lënë pas. Po kaq, libri merr përsipër për të hedhur dritë në atë terr e tmerr të kalvarit të sistemit monist, gjë që shndërrohet në një vatër, ku shohim dhe prekim pasojat që solli ndodhia në jetën e njerëzve, që pa asnjë provë u shpallën fajtorë, madje humbën jetën.
Koha dhe vetë akti i vendosjes së bombës, më tepër për të bërë zhurmë dhe për të realizuar alarmin që i duhej udhëheqësve komunistë, shërben si shtysë për të sendërtuar tekstin e romanit. Përpunimi artistik, shtjellimi i disa linjave shoqërore dhe intime, sidomos fundi sublim i protagonistit, Flori Raveli, që duket se realitetin konkret të kohës, romani Engjëjt e errësirës, e ka vetëm si sfondin ku vendosen ngjarjet, ndërsa mëtimi autorial, për të ngjizur një kundrojë letrare, është parësore.

Linjat e pranishme subjektore
Faqet e romanit, krejt natyrshëm ofrojnë një rrjedhë ngjarjesh, kryesisht të ravijëzuara në shtratin ligjërimor linear, ndonëse të një dinamike klasike. Gjergj Llukashin, në librin Teoria e Romanit, në mes të tjerash nënvizon: Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën.
Në raste të veçanta, papandehur iket në të kaluarën e afërt, që shpaloset si një digresion që zgjeron frymëmarrjen e atmosferës së zymtë që paraqet libri. Pra, teksti romanor ka një rrjedhë ngjarjesh të mirëmenduara, që herë kanë lëvizje dinamike të brendshme nëpër krerët dhe episodet respektive, herë ngjet kthimi mbrapa në kohë, një kthim funksional në tërësinë e romanit. Megjithatë, theksimi i tipareve të zhanrit më të gjatë të prozës, përveçse nga ndarja në krerë dhe episode, në hapësirat e tekstit, përthekohen organikisht nga prania e linjave kryesore:
A – Fati i Flori Ravelit, epiqendrës së romanit, njeriut rebel dhe të etur për liri, që madje për hir të saj shkon deri në aktin sublim, të shpërthimit të hekurave të burgut-ferr. Ndërkaq, tek fati i protagonistit të romanit ngërthehen dy histori që janë në marrëdhënie të ndërsjella, ndonëse të rrëfyer në hapësirën e librit. E para, që megjithatë luan rolin e kthimit mbrapa, është arratisja e djaloshit kur ishte fëmijë, në kohën e akuzës për të atin, si vënës i bombës dhe kthimi i tij pas një amnistie. E bashkëlidhur me fatin e kryeprotagonistit është edhe linja intime, e cila zbulon një dramë më vete, sepse sigurimi i shtetit, sigurimsat e pafytyrë, kanë hyrë në secilin nerv të jetës së njeriut, madje pa pikën e drojës kanë vrarë edhe dashurinë.
B – Linja e të atit të djaloshit, një parahistori dhe histori që nuk i ndahet këmba-këmbës, e cila lidhet me akuzën e tmerrshme, se ai ka marrë pjesë në vënien e bombës atë vit të frikshëm në ambasadën sovjetike, që ka ndërlidhur fatet e familjes dhe të shoqërisë. Kjo “njollë” biografike, nga më tronditëset, bëhet shkak për ta përndjekur, ndëshkuar atë dhe familjen e tij në vitet e socializmit.
Prania dhe kapërthimi i këtyre linjave, si dhe i mikrolinjave dytësore apo episodike, ka mundësuar që të shpalosen shenjat e zhanrit të romanit. Nëse dy linjat e para të romanit, ajo e Florit, e cila ndërthuret me linjën intime, me gjasë dhunimin e saj, ecin në pika kontakti dhe këputjeje, ndërkaq fati i të atit, ecën paralelisht dhe shpesh edhe përballëvihen këto dy linja. Shpesh, linja e të atit dhe e Florit pranëvihen edhe në situatë kontrasti, të cilat të pranvendosura kështu japin të plotë plagën e mjerimit në kohën e diktaturës, shpërfytyrimin e frikshëm të njeriut si rrjedhojë e ngritjes në sistem të spiunimit dhe tradhëtisë, që madje kanë dhunuar edhe ardhmërinë e qenies shqiptare. Në anën tjetër, linja intime e Florit me Teutën, është ndërfutur në linjën e parë të fatit të heroit qëndror dhe jep dorë për të prekur pasojat, ku është dhunuar edhe vetë dashuria, ndjenja më e bukur e njeriut.
Kapërthimi strukturor i tekstit
Kompozimi strukturor i romanit, një tipar i domosdoshëm për realizimin e zhanrit, është bërë i mundur duke kombinuar parashtrimet klasike me sprova të shkrimit bashkëkohor, gjë që shfaqet qysh në krye:
– Prologu, që duket se përkon me zgjidhjen e konfliktualitetit të pranishëm për një kohë të gjatë, sepse Adi Raveli, vëllai i protagonistit, tashmë mërgimtar, pra i një kohe të tanishme, ka ardhur të gjejë eshtrat e të vëllait.
– Rol kryesor në zbulimin e ndodhive të shumta, si dhe të linjave të pranishme, të cilat ndërthuren në njëra-tjetrën, pa më të voglin dyshim, luajnë njëzet krerët e librit, ku është ngjizur bota romanore. Materia letrare e pasazheve të përcaktuara si krerë, është më e gjerë se sa episodet e tjerë, gjë që ndikon për të shtjelluar linjat dhe kapërthimin e tyre. Në këto krerë kryesorë të substancës letrare të librit janë skicuar dritëhijet e personazheve, pavarësisht tipologjisë së tyre, si personazhe kryesore ose episodikë; vizatohen mjediset dhe atmosfera e zymtë, që përgjithësisht mbizotëron në faqet e librit, për momentet e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike, të cilat i përkasin sistemit monist.
– Pjesë thelbësore e rrjedhës subjektore janë po ashtu edhe gjashtë episode, të cilat janë emërtuar intermexo prej autores, pra pauza rimarrëse, që hedhin dritë mbi aspektet më të ngushta. Krahasuar me krerët, intermexot janë konceptuar më të shkurtra, si dhe kanë si funksion ndalimin e rrjedhës lineare, për të vështruar hapësirën, si dhe për të marrë frymë nga njëri episod në tjetrin, një atribut i prozëshkrimit.
– Epilogu, që shënon edhe pasazhin më të shkurtër, por bart shenjën e çastit të sakrificës së personazhit kryesor, pra që përkon me pikën kulmore.
Narrativa e gjithëdijes
Pozicioni narrativ, gjithnjë nga sa ofron materia e romanit, më së shumti lidhet me tipologjinë e gjithëdijes. Duke e projektuar prozëshkrimin pikërisht në këtë ngjyresë narrative, pra si gjithëdije e shpalosjes së realitetit letrar, kemi të ngjizur një situatë të njohur në shkrimin e prozës, pra edhe të romanit që po analizojmë:
– Të autorit-narrator, që merr përsipër të sendërtojë botën romanore me të gjithë elementët përbërës.
– Të narratorit të gjithëdijes, si qendra e universit të tekstit, e rrjedhës së ngjarjeve, e kthimeve dhe kulmimeve të saj.
Endja e fabulës së romanit, si rrjedhë subjektore e strukturës, si dhe portretizimi i persoanzheve, duket se është vendosur në një dhëniemarrje të ndërsjellë, me tipologjinë e narrativës së gjithëdijes. Forma narrative e gjithëdijes duket qartë se i ka mundësuar autores që të skicojë protagonistët në tiparet fizike dhe morale, duke ecur në linjën subjektore. Po kaq ndërfutja në subjektin e romanit, me anë të rotrospektivës, e pranisë së disa ngjarjeve të ndryshme në kohë, pra si ngjarje brenda makrongjarjes së romanit, ka ofruar mundësinë e penelimit të tipareve të personazheve në kohë dhe hapësirë, të shtjellimit të ngjarjeve, po kaq të karaktereve që anojnë nga vërtetësia, jo sepse janë marrë në realitetin konkret, ndonëse për këtë arsye bartin tonalitet poetizues dhe idealizues, që ka pak gjasa të përkojnë me figurat faktike të kohës së bombës së vënë në ambasadën sovjetike. Më tepër, ngjarjet dhe linjat rrëfimore, ravijëzojnë shtysat ideoemocionale të autores. Krahas tipologjisë së narratorit të gjithëdijes, në tekstin e librit, ndonëse rrallë, ndeshen raste të pranisë së personazheve si rrëfimtar, që natyrshëm vetëm sa përplotësojnë spektrin e narrativës së gjithëdijes.
Plazmimi i personazheve
Për skicimin e personazheve të romanit Engjëjt e errësirës, autorja ka ecur në dy shtigje portretizimi:
A – Vendosja në qendër e Flori Ravelit, që bart thelbësoren e ndodhisë, që madje vizatohet në shumëplanësi, si njeri rebel dhe po kaq i dashuruar, i cili vjen përmes rrëfimit dhe dialogut, ku megjithë praninë e notava idealizuese për kohën, megjithatë shenjohet si karakter, me gjithë praninë e dritëhijeve, si dhe me laryshi gjendjesh.
B – Bota e personazheve, që sillen rreth personazhit qendror, që nga babai i Florit, që është më i skicuar se sa të tjerët, familjarët e tjerë, që me tepër janë hije në atë realitet makabër, ndërkaq që Teuta, dashuria e pamundur, që rrezikohet të bjerë në prehrin e sigurimit, gjë që megjithë lëkundjet e saj, në sallën e gjyqit ajo dëshmon kundër të dashurit. Shokë e miq që shpërfytyrohen… Pjesë e portretizimit të persoanzheve të romanit janë edhe vetë sigurimsat, të cilët ngjajnë me korbat dhe bishat që janë gati të mbjellin terrin.
Bie në sy që heroi qendror jepet në shumëplanësi dhe vjen përmes ngjyrash të ndryshme, kurse personazhet e tjerë skicohen me penelime të shpejta dhe të faniten si personazhe ide, se sa mishërim karakteresh. Ka gjasa që jeta në kutinë e mbyllur, me ngjyresa bardhë e zi, të jetë artefakt për të plazmuar figura të tilla, si të ngrira, ku bëjnë përjashtim penelatat e shpejta të banorëve të kampit të përqendrimit, kurse bota jashtë është mbushur me banorë që ecin si hije, të lumtur dhe me fytyra të zbardhura si meiti.
Dialogu dhe gjuha
Marrëdhënia me gjuhën, si rrafshe ligjërimi, ku qenia e poetit apo prozatorit është dytësore, është një situatë që mundëson ecjen e krijuesit në udhën e gjatë dhe tepër të vështirë të shkrimit letrar. Libri i parë, pavarësisht mbërritjeve letrare, nuk ka mundësi që të zbulojë përmasat e autores, porse libri i parë, shpalos shenjat pa të cilat është e vështirë të jesh në letërsi. Romani Engjëjt e errësirës, që në tiparet e veta plazmon tipologjinë e romanit, ofron një realitet letrar, ku gjuha me treguesit e vetë ka rol dhe peshë specifike. Në masë të konsiderueshme, si narrativë dhe përshkrim, e sidomos në dialogimin ndërmjet personazheve, gjuha është mjeti thelbësor i thurjes letrare. Megjithëse, gjuha e narratorit, në disa raste karakterizohet nga ngjyresa e komentit, duke lënë në hije tiparet tregimtare, përgjithësisht gjuha e sendërton spektrin e narratologjisë. Nga ana tjetër përshkrimi i mjediseve ku luhen ngjarjet, pjesë e ligjëratës narrative, vjen përmes frazeologjisë domethënëse, ku me anë të fjalës, skicohet dhe mishërohet vendi, ku edhe janë vendosur ngjarjet. Ajo që shkon tek lexuesi bart larminë, gjë që Umberto. Eco në librin Për letërsinë, e pati përcaktuar: Për veprat letrare mund të bëhen ligjërata të ndryshme, dhe një vepër mund të merret si fushë e hetimit sociologjik, si dokument për një histori të ideve, si provë psikologjike ose psikiatrike, si pretekst për një sërë konsideratash morale. Në shkallë më të ngritur, mjetet e përzgjedhura gjuhësore, vijnë replikat e personazheve. Nëpërmjet dialogut që e dinamizon atmosferën e skenave të romanit, ndërkaq zbulohen tiparet e personazheve, të cilët enden në mes hijezimit dhe karakterizimit tipik, gjë që ka fuqizuar praninë e vlerave letrare në librin e parë të autores.
