Kujtime nga Dr. Sabit Brokaj: Shenja e parë e Lëvizjes Studentore

Ornela

Në qoftë se do të ndjekim kronologjinë e kohës, atëherë duhet të dimë se shenjën e parë për lëvizjen studentore e kanë dhënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

Prej korrikut të vitit 1990 situata politiko-shoqërore ishte e tensionuar. Përjetohej një shqetësim i vazhdueshëm dhe ndjehej se, jo larg, do të ndodhnin situata dhe ngjarje të veçanta për shoqërinë tonë.

Ka qenë dt.14 ose 15 tetor, koha kur Ramiz Alia ndodhej në SHBA. Në mbrëmje, kur RTSH jepte lajmet, më merr në telefon dezhurni i Komitetit të Partisë të UT për të më transmetuar porosinë e Komitetit të Partisë të Tiranës që unë, ose njëri nga zv. dekanët duhej të ishim në fakultet gjatë natës. Nuk më dha asnjë shpjegim se përse duhej ta bënim këtë, gjë që nuk kishte ndodhur tjetër herë në jetën e fakultetit.

Pasi komunikova me të dy zv.dekanët, vendosëm që pjesën e parë të natës do të qëndroja unë, kurse pjesën tjetër K.Pano. Kur shkova në fakultet dhe hyra në zyrë, nuk di pse ambienti m’u duk i zymtë dhe nuk kisha përqendrim që të lexoja ndonjë gjë. Më mundonte mendimi që pse atë natë duhej të ishim në zyrë, kur nata ishte angazhim i dezhurnit dhe kujdestarëve të konvikteve. Aq më tepër që konviktet vareshin nga Drejtoria e Qytetit të Studentit dhe që prej muajsh ishte bërë përforcimi i kujdestarëve. Me merakun e gjendjes që përjetohej dhe të ardhjes pa kuptim, dola dhe u nisa në fillim drejt konviktit të vajzave, ku, jo rrallë, çuna të jashtëm dhe studentë të Shkollës së Bashkuar, shkonin poshtë dritareve dhe ngacmonin vajzat. Me këto mendime arrita te konvikti, ku kujdestarja më informoi se gjendja qe e qetë dhe pa asnjë problem. Që këtej u nisa për te konvikti i djemve, në atë konvikt ku kisha kaluar pesë vite të jetës studentore. Te hyrja, gjatë kohës që po prisja kujdestarin e konviktit, takova studentët dezhurnë, njëri prej të cilëve filloi të ankohej për kushtet e jetesës, ushqimin, dushet etj. Ishin të njëjtat ankesa si ato të studentëve që do të ngriheshin më vonë në qytetin e studentëve në dhjetor. Studenti fliste shumë i emocionuar, i zbehtë në fytyrë, me ndonjë kontraktim spontan dhe ngarkesa negative. Meqë fliste në dialektin lab, për t’ia lehtësuar emocionet, e pyeta se nga ishte.

–Jam lab, si dhe ju, -m’u përgjigj.

– Po, nga ç’fshat?,- i them.

-Nga Fushëbardha,- ma kthen ai. Për ta qetësuar, i them:- Me ty e kam të lehtë se do të të marr me vete kur të shkoj te shoku Adil (se Adil Ҫarçani, kryeministri, ishte nga ky fshat), dhe me siguri do të na japë ca pare për të plotësuar nevojat tuaja.

Gjatë kohës që po bëja këtë bisedë, dëgjoj një zhurmë që vinte nga katet e sipërme e që forcohej vazhdimisht. Nuk kuptoja se çfarë po ndodhte e çfarë po thonin, por këtë ma sqaroi studenti i revoltuar.

-I dëgjoni se çfarë po thonë ata?- më drejtohet ai mua.

-Ҫfarë po thonë? – e pyeta

-Thonë “lart, lart”, d.m.th. që ju të shkoni lart, në sallën e televizorit.

Ndërkaq, grupi që bërtisnin, zbriti te holli në katin e parë. Disa prej tyre mbyllën derën me shul që ne të mos dilnim. Veprimet bëheshin me nervozizëm, aq sa shoferi im u tremb dhe, i shqetësuar, gati bërtiste “Shoku dekan, këta po na mbyllin derën!”

Në këto kushte nuk kisha ç’të bëja, veçse bashkë me atë grup të revoltuarish t’u ngjitesha shkallëve. Ata ecnin aq ngjeshur, sa më dukej se këmbët nuk preknin tokën. M’u kujtuan filmat me kulakë, kur fshatarët i demaskonin dhe i dhunonin. Arritëm në katin e sipërm dhe u futëm në sallën e televizorit ku kishte vetëm një llambë që ndriçonte vendin ku isha ulur unë, kurse salla ishte gjysmerrësirë. Vetëm pak studentë ishin ulur. Shumica ishte më këmbë. Ishte nxehtë. Disa studentë ishin gjysmë të zhveshur, se sapo ishin ngritur nga shtretet. Era e rëndë e ambientit dhe djersa e trupave të palarë, e bënte më të vështirë qëndrimin në atë ambient të zymtë.

Ende pa u vendosur plotësisht qetësia, për të mos më ikur situata nga kontrolli, fillova të flas me zë të lartë, gati duke bërtitur. Ora ishte rreth 23.

-Dua t’ju kujtoj se jam dekani juaj, kurse ju jeni studentët e mi. Që unë të jem dekani juaj, kjo nuk varet nga ju. Nuk jam i zgjedhur nga ju. Që ju të jeni studentët e mi, kjo varet nga unë. Unë nuk mund të bashkëbisedoj me ju në këtë gjendje skandaloze, me njerëz gjysmë lakuriq në mesnatë dhe, duke u bërtitur me nota urdhëruese, u thashë: -Të gjithë ata që janë të zhveshur të dalin menjëherë jashtë. Po të duan që të jenë të pranishëm, të vijnë të veshur.

Si duket, fjala ime bëri efektin e duhur. Mjaft prej studentëve nuk u kthyen dhe salla u qetësua. Mund të bisedohej.

Fillova të flas: -Unë e di çfarë kërkoni dhe se keni të drejtë në kërkesat tuaja. U përmenda të gjitha problemet, të cilat diheshin dhe që i kishim diskutuar disa herë në Rektorat dhe në Kom. Partisë të Universitetit. Pasi mbarova, u thashë:

-Tani flisni ju çfarë problemesh keni!

Ata përsëritën po ato që u thashë unë, po në mënyrë të palidhur. Njëri prej tyre tha se kishin vendosur të mos shkonin në leksion, duke filluar grevën. Kurse një tjetër u ankua se ata ishin keq, kur të tjerët ishin më mirë. –Cilët janë më mirë? -e pyeta pa e ulur tonin. Ai nuk po fliste. Atëhere e nxora vetë nga situata: -Unë kam qenë vetë në ato vende ku janë më mirë. Por, që ne të jemi mirë si ata, kjo nuk do të thotë të mos shkoni në leksion. Duhet të punoni më shumë. E dini ju që ata studentët andej studiojnë dhe njëkohësisht punojnë? Prindërit tuaj punojnë në qytet ose në fshat dhe mundohen t‘ju krijojnë kushte që t’i përballoni vështirësitë, ndërsa shumë nga ju nuk studiojnë dhe kalojnë për mëshirë të pedagogëve etj. Situata po çtensionohej. –Nesër, – u thashë –të jeni të gjithë në mësim. Në orën 15 mblidhuni të gjithë në sallën e madhe të leksioneve, ku problemet tuaja do t’i paraqes unë. Pas meje mund të flisni ju.

Të nesërmen njoftova Rektoratin dhe Komitetin e Partisë të Universitetit për takimin me studentët në ora 15. Natyrisht, kjo situatë krijoi shqetësim. Erdhën autoritetet e universitetit, të Komitetit të Partisë, drejtori i konvikteve dhe deri kuzhinierët. Ishte vërtet e turpshme dhe e dhimbshme, kur filluan të rrëfejnë se edhe racionin e ushqimit nuk e jepnin të plotë; mishi vidhej nga kuzhina, përveç shpërdorimeve të tjera, kur dihej që kuota e bursës ishte e pamjaftueshme. Varfëria kishte prekur gjithçka, që nga shpërdorimet e administratës e deri te gjesti i turpshëm i kuzhinierëve. Kështu përfundoi greva e parë e studentëve të fakultetit të Mjekësisë. Brenda javës doli vendimi i Këshillit të Ministrave për shtimin e buxhetit të Universiteteve me tre milion dollarë.

Nuk e kam kuptuar dhe më ka mbetur e paqartë porosia e Kom. Partisë që duhej të ndodhesha pikërisht atë natë në fakultet, pa më dhënë asnjë arsye ose sqarim.

Pasi dolëm në opozitë, aty nga viti 1995-96, takova rastësisht ish-zv.shefin e Sigurimit të Tiranës (të vitit 1990) dhe e pyeta lidhur me ngjarjen e asaj nate me studentët e fakultetit të Mjekësisë. Ai më tha: – Patjetër që e dinim çfarë organizohej, madje dinim që pas jush do të ngrihej Universiteti Bujqësor e më pas do të shtrihej dhe më gjerë, për t’i krijuar situatë sh.Ramiz në OKB dhe ardhjes së tij në Shqipëri.

Share This Article
2 Comments
  • Mos u merrni me keto karagjozlliqe studentore,se e gjithe sjo ishte loja e Ramiz Alise dhe agjenturave te huaja,te interesuara per te permbysur socializmin ne Shqiperi!
    Kjo loje e ndyre vazhdoi vetem 4 dite dhe fuqine e moren te derguarit e Ramiz Alise,qe uzurpuan partite politike dhe i vune zjarrin Shqiperise!
    Ku iken me pas te dhjeret e atij dhetori!
    Shkuan ne esfel te gomarit!
    Per 30 vjet burgaxhinjte antikomuniste vazhdojne te hane mut,ndersa cunat e bllokut uzurpuan pushtetin,percane popullin,grabiten pasurite kombetare,shpopulluan Shqiperine dhe tani nuk duan t’ia dijne se shumica e shqiptareve nuk kane buke te hane!

  • Shiko, me gjithe respektin per Zabit Brokaj, do tu rekomandoja:lexo Nazif Bezhani: Azili familjes Popa ne ambasaden italiane ne Tirane me 1985 dhe Biseda e Kërçovarit me mikun e tij H.D. ishte regjistruar nga otganet e pergjimit. Do gjeni shume te verteta qe trillohen ketu e 30 vjet . Ka qene çdo gje e programuar dhe realizuar si skenar filmi. Bezhani e pershkruan te gjithe konkretisht edhe per shperndarjen e dollareve amerikane dhe personat qe kontriubonin ne Shqiperi. Fasada e dhjetorit, nje histori genjeshtrat monstruoze nga nje shumice qe seicili flet si personazh, qofte dhe ai i skodes qe hyri ne mur! Te pakten ne qe e jetuam e dime mire te verteten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *